Gjukanoviq e Milatoviq mbeten në garën për President të Malit të Zi

Podgoricë, 19 mars 2023 – Milo Gjukanoviq dhe Jakov Millatoviq do të vazhdojnë garën për President të Malit të Zi.

Presidenti i deritashëm dhe ish-ministri i Ekonomisë do të kërkojnë besimin e shumicës së votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 2 prill.

Ata ishin dy kandidatët më të votuar në raundin e parë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën

Gjukanoviq është shprehur të kënaqur me rezultatin e votimit të së dielës. Ai ka shprehur bindjen se do të dalë fitues në raundin e dytë tëzgjedhjeve.

“Kam fituar më shumë se 120.000 vota. Ky është rezultat i vlefshëm. Kjo është përparësi serioze ndaj kandidatit tjetër. Ne jemi të gëzuar për një nivel të tillë të mbështetjes. Kjo është bazë e mirë që do të na çojë drejt fitores”, ka deklaruar Gjukanoviq, candida i Partisë Demokratike të Socialistëve që ka qeverisur tri dekada në Mal të Zi.

Por edhe Millatoviq, kandidat i Lëvizjes “Evropa Tani”, është shprehur i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, ky rezultat ëhtë tregues se ai do të shënojë fitore në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Kam premtuar se do të fitojmë dhe fituam. Kjo është fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vjetët e fundit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi, për ata që nuk ka pasur drejtësi. Ne do ta dërgojmë Gjukanoviqin në pension politik, më 2 prill”, është shprehur Millatoviq.

Sipas rezultateve jozyrtare, në zgjedhjet e së dielës Gjukanoviq ka fituar 5.9 për qind vota më shumë se Millatoviqi.

Rezultati zyrtar pritet të publikohet pas disa ditësh, pasi të jenë shqyrtuar ankesat e mundshme lidhur me procesin zgjedhor.

Përveç Gjukanoviqit dhe Millatoviqit, në garë për president të Malit të Zi ishin edhe 5 kandidatë të tjerë: Andrija Mandiq, Alleksa Beçiq, Goran Danilloviq, Draginja Vuksanoviq – Stankoviq dhe Jovan Joxhir Radulloviq.

(r.m.)