Gjurmë të një mësueseje letërsie në Tiranë

(Përjetime të një gjimnaziteje nën diktaturë)

Të shumtë janë mësuesit që kemi pasur në jetën tonë, por të pakët janë ata qe na lenë gjurmë në formimin tonë dhe kujtime të bukura në memorie.

Thonë që një mësues i mirë të merr për dore, të lexon trurin, të hap zemrën dhe unë këtë e gjeta një shtator të viit të largët 1982, kur e ndrojtur dhe pakëz “e frikësuar” nga e ardhmja e panjohur e botës së gjimnazit (pse jo dhe ajo e të rriturve) më priste në oborrin e shkollës së mesme të përgjithsme ” 50 Vjetori i Pavarësisë”, Tiranë.

Oh sa e re dhe e bukur m’u duk tek lexonte listën e nxënësve për t’i ndarë sipas klasave!

– Zysh, emri im nuk është në liste i drejtohem. Ajo ngriti sytë nga fleta dhe sytë e mi kryqëzuan vështrimin me sytë e saj të kaltër. Nuk e kuptova atë moment që ai vështrim do ishte fillimi i një lidhje të veçantë mësuese-nxënëse që me kalimin e viteve do të shndërrohej në një lidhje miqësie dhe respekti reciprok.

Kozeta Zylo

Që në atë ditë të parë pashë energjinë dhe pasionin që ajo vinte në çdo gjë që prekte që nga detyrat më të rëndomta që i ngarkoheshin (sidomos mësuesve të rinj) e deri tek pasioni i jetës së saj shpjegimi i lëndëve të gjuhë-letërsisë. Orët e gjuhës shqipe ishin të bukura, por letersia ishte lënda që na pëlqente më shumë. Ato klasa të thjeshta shndërroheshin në skena teatri, salla regjistrimi, klube poetike, ku aktorë ishim ne nxënësit dhe regjizore mësuese Kezja (Kozeta).  Pastaj ishte rrethi letrar. Ah rrethi letrar aty ku fantazia jonë merrte flatra!  Flatra me të cilat nuk mund të fluturonim shumë larg, sepse tematika e krijimtarisë ishte shumë e kufizuar .Atdheu, Partia, Enveri dhe përsëri Partia. Por nga një poezi tek tjetra mësuesja që ishte dhe drejtuesja e rrethit letrar kërkonte të gjente tema të tjera dhe pse e dinte që do hynte në konflikt me drejtorinë dhe organizatën e partisë.  I ruaj akoma ato krijime ashtu si shoqet e mia të rrethit letrar si Ledia Mikeli, Greta Alushi, Majlinda Alla etj si gjërat më të çmuara të asaj kohe të bukur shkollore.

Në ato kohë ishte pothuajse e detyrueshme të ishe anëtare partie se vetëm në këtë mënyrë i gjithë sistemi dhe sidomos drejtoria të kishte me sy të mirë, jetën e kishe më të lehtë dhe fitoje një farë pushteti. Shkolla kishte disa mësues letërsie, por njera si drejtoreshë nuk kishte shumë orë mësimi, tjetra me probleme familjare pothuajse nuk dukej në shkolle kështuqë zysh Kozetës përveç barrës më voluminoze të mësimdhënies, për pjesën më të madhe të klasave i duhej të përballonte rrethin letrar, organizimin e eventeve dhe shumë aktiviteteve jashtëshkollore.

Dhe ajo e mira dhe e papërtuara bënte gjithçka duke vënë pasionin e saj kudo. Po sa vlen pasioni dhe dedikimi kur drejtoria që në këte rast ishte dhe partia nuk ka simpati për ty?!

Nuk vlente fare se drejtoria i jepte urdhër mësuesve të ngelin gjysmën e nxënësve të klasës që ka zysh Kozeta në kujdestari për të thënë se ajo nuk ka rezultate. (Qershor 1984 për kronike shkruaj klasa II A. 12 nxënës të ngelur në klasë nga 32 në total.  Regjistrat janë akoma të ruajtura në arkivë për këdo që ka dëshirë të verifikojë).

Goditje e ulët dhe rezultati: MOSPRANIMI Në PARTI.  Por pasioni është dhuratë e natyrës dhe jo më shumë se një vit më vonë spektakli i organizuar me rastin e 28 -29 Nëntorit ideuar prej zysh Kozetës la të gjithë me gojë hapur.  Recitues të distancuar në skenë me prozhektorë të përqëndruar në çdonjerin në mënyrë inidviduale që recitonin me radhë. Vërtetë tema ishte e caktuar, por e interpretuar me çelës modern.

Vetëm më vonë e kuptova që ishte një lloj teatri eksperimental. Një mënyrë e bukur për t’i thënë botës që ajo nuk konformohej dhe nuk ishte ushtare e bindur e partisë. Recitimet kushtuar festave të Nëntorit në formen e teatrit eksperimental një dikotomi e vërtetë që vetëm një mësuese e talentuar letërsie e njeh si term dhe e aplikon (edhe sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar nga i erdhi ideja e teatrit eksperimental që dhe për shtetet perëndimore në atë kohë ishte futurizëm)?

Kalojnë muaj, vite dhe breza në duartë e zysh Kozetës, por nuk kalon inati dhe xhelozia e të paaftëve që sa më shumë punon ajo, aq më të lartë e ngrenë murin e urrejtjes kundër saj.

Por Partia nuk do mure (pavarësisht se kush i ngre) do vetëm bindje të verbër dhe konformim edhe pse të konformohesh është kompromis me paaftësinë dhe tradhëti ndaj nxënësve dhe pasionit pa të cilin jeta nuk ka kuptim..

Filluan paralajmërimet, tërheqja e vëmendjes dhe kërcënimet kësaj radhe jo të tërthorta po në mënyrë të hapur nga drejtuesit e seksionit të arsimit të Komitetit të Partisë të Tiranës dhe shumë figura të njohura vihen përballë me gisht kërcënues të drejtuar kundrejt saj.

Nuk trembet nga dy Pirrot as nga ai më i “madhi” Pirro Kondi ish sekretar i Parë i Partisë të rrethit të Tiranës, as nga më” i vogli” Pirro Lako se i vetmi Pirro të cilit ajo i përkulet është Pirro i Epirit, kur u shpjegon nxënësve.  Nxënësit i mblodhën, i instruktuan dhe manipuluan nëpër mbledhjet e organizuara nga organizata bazë si gjithmonë me orientim nga sipër e propozim nga poshtë.  Zot kur i mendoj çfarë dhembje ndjej si gjimnaziste dhe çfarë torture na sollën për notat, për shkollimin!  Nuk jam vetëm unë është një klasë e tërë kujdestari e zysh Kozetës që nuk e harron lehtë atë dhembje…

Mospërkulja ka dhe pasoja. Ulje në karrierë, netë pa gjumë, sy të përlotur e zemër të thyer. Stresi është shumë i madh dhe çdokush tjetër do ishte dorëzuar, por ai pasioni në gji, ajo flakëza e vogël që nuk shuhet kurrë e mban akoma në jetë edhe pse veten e ndjen të zhgënjyer e tradhëtuar nga Partia.  Dhe fshin lotët e ringrihet sërisht në këmbë duke e nisur sërisht nga e para rrugëtimin nga një shkollë e thjeshtë në periferinë e harruar të Tiranës, me nxënës më së shumti me Rom, deri në një nga gjimnazet më të mira ku ylli i saj rikthehet të shkëlqejë dhe puna e talenti në atë që bën merr vlerësimin e merituar. Shkëlqen me organizimin e spektaklit

“ Miss Çajupi” të organizuar në mënyrë të mahnitshme në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në Tiranë që ekspertët e vlerësuan si një shfaqje të nivelit profesional e denjë për çdo televizion kombëtar edhe pse një shfaqje gjimnazistësh .

Dhe nga mësimdhënia në gjimnazet e Tiranës në mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët e Diasporës në New York rruga është sa e shkurtër aq edhe e gjatë.  E shkurtër se pasioni është ngadhënjyes mbi çdo vështirësi burokratike apo organizative dhe e gjatë se lufta kundër asimilimit të gjuhës në një vend kaq frenetik është e lodhshme dhe e përditshme dhe tashmë gjuha shqipe është një mision për të.

Shkolla shqipe e ngritur me shumë mundime nga prof. Kozeta dhe bashkëshorti i saj Qemal Zylo që japin mësim në katër lagje të NY-ut ka marre titullin “ Ambasador i Kombit “ E ç’farë mund të them më tepër unë, kur ky titull thotë gjithçka në këtë kohë hemorragjie njerëzish që Shqipëria përjeton, në këtë kohë ku antivlera ngrihet në piedestal dhe kur gjuha shqipe nëpërmjet kanalit televiziv Alba Life të krijuar po prej ketij çifti të palodhur kumbon në familjet shqiptare në NY.

 Do e mbyll me një thënie të bukur që më vjen tani në mendje: Diamanti edhe në baltë të bjeri ngelet diamant, pluhuri edhe në qiell të shkojë ngelet pluhur.

Flm Prof. Kozeta që ishe mësuese dhe pjesë e jetes time dhe po të bëj falënderimin që Aleksandri i madh i beri mësuesit të tij Aristotelit: Falënderoj prindërit për jetën që më dhuruan dhe falënderoj mësuesin që më mësoi ta jetoj në mënyrë të denjë.

Merita Gjeçi, ish nxënësja e klasës kujdestari për vite radhazi të mësuese Keze Kozeta Zylos, Tiranë

 Prill 2021

Romë, Itali