GJURMË TË NJË MËSUESI DHE SPORTISTI ME EMËR

                                         

– Me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta në Boston të Zhani Pilikës –

Nga Fuat Memelli

Nxitje për këtë shkrim u bë një përkujtimore e mbajtur në kishën shqiptare, Shën Trinia në Boston, me rastin e dy vjetorit të ndarjes nga jeta të mësuesit dhe sportistit të përkushtuar korçar, Zhani Pikika. Por, siç u shprehën disa pjesëmarrës, një përkujtimore, është pak për këtë njeri. Njerzit që kanë lënë gjurmë në historinë e një qyteti apo fshati, meritojnë më shumë. Ata e mbaruan misionine tyre, por nderimi për ta, nuk duhet të shuhet.

RRUGA SI MËSUES

Ishte viti 1954 kur Zhani kur mbaroi shkollën Pedagogjike në Korçë . Dëftesa e tij kishte gjithë notat pesa, notat më të mira të asaj kohe. Ëndëronte të vazhdonte shkollën e lartë por një “ njollë” në biografi nga gjyshi, e pengoi. Shokët e tij moshatarë si Xhevat Lloshi, Andonaq Lubonja, Dhimitër Orgocka, Viktor Gjika, Pirro MIlkani, Andrea Marjani, et, vazhduan shkollën , dikush në Shqipëri e dikush jashtë, ndërsa ai, jo. Kjo e mërziti djalin e ri, por ai vazhdoi me këmbëngulje rrugën e jetës. Në vitin 1955 e caktojnë mësues në Qafëzez të Kolonjës. Ishte djalë qyteti, i lindur e ritur aty dhe qe hera e parë që largohej nga Korça. Pasioni për profesionin fisnik të mësuesit si dhe ëndërat për të ardhmen, e bënin  që të kapërxente vështirësitë e fshatit. Kishte qënë vetë nxënës ndërsa tani duhet t’i jepte mësim atyre. Pas dy vjet pune në fshat, me që loste futboll, e sjellin në Korçë dhe e caktojnë mësues në shkollën “24 Maji”. “Stacioni” tjetër  i punës së tij, ishte Shkolla e Muzikës “Tefta Tashko Koço”, ku jepte mësim lëndën e matematikës. Megjithëse ishte lëndë e vështirë, ai e shpjegonte bukur dhe e bëntë tërheqëse për artistët e ardhëshëm. Megjithatë Zhani nuk iu nda shkollës, vazhdoi me korespondencë degën Biokimi , në  Universitetin e Tiranës dhe Institutin Pedagogjik të Skodrës. Megjithëse u diplomua në dy degë të ndryshme, nuk hoqi dorë nga matematika, pasi e deshte këtë lëndë. Arben Kallamata, një nga ish nxënësit e tij, i diplomuar në anglisht në Shqipëri dhe tani mësues i kësaj lënde në Kanada, tregon:”  Zhani Pilikën ne e adhuronim. Në kujtesën time ai ka mbetur i veçantë nga gjithë mësuesit e tjerë. Unë e konsideroj veten me fat që kam pasur këtë mësues aq të mire, simbol i përsosmërisë. Nuk ishte thjesht përkushtimi që ai kishte për të shpjeguar lëndë që ishin të vështira (na jepte matematikë dhe fizikë) dhe njohuritë që kishte për lëndën. Ishte edhe marrëdhënia e përsosur që ai krijonte me ne, sensi i pagabueshëm i drejtësisë, i masës, i gjithçkaje. Zhani ishte barazisht i drejtë me të gjithë, nuk anonte as nga ai që i kuptonte gjërat shpejt, dhe as nga ai që kërkonte kohë dhe shpjegim më të detajuar. Ai na vinte çdo ditë përpara një standardi tepër të lartë mësimor e moral dhe dinte të nxiste e të merrte maksimum nga secili”.

FUTBOLLI-PASION I HERSHËM I TIJ

Qysh të vogël e bëri për vete topi i futbollit. E dëshmon këtë edhe një nga fotot e herëshme të fëminisë. Mori pjesë në fillim në ekipin e të rinjve që  ahëherë quhej “Puna”  e më pas mori emrin “Skënderbeu”. Më 1955 kalon në ekipin e të riturve të kësaj skuadre. Ishte i vetmi me profesion mësues në atë ekip. Loste në mesfushë dhe mbante numurin 6. Sportdashësit korçarë e kujtojnë atë si  organizator të lojës. Disa gola të kësaj skuadre, kanë zënë fill nga pasimet e tij. Dy-tre vjet kanë luajtur në një kohë me Skënderbeun, të dy vëllezrit, Zhani dhe Aleko Pilika. Alekua u bë sportist edhe më me emër se i vëllai e vazhdoi të meret me sport për një kohë më të gjatë. Në vitin 1965 e mbyll karierën e tij si futbollist. Gjatë viteve që loste futboll, ka patur trainer Kristaq Bimblin, Spiro Koçon dhe Maqo Prodanin. Teodor Vasua, një nga sportistët ikonë  të “Skënderbeut” si dhe të Kombëtares sonë kujton :” Loja me ekipin e Skenderbeut, na bashkoi me Zhani dhe Aleko Pilikën në fund të vitit 1959. Zhani kishte filluar të stërvitej me ekipin “Puna” të Korçës, që në vitin 1959 rimori emrin “Skënderbeu”. Lojtëm bashkë me ekipin e Korçës nga vitet 1959 deri në shtator të vitit 1963, kur unë ika ushtar dhe kalova në ekipin e “Partizanit”. Mësuesi i shkencave ekzakte, Zhani Pilika, dollonte në lojën e futbollit për teknikë racionale elegante dhe për pasime të pagabushme. Figura e tij përcillte tek spektatorët, tek lojtarët e skuadrës sonë por dhe tek rivalët, imazhin e një personaliteti të edukuar me kulturë  qytetare, pasi vinte nga një familje e tillë. Me lojën e tij ne morëm një pikë kulminante, pasi shënoi një gol vendimtar në ndeshjen me Lezhën, që na kualifikoi për të hyrë në kategorinë e parë në fund të vitit 1959”.

PASIONE TË TJERA

Veç mësuesisë dhe sportit, Zhani Pilika ka patur edhe pasione të tjera: ishin kërcimi dhe fotografia.Qysh në vitin 1950 ai mer pjesë në grupin e valleve të pallatit të Kulturës në Korçë. Fotot e fiksuara me atë grup, flasin më mirë për këtë pasion të tij. Fotografia-një pasion tjetër i tij. Fotot e shumta të bërë gjatë jetës, flasin për këtë. E ku nuk e sheh Zhanin?! Me familjen, me shokët, me nxënësit e klasës, me mësuesit, në stadium, etj..Fotografët e qytetit, ishin ndër mitë e tij të afërt. Djali i tij, Alfredi, duke i ngjarë babait, është jo më pak i pasionuar pas fotografisë. Ai i ka dixhitalizuar gjithë fotot , duke i vënë edhe diçiturat, siç duken edhe në disa fotot që shoqërojnë këtë shkrim.

NË AMERIKË

Në vitin 1999, Zhani vjen në Amerikë., duke bërë bashkim me vajzën e tij që kishte ardhur më parë.Më pas vjen nga Italia edhe djali i tij, Alfredi dhe kështu gjithë familja mblidhet në Boston. E kishte pasur ëndër Amerikën, pasi edhe paraardhës të fisit të tij, kishin qënë këtu. Në vitin 2007, bëhët qytetar amerikan. -U gëzua pa masë atë ditë, tregon djali i tij. Koha bën të vetën dhe në vitin 2007, ndron jetë në moshën 81 vjeçare, duke lënë pas një emër të nderuar, si mësues dhe sportist, mbi të gjitha, si njeri.