Gjithmonë gati, për diktaturën tjetër

Nga Ruben Avxhiu

Maks Velo, ish i burgosur i ndërgjegjes, arkitekt, autor librash, por edhe opinionist i debatuar e i debatueshëm në vitet e demokracisë.

“Spaçin nuk e harroi, por as nuk e la ta përkufizonte si njeri”

Më pëlqeu kjo fjali e Elidor Mëhillit për Maks Velon. Për fat të keq, mënyra sesi janë trajtuar ish-të burgosurit e të persekutuarit politikë në Shqipëri i ka kthyer gati në një klishe. Shpesh injorohet se nuk është burgosur një trup njeriu, po një ndërgjegje.

Shumë prej ish-të burgosurve politikë kanë pasur një larmi talentesh e vizionesh me të cilat mund të kontribuonin në Shqipërinë e paskomunizmit. Po ata u lanë të flisnin vetëm për përvojën e tyre të burgut, apo të persekutimit. Në imagjinatën tonë kolektive mbetën të lidhur vetëm me të.

Me disa përjashtime të rralla, shumica mbetën të paingranuar në shoqërinë e re, e cila shpejt krijoi kultet e reja të individit për të adhuruar si në politikë ashtu edhe në fusha të të tjera.

Në fund, nisur nga shkrimet e kujtimet (përsëri me disa përjashtime të guximshme e të rralla), po na del se paskëshim qenë të gjithë të persekutuar. Ja këta në burg një çikë më shumë. Me një fjalë ua morëm edhe atë që u kishte mbetur.

Temat për të cilat mund të fliste një i ish-i-persekutuar në publik ishin që nga fillimi të kufizuara. Liria e re e fjalës erdhi përsëri me kufizime për ta. Nëse ke ndonjë histori burgu të vjen mikrofoni. Persekutimi? Eh, atë e kishim të gjithë. Tema të tjera? Për ato ka kush flet. Ktheu te burgu. Dalëngadalë shumica u tërhoq e nuk foli më.

Është njëtrajtëzimi i tregimit të historisë. Ajo që pranohet dhe ajo që nuk pranohet ngurtësohen me shpejtësi. Para se të pikojë ndopak material njerëzor, pak humanitet, nga ai që na bën konfuz, se ish-i-persekutuari lejohet të ketë qenë trim ose i përvuajtur, po kurrësesi jo njeri. Kurrësesi jo ekspert në ndonjë fushë tjetër. Dakord pak poezi. Por, vetëm nga ato që janë shkruar në burg. Pikturat nuk pranohen përveçse nëse janë rikrijime të atyre që ua dogji diktatura. Jo gjëra të reja, ju lutem. I duam të ngrirë në formën që u dha diktatura. Asnjë transformim i mëtejshëm pas dhjetorit 1990 nuk lejohet. Në demokraci e vetmja liri që u lejohet është dëshmia e një shtypjeje për të cilën nuk kemi vërtet interes si shoqëri, përtej ritualeve të zbrazëta që nuk thonë asgjë.

Dhe nëse diku, dikur, ka bërë ndonjë kompromis për të mbijetuar, apo ka dyshuar në parimet e tij: “a-ha”, i fshihen të gjitha. Turp t’i vijë se na turpëroi të gjithëve. Jo si ne, që gjithmonë e kishim të qartë sa i poshtër ishte regjimi, as nuk qamë për vdekjen e Enverit, as thirrëm “Parti, Enver, jemi gati kudoherë”, as folëm në mbledhjet e formës, e nuk denoncuam armikun e brendshëm dhe të jashtëm.

Nganjëherë mendoj ku mbaron faji i komunizmit si ideologji, e ku fillon mizoria e shoqërisë sonë që gjeti një justifikim, një liçensë për të derdhur helmin e mllefeve personale, vogëlsinë e shpirtit, degjenerimin e moralit. Duke ua mohuar humanitetin viktimave të komunizmit, dyshoj se provuam se persekutimi sistematik i asaj kohe mund të përsëritet me zell sërish, me një flamur tjetër, në emër të një ideologjie, apo psikoze tjetër.

I vetmi mësim që kemi nxjerrë është se komunizmi është i keq. Në çdo drejtim tjetër kemi treguar e tregojmë vazhdimisht se jemi gjithmonë gati të bëhemi pjesë e një shumice të re morale, dehumanizuese, mizore, e ndëshkuese për mëkatarët e armiqtë e ardhshëm.