Gjithçka gati për kurorëzimin e Mbretit Charles III

Londër, 5 maj 2023 – Gjithçka është bërë gati tashmë për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe bashkëshortes së tij Mbretëreshës Camilla, të shtunën më 6 maj. Gjithçka, që nga karrocat e deri tek monedhat e filxhanët, të gjitha të praruara në ar, tashmë janë gati për këtë ditë të rëndësishme.

Në vigjilie të kurorëzimit, Mbretit Charles III u takua me oficerë dhe kadetë. Të premten ai prezantoi flamujt e rinj të sovranit në Akademinë Ushtarake Mbretërore në Sandhurst.

Ndërkohë punëtorët përgatitën karrocat që do të shërbejnë për transportin e mbretit dhe mbretëreshës deri në Katedralen Westminster, ku do të bëhet kurorëzimi, dhe deri në Pallatin Buckingham, pas përfundimit të ceremonisë.

This image has an empty alt attribute; its file name is Karroca-e-Mbretit-Charles-III-te-Britanise-se-Madhe-640x366.jpg

“Kjo karrocë do të jetë në epiqendër të një procesioni shumë më të madh dhe më të gjatë nga Parku i Katedrales Westminster deri në Pallatin Buckingham, ditën e kurorëzimit. Karroca është gjigande. Mund ta dalloni tani që unë i qëndroj në krah. Është gati katër metra e lartë. Është mbi shtatë metra e gjatë. Peshon katër tonë. Për shkak të kësaj, mund të përdoret vetëm me ritëm ecjeje, gjë që ia shton madhështinë këtij procesioni të madh mbretëror”, thotë Sally Goodsir, përgjegjëse për artet dekorative në Trustin e Koleksionit Mbretëror.

Kjo karrocë e vjetër që tërhiqet nga tetë kuaj do t’u japë njerëzve përgjatë rrugës mundësinë për të parë mbretin dhe mbretëreshën e sapokurorëzuar.

“Unë do ta marr mbretin drejt Katedrales Westminster dhe në kthim, si dhe do të sigurohem që gjithçka të jetë në rregull përpara se të nisemi. Unë e bëj inspektimin tim, përpara se Shërbimi Mbretëror i Inspektimit ta bëjë punën e vet, për t’u siguruar se gjithçka është sipas standarteve të sigurisë”, thotë kryekarrocieri Matthew Power.

Vetë Katedralja Westminster është bërë gati për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla. Godina është e rrënjosur në traditën dhe historinë mbretërore.

Oborri mbretëror njoftoi se në ceremoni do të marrë pjesë edhe Princi Harry, duke lënë kështu prapa spekulimet disa mujorde për pjesëmarrjen e tij, ndërsa bashkëshortja e tij, Meghan, do të qëndrojë me fëmijët e tyre, në Kaliforni.

Kompania që prodhon monedhat zyrtare të Britanisë, “The Royal Mint”, ka prodhuar serinë e monedhave të reja për të shënuar kurorëzimin. Portreti i mbretit është punuar prej muajsh nga artisti dhe skulptori Martin Jennings.

This image has an empty alt attribute; its file name is Monedha-e-kurorezimit-te-Mbrettit-Charles-te-Britanise-se-Madhe.jpg

“Këtu është përjetuar ndërrimi i çdo monarku që nga Alfredi i Madh, dhe këtë herë nuk ka shumë dallim. Vetëmse ka kaluar një kohë shumë shumë e gjatë që kur kemi parë ndërrim të monarkut”, thotë Rebecca Morgan, përgjegjëse e shërbimeve të koleksioneve në kompaninë “Royal Mint”.

Për gjithë stafin e kompanisë, kjo është hera e parë në jetën e tyre që prodhojnë monedha pa imazhin e Mbretëreshës Elizabeth II. Kurora që duket në monedhë nuk është ajo e kurorëzimit dhe është përzgjedhshur nga vetë mbreti.

Koleksioni Mbretëror ka porositur gjithashtu filxhanë me logon zyrtare të kurorëzimit. Ato po prodhohen me dorë në kompaninë e poçerisë me famë botërore në Stoke-on-Trent.

This image has an empty alt attribute; its file name is Zbukurimi-i-filxhaneve-te-ceremonise-se-kurorezimit-te-Mbretit-Charles-III-te-Britanise-se-Madhe.jpg

Ceremonia e kurorëzimit të Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla do të zhvillohet sipas riteve të lashta ceremoniale dhe do të kulmojë me vendosjen e kurorës mbretërore.

(Zëri i Amerikës)