Gjon Gjekë Lucaj – mësuesi i dalluar i Malësisë

36 - Gjon Lucaj(1)Nga Palokë Gj. Berisha

Njëri ndër mësuesit e dalluar dhe të parë të Malësisë së Madhe ishte Gjon Gjekë Lucaj. Lindi në Shkodër në vitin 1887. Rrjedh nga një familje e varfër fshatare e malit të Triepshit. Tri klasë të shkollës fillore i kreu në Seminarin e Jezuitëve në Shkodër. Për shkollën dhe mësuesin Pjetër Gjuren ruan kujtimet më të ëmbla dhe i është mirënjohës. Fëmijëria e kaluar në Shkodër pati ndikim të madh në formimin e mësuesit të merituar. Në vitin 1898 e ëma e mori nga Shkodra dhe e solli në vatrën fëmijërore në Triepsh. Ditët e para të kaluara në Triepsh qenë të pakëndshme. Jeta primitive dhe rrethi i papërshtatshëm qenë barrë e rëndë për të.
Në dhjetor të vitit 1898 vazhdon shkollimin në fshatin Nikmarash (Triepsh). Mësimi ishte në gjuhën serbe. Ndërtesa e shkollës ishte private dhe e paadaptuar për nevojat mësimore. Për mësuesin e tij Gjoni shkruan: “Nga pedagogjia nuk dinte asgja”. Në autobiografinë e tij gjejmë të shkruara edhe këto fjalë: ”Rruga që çonte në shkollë ishte nëpër shkrepa. Unë hyna në shkollë fillore në Nikmarash në vitin shkollor 1898/90. Kur kqyrsha nxanësit, ma i riu ishte 10 vjeç e disa ishin ma tepër se 16 vjeç. Dikush ishte i veshun me xhubleta e dikush me çakshirë. Kur më binte ndërmend Shkodra dhe shokët e mi, shumë fshajsha prej marakut, më lodhte vetmia dhe dëshpërohesha”. Mësuesi nuk tregonte interesim për mësim as disiplinë. Nxënësit ishin të padisiplinuar dhe sipas shënimeve të Gjonit, u mungonte edukata morale. Ai përveç tjerash shkruan: “Ata shajshin njani tjetrin me fjalë të ndyta që kurrë nuk i kisha ndëgjue”.
Në vitin 1902 kreu për të dytën herë tri klasë të shkollës fillore ndërsa të katërtën e kreu në Podgoricë. Familja e tij ishte e varfër, nuk kishte mundësi të shkollonte Gjonin e etshëm për dituri. Libri bëhet shoku i tij më i ngushtë. Arrin të përvetësojë katër gjuhë të huaja dhe kështu fitoi kulturë të gjerë. Në moshën 21 vjeçare udhëton prej Podgorice në Cetinë e prej andej në Tivar ku punoi katër muaj për të siguruar të hollat për të shkuar në Greqi, ku qëndroi dy javë ku u njoh me shumë patriotë shqiptarë e posaçërisht qe i frytshëm dhe i rëndësishëm takimi me Andon Zako Çajupin. Prej Greqisë kalon në Sanxhak për t’u takuar me organizatorët e kryengritjes. Mandej kalon në Vlorë, Durrës, Ulqin, Tivar për të arritur në Triepsh, që t’i organizojë bashkëvendasit në kryengritje kundër turqve, por kushtet nuk ishin të volitshme, sepse triepshanët ishin nën shtetin e Malit të Zi. As në Triepsh nuk qëndroi shumë dhe pasi siguroi pasaportën, prej Podgorice u nis për Ostog prej nga kalon në Nikshiq e Sanxhak e pastaj në Plevle. Mirëpo as këtu nuk qëndroi shumë. Pati mundësi të takohet me pariotët shqiptarë, por kësaj here organet e pushtetit turk i bien në gjurmë dhe e burgosin. Në burg nuk ndejti shumë sepse intervenojnë bashkëpunëtorët e tij dhe lirohet. Pastaj kalon në Kollashin ku takohet me Ndrek Shkjezin për të cilin tha: “Ndreka ka qenë shpirt revolucionari, i kritikonte ata shqiptarë që nuk luftonin për çlirimin e atdheut të vet”. Aty i besohet detyra të shpërndajë flamuj dhe karta postale me fytyrën e Skënderbeut, Jani Vretos dhe figurave të tjera të ndritshme shqiptare. Mirëpo, me të arritur në Podgoricë, në vitin 1909, një renegat i Malit të Zi nga Triepshi e padit dhe e burgosin. Në burg e mundojnë duke iu kërcënuar se do ta vrasin. Pas tetë ditë torture në burgun e Podgoricës e dërgojnë në Cetinë. Torturat ishin të padurueshme, e akuzonin si tradhëtar të shtetit. Burgu i Cetinës dhe Podgoricës nuk mundën ta largojnë prej qëllimeve të tij të shenjta. Mbreti i Malit të Zi, Nikolla u dha amnisti të burgosurve politikë dhe Gjoni lirohet me kusht që të kalojë në Shkodër ose Austri. Në vitin 1910 e hasim në Vjenë. Edhe atje bashkëpunon me patriotët dhe studentët shqiptarë. Doktor Georg Pekmezi ishte figura qendrore e shqiptarëve, të cilët gjendeshin në Vjenë. Qe shumë i frytshëm takimi dhe bashkëpunimi me Fan Nolin, Faik Konicën, Vincenc Prenushin, Lukë Lukajn, Zef Harapin e të tjerë.
Në vitin 1911 Gjoni gjendet në Gjermani i ngarkuar me detyrë që të bashkëpunojë me shqiptarët, për t’i ndihmuar kryengritjet e shqiptarëve, që kishin bërë jehonë të madhe. Në Gjermani nuk mbeti shumë dhe kthehet në Vjenë. Pikërisht më 24 shtator 1912 i besohet detyra delikate dhe shumë e rrezikshme për jetën e tij. Fjala është për përgatitjen për të kaluar në Kosovë dhe për të konstatuar gjendjen reale politike që ishte krijuar dhe për të bashkëpunuar me prijësit e kryengritjes. Në Prizren takohet me shumë shqiptarë dhe njihet me pozitën e vështirë të tyre. As këtu nuk qëndroi më tepër se dy ditë dhe kalon në Gjakovë me të njejtin qëllim. Pastaj kalon në Pejë ku pa gjendjen e mjerë të vëllezërve të vet. Gjoni shkruan: “Çka me pa, mos o Zot më zi”. Shqiptarët e shkretë i torturonin dhe i ekzekutonin pa pikën e mëshirës. Gjoni është dëshmitar i ditëve më të vështira dhe luftës për ekzistencë të popullit shqiptar. Kujtimi më i hidhur i ka mbetur nga Peja ku e burgosin dhe e torturojnë. Nga uria dhe torturat e papërshkruara sëmuret nga titusi. Pasi shërohet e lirojnë dhe kalon në Gusi, Kelmend dhe Selcë. Për gjendjen e shqiptarëve në Selcë shkruan: “Selca e Kelmendi tue luftue me turq ishin dobësue në pikëpamje ekonomike sa nuk kishin bukë me ngranë dhe fëmijët kishin mbetë cullak”. I lodhur Gjoni kaloi në Shqipëri dhe prej andej në Vjenë ku punoi një vit. Prej Vjenës nëpër Beograd, Nish, Ferizaj, Prizren, Pejë , Gusi arrin në Triepsh. Qeveria e Malit të Zi mobilizoi bashkëvendësit e tij dhe i dërgoi për të luftuar kundër vëllezërve hotjanë, grudjanë, selcjanë dhe kelmendas. Gjoni ua shpjegonte triepshanëve se nuk duhet luftuar kundër të vetëve. Pas një kontakti të shkurtë me Bajram Currin e udhëheqësit e tjerë të kryengritjes, i japin detyrë që me dokumente të rëndësishme të niset për Dibër dhe të takohet me Nikollë Ivanajn. Dokumentet përbënin një plan të gjerë me udhëzime të rëndësishme për operacione luftarake për t’u liruar nga të huajt. Edhe këtë detyrë e kreu me nder.
Bashkë me Sheh Ademin, Albert Sherifin dhe Pashko Krasniqin, të veshur “tebdilë” hyjnë në Elbasan, mbledhin faktet e duhura e pastaj kalojnë në Korçë. Në Korçë të gjithë i burgosin por në burg nuk mbesin shumë, sepse korçarët intervenuan dhe pa u hyrë therrë në këmbë kalojnë në Florinë e prej këndej në Selanik. Pas një konsultimi të shkurtë me kolegët dhe bashkëpunëtorët e vet kalon në Sofje për t’i informuar shqiptarët e atjeshëm me gjendjen politike në truallin e Shqipërisë. Pasi e kryen këtë detyrë me Pashko Krasniqin kalon në Vjenë.
Për luftat e popullit të vet në vitet kritike ruan shumë kujtime. Është luftëtar i shquar me armë e pendë për lirinë e popullit tonë nga zgjedha e të huajve. Dy idealet e Gjonit kanë qenë: liria e vendit të vet dhe arsimimi i popullit. Shkurt, me tërë fuqinë e trupit dhe mendjes është vënë në shërbim të popullit të vet. Në historinë e shkollave shqipe të Malësisë së Madhe një vend nderi i takon Gjonit.
Në moshën 24 vjeçare filloi punën në arsim. Emërohet mësues në Dibër ku punoi vetëm një vit. Në vitin shkollor 1917/18 për herë të parë hapë shkollën në gjuhën shqipe në Dinoshë. Shkolla filloi të punonte në ndërtesë private dhe nuk u përgjigjej kushteve më elementare. Por me iniciativën e mësuesit të nderuar dhe popullit të etshëm për arsim, kushtet përmirësohen dhe mësimi zhvillohej rregullisht. Tekstet shkollore i merrnin nga Shkodra, të gjitha në gjuhën amtare. Për sigurimin e teksteve mësimore dhe për punën e shkollave kujdes të veçantë kanë treguar Shtjefën Gjeçovi, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda e të tjerë. Mësuesi i zellshëm u mësonte nxënësve këto lëndë: gjuhë amtare, histori, vizatim etj.
I ka çmuar të gjitha lëndët por gjuhën amtare, historinë e këngën në mënyrë të veçantë. Kjo arsyetohet sepse detyrën në arsim e përqafoi në rend të parë si obligim kombëtar ndaj popullit të vet.
Gjatë kohës së ish Jugosllavisë ka shërbyer nëpunës në Hot, Grudë e Triepsh. Pas çlirimit emërohet mësues në Triepshin e Poshtëm ku punoi me vullnet me nxënës dhe të rritur. Pas gjashtë vjet pune i bëhet një operacion dhe mjeku ia ndalon punën prandaj edhe pensionohet.
Gjoni me plot të drejtë quhet mësuesi i Malësisë së Madhe sepse kaliti e arsimoi shumë gjenerata të cilat i detyrohen Gjonit për respekt dhe mirënjohje.
Gjoni është marrë edhe me shkrime. Është i rëndësishëm artikulli “Zhvillimi i arsimit në Triepsh” botuar në “Prosvetni rad” të Podgoricës më 1968.