Gjigandi bankar zviceran “UBS” blen bankën rivale “Credit Suisse”

Bernë, 20 mars 2023 – Gjigandi bankar zviceran “Union Bank of Switzerland” (UBS) ra dakord të blejë bankën rivale “Credit Suisse”, e cila përballet me vështirësi finanicare. Marrëveshja mes dy bankave erdhi pas bisedimeve urgjente që synonin të shpëtonin nga falimentimi, bankën e tronditur rëndë, kur tregjet u rihapën të hënën.

Dy bankat e mëdha në vendin e pasur malor, i famshëm për sistemin bankar, kanë qenë në bisedime përgjatë gjithë fundjavës.

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, tha se qeveria kishte besim se blerja ishte “zgjidhja më e mirë” për të “rikthyer besimin” e humbur në tregun financiar.

“Gjatë këtyre ditëve të fundit, tregjet financiare janë përballur me paqëndrueshmëri të forta, kjo ka destabilizuar bankat më të pambrojtura, siç është rasti i bankës ‘Credit Suisse’. Dhe pavarësisht sasisë të mjaftueshëm të kapitalit, tregjet financiare kanë humbur besimin e tyre te ‘Credit Suisse’”, tha Berset.

Autoritetet zvicerane nxitën bankën UBS të blinte rivalen e saj më të vogël, pasi një plan i “Credit Suisse” për të marrë një hua prej 54 miliardë dollarësh nuk arriti të qetësonte investitorëve dhe klientët e bankës.

Aksionet e bankës “Credit Suisse” dhe bankave të tjera u tronditën fort këtë javë, pas falimentimit të dy bankave në Shtetet e Bashkuara, që ngritën shqetësime edhe për institucione të tjera potencialisht të dobëta në sistemin botëror financiar.

Banka “Credit Suisse”, një prej shtyllave të sistemit bankar zviceran, u shemb me shpejtësi. Sipas analistëve, shumë prej problemeve të bankës ishin vetëm të saj dhe ndryshonin nga problemet që çuan në falimenimin e dy bankave amerikane. “Credit Suisse” ishte përballur me një sërë vështirësish vitetet e fundit, për shkak të investimeve të gabuara që rezultuan me humbje, si edhe për shkak të ndryshimeve të shumta të drejtuesve të saj.

“Credit Suisse” renditet mes 30 institucioneve financiare të njohura si banka të rëndësishme globale dhe autoritetet u shqetësuan mbi pasojat që do të shkaktonte falimentimi i mundshëm i saj.

Drejtuesit e bankës UBS thanë se në muajt dhe vitet e ardhshëm planfikojnë të shesin pjesë të aksioneve të bankës “Credit Suisse” ose të ulin madhësinë e saj.

(Zëri i Amerikës)