Gjermania po shqyrton njohjen e patent-shoferëve nga Shqipëria dhe Kosova

Berlin, 6 janar 2022 – Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Sipas draftit të dorëzuar në fund të dhjetorit në Këshilin Federal, të cilin e ka redaksia e Deutsche Welle-s, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime teorike dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë: A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Një provim praktik do të kërkohet vetëm për konvertimin e patentave të kategorisë AM të lëshuara në Shqipëri.

Për lejet e drejtimit të lëshuara në Kosovë është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime digjitale dhe Transporte, i thanë DW burime nga Këshilli Federal. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.

Ndryshimet e propozuara bazohen në projekt-marrëveshjet dypalëshe të Gjermanisë me Shqipërinë dhe me Kosovën, të cilat pritet të ratifikohen menjëherë pas miratimit të rregullores nga Këshilli Federal.

Çështja e njohjes së patentave për emigrantët rezidentë në Gjermani kishte arritur deri në tryezën e ish-kancelares Angela Merkel. Diplomatët në Berlin thonë se pikërisht angazhimi personal ish-kancelares Merkel e përshpejtoi procesin.

Ndryshimet e propozuara në draftit priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe nga Kosova në Gjermani. Sipas rregullave të deritashme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës së shoferit skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi. Konvertimi kushtonte deri në 1.000 Euro, i tha DW, Xhevat Qerimaj, nga Autoshkolla “Sieber” në Stuttgart të Gjermanisë.

“Deri tani konvertimi i patentave nga këto dy vende kërkonte provime shtesë si në teori ashtu edhe në praktikë, plus edhe gjashtë orë ushtrim praktike. Në total ishin së paku 1.000 Euro”, shpjegoi Qerimaj.

“Shumë prej emigrantëve të ardhur me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk e njihnin mirë gjermanishten nuk kishin shans të merrnin provimin teorik,” shtoi ai.

Një kërkesë e bërë tri vjet më parë nga ambasadat e Kosovës dhe Shqipërisë në Berlin që provimet e lejeve të drejtimit të automjeteve përshtetasit e këtyre dy vendeve të bëheshin në gjuhën shqipe, ishte refuzuar.

(r.m.)

Comment

*