Gjermania jep dritën jeshile për dërgimin e tankeve në Ukrainë

Berlin, 25 janar 2023 – Qeveria gjermane ka konfirmuar se do t’i sigurojë Ukrainës tanke luftarake Leopard 2 dhe do të miratojë kërkesat e vendeve të tjera për të bërë të njëjtën gjë.

Kancelari Olaf Scholz tha të mërkurën se Gjermania “po vepron në koordinim të ngushtë” me aleatët e saj.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit tha më 25 janar se qëllimi është që të krijohen shpejt dy batalione me tanke Leopard 2 për Ukrainën, duke shtuar se Gjermania në hapin e parë do të sigurojë 14 tanke nga rezervat e veta ushtarake.

Trajnimi i trupave ukrainase për përdorimin e këtyre tankeve do të fillojë së shpejti dhe Gjermania gjithashtu do të sigurojë logjistikë dhe municione, tha Hebestreit.

Vendimi i shumëpritur erdhi pasi zyrtarët amerikanë thanë se ishte arritur një marrëveshje paraprake që Shtetet e Bashkuara të dërgonin tanke M1 Abrams për të ndihmuar Kievin t’i zmbrapsë forcat ruse të vendosura në lindje të vendit.

Scholz kishte këmbëngulur se çdo lëvizje për t’i siguruar Ukrainës tanke të fuqishme Leopard 2 do të duhej të koordinohej ngushtë me aleatët e Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara.

Anëtarët e Qeverisë së koalicionit tre-partiak të Scholzit e mirëpritën lajmin përpara njoftimit zyrtar.

Ukraina ka muaj që kërkon tanke luftarake, për të luftuar forcat ruse që e kanë nisur luftën në këtë shtet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke Leopard do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë.

(REL)

Comment

*