Gjethet e vdekura

Jacques Prevert

Oh! Sa kisha dashur që t’i kujtosh

Ditët e lumtura kur ne ishim miq

Në atë kohë jeta ishte më e bukur

Dhe dielli flakëronte më fort se sot.

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

E sheh, unë nuk kam harruar…

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

Kujtimet e pendimet gjithashtu.

Dhe era e veriut i bart

Në natën e ftohtë të harresës

E sheh, unë nuk e kam harruar

Këngën që ma ke kënduar.

Ajo është një këngë që ne na përngjan

Ti, ti më ke dashur dhe unë të kam dashur

Dhe ne të dy jetonim së bashku

Ti që më ke dashur dhe unë që të kam dashur.

Por, jeta i ndanë ata që duhen

Qetas, pa bërë zhurmë

E deti i fshin mbi rërë

Hapat e dashnorëve të ndarë.

Gjethet e vdekura mblidhen me lopatë

Ashtu si kujtimet e pendimet

Por, dashuria ime e heshtur e besnike

Përherë buzëqesh e jetën falendëron

Sa të kam dashur, ti ishe aq e bukur

Si mund të dëshirosh që unë të të harroj?

Në atë kohë jeta ishte më e bukur

Dhe dielli flakëronte më fort se sot

Ti ishe mikja ime më e ëmbël

Por, unë nuk duhet të pendohem

Dhe këngën që ti e ke kënduar

Gjithmonë, gjithmonë do ta dëgjoj.

(Përktheu nga frengjishtja: Sadik Elshani)

Secila stinë e ka bukurinë, magjepsjen e vet, na sjell diçka të këndshme, na frymëzon, na bën të ndihemi mirë, na ngjallë kujtime, mall. Në këtë çast është stina e vjeshtës me tërë bukurinë e saj, ngjyrat e mrekullueshme, pemët plot fruta, vreshtat plot me rrush. Secili e përjeton këtë stinë ndryshe, secilit i ofron diçka të veçantë. “Les feuilles mortes”, që në gjuhë të ndryshme përkthehet si: “Gjeyhet e vdekura, “Gjethet e thara, “Gjethe e vjeshtës”, është një poezi shumë e njohur me motive vjeshte e poetit të shkëlqyer francez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Wshtë një poezi melankolike, nostalgjike, vargje që sjellin në kujtesë çastet e lumtura të një dashurie tani të ndëreprerë, të humbur dhe mungesën e së dashurës, sidomos në kohën kur gjethet e vjeshtës fillojnë të bien. Sikurse gjethet e thara që mblidhen me loppatë dhe era e ftohtë e veriut i bart në natën e harresës, ashtu edhe kujtimet e keqardhjet zbehen ngadalë. Por, kënga që e dashura i ka kënduar dikur poetit do të mbetet gjithmonë në kujtesën e tij, për t’i kujtuar ato ditë të lumtura, atë dashuri të zjarrtë. Poezia “Gjethet e vdekura” radhitet si njëra ndër poezitë më të bukura të të gjitha kohërave të letërsisë franceze. E shkruar me vargun e lirë e pa rima, ajo është e rrjedhshme dhe sjell atmosferën, ndjeshmërinë e stinës së vjeshtës. Po aq e bukur është edhe kënga me të njejtin titull, kënduar nga Yves Montand, Edith Piaf, Juliette Greco e shumë këngëtar të tjerë të njohur. Poezia dhe kënga “Gjethet e vdekura” sikur e begatojnë më shumë stinën e vjeshtës dhe ndjeshmërinë e shpirtit tonë, na frymëzon, na ngjall kujtime e mall.

Philadelphia, më 30 shtator, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.