GJK tërhiqet për vendim mbi kërkesën e presidentit kundër disa antarëve

Presidenti sipas Kuvendit, u shkarkua për më shumë se 10 shkelje kushteteuse përfshi mosgarantimin e unitetit kombëtar, anësinë me opozitën dhe nxitje dhune para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021

Knid Ndrenika

Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese po mban seancë për shqyrtimn e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta në qershor 2021.

Por, Gjykata Kushtetuese u tërhoq për të marrë vendim mbi pranimin ose jo të kërkesës së presidentit “Për vlerësim nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, të shkaqeve, për të cilat vihet në dyshim paanshmëria e tij/tyre dhe që sipas ligjit detyrohen të heqin dorë nga shqyrtimi i çështjes”.

Zoti Meta nuk ka marrë pjesë në seancë dhe u përfaqësua nga Këshilltari Ligjor, Bledar Dervishaj dhe Drejtoresha Juridike, Katrin Treska.

Presidenca thotë se kryetarja në detyrë Vitore Tusha e ka përfunduar mandatin si gjyqtare kushtetuese, kurse tri antarët Marsdia Xhaferllari, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji, janë zgjedhur gjatë legjislaturës së 9, kur mes presidencës dhe Kuvendit ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar, ku Kuvendi mbajti të hapur një proces hetimor ndaj presidentit.

Presidenti sipas Kuvendit, u shkarkua për më shumë se 10 shkelje kushteteuse përfshi mosgarantimin e unitetit kombëtar, anësinë me opozitën dhe nxitje dhune para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri u mblodh prej orës 10 të kësaj të marte për shpalljen e vendimit të shkarkimit nga Kuvendi të presidentit Ilir Meta.

Nga 140 gjithsej, 104 deputetë e shkarkuan presidentin në qershor 2021 për më shumë se dhjetë shkelje të Kushtetutës.

Zoti Meta u hetua nga Komisioni i Posaçëm Hetimor Kuvendar për thirrje që nxisnin dhunë para, gjatë dhe pas fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021.

Raporti thoshte se zoti Meta i zgjedhur në 29 prill 2017, nuk garantoi unitetin kombëtar, mbajti anën e opozitës, nxiti dhunë dhe destabilitet.

Zoti Meta e quajti procesin të paligjshëm: “Lidhur me vendimin e parlamentit të shkarkuar pas zgjedhjeve të 25 prillit me farsën për shkarkimn e presidentit jashtë gjithë afateve dhe gjithë logjikës së Kushtetutës që ky parlament mund të ndërmerrte një nismë”.

Kurse kryeministri Edi Rama ka thënë që rrugët janë ndarë dhe se do të zgjidhet një president të ri:

“Në muajin prill duhet të zgjedhim edhe Presidentin e Republikës, mund të jetë edhe jashtë Shqipërisë, që të kthejë normalitetin njerëzor, moral dhe institucional. Me krijimin e dy partive Demokratike na e bën të vështirë ku ta kërkojmë dialogun”.

Mandati pesëvjeçar i presidentit përfundon në 24 korrik 2022, por ai duhet ta lerë detyrën nëse Gjykata Kushtetuese miraton shkarkimin nga Kuvendi.