Gjurmë të pashlyeshme, ngjarje që s’harrohen

Ngjarje krenare nga koha e djalërisë

Sadik Elshani

Besoj se në jetën e secilit njeri ka ndodhur që ndonjë ngjarje në jetën e tyre të ketë lënë mbresa të pashlyeshme, ngjarje që kanë ndikuar fuqishëm në formimin e karakterit të tyre, janë ngulitur në mëndjen dhe kujtesën e tyre. Ndër shumë ngjarje që kanë ndodhur në qytetin tim të lindjes, Suharekë/Therandë (Kosovë), do t’i vecoja dy që kanë ndodhur 53 vite më parë, të cilat i kam përjetuar edhe vetë në atë periudhe të djalërisë sime të hershme. Treva e Suharekës/Therandës ka qenë vatër trimërie e atdhedashurie në të gjitha periudhat e historisë sonë kombëtare, sidomos nga Periudhe e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e këndej. Prandaj, nuk është e rastësishmë që dy ngjarjet që do t’i përshkruaj më pshtë, si dhe shumë të tjera që kanë ndodhur para dhe pas tyre, kanë ndodhur ë qytetin tonë.

Viti 1968

Viti 1968 ishte një vit kthesë, vit i shënuar në historinë e Kosovës. Pas rënies së Aleksandër Rankoviqit (1909 – 1983), ministrit famëkeq të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, xhelatit të shqiptarëve, në korrik të vitit 1966, shqiptarët e Kosovës the trevave të tjera shqiptare në ish Jugosllavi filluan të marrin frymë pak më lehtë, filluan t’i gëzonin disa të drejta që nuk i kishin gëzuar më herët. Këtu po flasim për një lehtësim relativ, sepse shqiptarët gjatë tërë asaj periudhe  të ish Jugosllavisë mbetën populli më i shtypur, më i përbuzur. Në janar të vitit 1968 në Kosovë me madhështi u shënua 500 Vjetori i Vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrot – Skenderbeut (1405 – 1468). Ishte kjo ngjarje që i vuri shqiptarët në lëvizje, ua ngjalli krenarinë kombëtare, ua shtoi vetëbesimin, i zgjoi nga gjumi. Filluan të ndërtoheshin shkollat e reja, u zgjerua rrjeti  i shkollave fillore dhe atyre të mesme; filluan të botoheshin libra të rëndësishëm nga letërsia dhe historia jonë kombëtare: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, “Bashkëluftëtarët e Skenderbeut” e Ali Hashorvës e shumë e shumë të tjera. Shkurt, gjërat po lëviznin mirë për shqiptarët, ata ishin duke përjetuar një rilindje, ringjallej kombëtare. Pastaj në vitin 1970 u themelua edhe Universiteti i Prishtinës, vatër e arsimit të lartë për të gjithë shqiptarët që jetonin në tervat e tyre në ish Jugosllavi, kështjellë e atdhedashurisë dhe nacionalizmit shqiptar, në kuptimin më të mirë të fjalës. Këtu nuk ka nevojë të zgjatem më tepër, sepse për këtë periudhë është folur e shkruar mjaft. E bëra këtë hyrje vetëm për ta lidhur me dy ngjarje që do të rrëfej më poshtë, ngjarje që kanë ndodhur në qytetin tim, dëshmitar i së cilave kam qenë edhe vetë në atë moshë te njomë të djalërisë sime të hershme.

Koncert në vitin 1968 nën tytat e kërcënimeve

Nuk më kujtohet data e saktë, por e di që ka qenë muaji mars i vitit 1968 kur në Suharekë/Therandë kishte ardhur për të dhënë një koncert Shoqeria Kulturore Artistike “Liman Kaba”, nga Dibra e Madhe. Ditë më parë ishte përhapur fjala se do të vinte kjo shoqëri, e cila ishte e njohur për programin e saj muzikor me këngë atdhetare (patriotike) shqiptare. Ineresimi në qytet ishte i madh dhe të gjithë mezi po e prisnin atë ditë. Në ditën e koncertit para shtëpisë së kulturës ishin tubuar shumë njerëz të të gjitha moshave, por mbizotëronin të rinjtë. Koha e fillimit të koncertit po afronte, por dera e hyrjes ishte ende e mbyllur. Madje edhe sporteli ku shiteshin biletat nuk ishte hapur. Të pranishmit po nuhasnin se diçka nuk ishte në rregull dhe filluan te bërtisnin me zë të lartë e t’i binin derës me grushte, kerkonin hapjen e saj. Pas pak çastesh u shfaq njëri nga punonjësit e shtëpisë së kulturës, Stanisllavi, apo siç e quanin shkurt, Tani. Dhe po u tregon të pranishmëve se nuk po guxonin që ta hapnin derën, sepse kështu kishin urdhëruar nga Sekretariati i Puneve të Brendshme të Suharekës/Therandës. Qytetarët nuk u tërhoqën, një grup i madh njerëzish,të mllefosur e të vendosur u drejtuan drejt stacionit të milicisë (siç është quajtur atëherë policia në ish Jugosllavi), ndërsa pjesa tjetër qëndroi përpara shtëpisë së kulturës. Ishte ky një rast i përshtatshëm për ta shprehur pakënaqësinë, mllefin ndaj regjimit të atëhershëm jugosllav. Gjithë ajo turmë njerëzish marshonte nëpër qendrën e qytetit për te stacioni i policisë që ndodhej në skajin tjetër të qytetit, më pak se një kilometër larg shtëpisë së kulturës. Këtij grupi i prinin: daja im, Nezir Rexhep Gashi (1932 – 2012), Nuhi Kuqi, Reshat Kabashi, Jashar Bajraktari. Këta ishin kundërshtarë të vendosur të regjimit jugosllav, njerëz që nuk frikësoheshin nga pushteti, sepse gati secili prej tyre kishin qenë të burgosur disa herë. Daja Nezë i ka përjetuar edhe torturat çnjerëzore të Goli Otokut, burgut më të tmerrshëm të ish Jugosllaviisë. Kur turma u fut në oborrin e stacionit të milicisë, milici kujdestar pyeti se ç’po kërkonin, ç’ishte ky tubim. “Revolt!” – ia priti daja Nezë me një zë të prerë dhe pastaj i tha se po kërkonin të bisedonin me sekretarin, Durak Jasharin, i cili kishte dhënë urdhër për ndalimin e shfaqjes së koncertit. Turma me zë të lartë po e kërkonte Durakun, por ai nuk u paraqit fare, ishte mbyllur në zyrën e tij si dikur Maxharr Pasha në kullën e Abdullah Drenit. Gjakrat ishin nxehur, gjendja vinte duke u përshkallëzuar dhe përleshja fizike ishte gati e paevitueshme. Ne që ishim më te rinj po ndiheshim shumë krenarë që dikush po ia tregonte grushtin atij pushteti. Më në fund policia u dorëzua përpara forcës së popullit dhe e lejoi mbajtjen e koncertit. Pastaj të gjithë u nisëm drejt shtëpisë së kulturës. As artistët dibranë nuk ishin larguar, por gjatë gjithë asaj kohe ata kishin qëndruar në sallë. Në këtë atmosferë të tensionuar u mbajt koncerti. Kjo e shtoi edhe më shumë entuziazmin tonë dhe të gjitha këngët e vallet shoqëroheshin me duartrokitje të zjarrta e të pandërprera, sidomos këngët për heronjtë tanë: Skendeerbeun, Bajram Currin, etj. Edhe përkundër situatës së acaruar koncerti kaloi për bukuri. Siç duket ajo përballje me policinë kishte i frymëzuar, entuziazmuar  edhe më tepër artistët dibranë si dhe publikun. Të gjithë artistët dibranë u paraqitën me një mjeshtëri artistike të lakmueshme. U dalluan sidomos këngëtarët Sulejman Borova e Violeta Turkeshi. Për fat të keq emrat e disa të tjerëve nuk po më kujtohen tani. Këtë ngjarje të atij viti të largët 1968 e përmend edhe këngëtari i mirënjohur, Sulejman Borova, në kujtimet e tij si diçka të veçantë që i ka bërë përshtypje dhe i ka mbetur për të mirë në kujtesën e tij. Diçka e ngjashme u kishte ndodhur artistëve dibranë edhe në koncertin që e kishin dhënë në Gllogoc (tani Drenas) të Drenicës.

Ngritja e flamurit Kuq e Zi në Suharekë/Therandë në vitin 1968

Për flamurin tonë e kam bërë një shkrim që është botuar kohë më parë, prandaj këtu nuk ka nevojë të përsëriten ato që kam shkruar, por vetëm dua të ritheksoj se, për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamur ynë. Flamuri ynë rrezaton një forcë magjike e të padukshme që i mban së bashku të gjithë shqiptarët kudo që janë në botë. Këtë forcë e kam ndier, e kam përjetuar edhe vetë që në moshë të njomë. Në femijërinë time, në Kosovë flamuri ynë ishte i ndaluar. Nga rrëfimet e më të vjetërve, prindërve tanë,  kishim dëgjuar sesi dukej flamuri ynë, e kishim parë ndonjëherë edhe nëpër librat e ndaluara, por kurrë nuk e kishim parë një flamur të vërtetë të shpalosur e duke u valvitur para syve tanë. Por, një ditë nëntori të vitit 1968 në qytetin tim te Suharekës (Therandës), nxënësit e gjimnazit dhe normalistët e paraleles së ndarë të Normales së Prizrenit kishin organizuar një parakalim, një demonstratë të fuqishme dhe ne ballë u printe flamuri ynë Kuq e Zi, që ishte qëndisur fshehurazi. Demonstrata ishte organizuar nga Haxhi Bajraktari, atëherë student i Universitetit të Prishtinës, ndërsa flamurin me duart e ngitura lart e mbante gjimnazisti Osman Gega. Haxhiu e kishte siguruar edhe flamurin. Atë ditë ishte ditë e martë, ditë tregu në Suharekë/Therandë, kështu që radhës së nxënësve iu bashkangjitën edhe shumë qytetarë, nxënës të shkollës fillore, etj. Policia u mundua t’i ndalonte, por nuk ia doli dot. Flamurin pastaj e vendosën në një shtyllë elektrike dhe që nga ajo ditë flamuri ynë u valvit i lirë në qytetin tonë dhe në tërë Kosovën. Ishte ajo ngjarja më e shënuar, dita me e lavdishme në jetën e qytetit tonë dhe është ngulitur thellë në qenjen dhe kujtesën time. Ishte ajo ngjarje, ishte ai flamur që edhe neve femijëve na bëri burrë para kohe, na ngjalli krenarinë kombëtare, na shtoi e na thelloi edhe më tepër dashurinë për Shqipërinë, kombin, historinë tonë. Na shporri frikën dhe na mbolli guximin në zemrën tona të njoma. Flamuri ynë është flamur që të trimëron, të jep zemër, të jep guxim, të jep shpresë. Atë ditë nuk valvitej një copë pëlhurë, por valvitej Shqipëria, shqiptarizmi, krenaria jonë kombëtare. Po, ai flamur ishte vetë Shqipëria! Dhe atë ditë së bashku me gjimnazistët, normalistët dhe qytetarët e Suharekës/Therandës po marshonin edhe bijat e bijtë më të mirë të kombit tonë, fytyrat më të ndritura të kombit tonë. Shqiptarët tani ishin zgjuar nga gjumi i thellë, e kishin shporrur frikën, përbuzjen shekullore, i kishin ringjallur energjitë e tyre të fjetura. Vetëm disa ditë më vonë u zhvilluan protesta e demonstrata edhe në shumë qytete të Kosovëse që kulmuan me demonstratat e fuqishme në Prishtinë të udhëhequra nga studentët e Universitetit të Prishtinës. Valët e pakënaqësisë me pushtetin jugosllav po shpeshtoheshin e po rriteshin dita – ditës. Lëvizja për lirinë e Kosovës tani kishte marrë hov dhe flamuri ynë na printe drejt cakut, qëllimit tonë përfundimtar – pavarësisë së Kosovës. Pas shumë përpjekjeve të pandërprera në vitet në vazhdim, luftës çlirimtare të popullit tonë dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, më në fund ajo ditë e shumëpritur, ajo ditë e bekuar arriti më 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur – plot dyzet vite pas Vitit të Madh, 1968.

Ishin ato kohëra të rënda, të vështira, por edhe krenare e të lavdishme. Këto dy ngjarje më janë ngulitur thellë në kujtesën tme, kanë ngelur ora më e mirë e mësimit të historisë sonë kombëtare. Ndoshta sot dikujt këto ngjarje u duken jo si diçka të jashtëzakonshme, por për atë kohë ishin punë e madhe. Ishin ngjarjet e tilla që e hidhnin farën e pakënaqësise, e ngrisnin ndërgjegje kombëtare, e forconin qëndresën tonë kundër regjimit jugosllav.

Philadelphia, më 27 prill, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtat i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Comment

*