Gjykata e Lartë e la në burg ish-MB Tahiri pa ia pezulluar dënimin

Ish-ministri i Brendshëm, Tahiri është duke vuajtur dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, pra në burgun e Fierit

Knid Ndrenika

Gjykata e Lartë e Shqipërisë e rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për t’ia pezulluar dënimin me burg.

Ish-ministri i Brendshëm më jetëgjatë i Shqipërisë, u akuzua për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove ndërsa Prokuroria e Posaçme SPAK këkori 12 vjet heqje lirie.

Zoti Tahiri u dënua nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me 3 vjet dhe 4 muaj burg për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në kuadër të grupit të narkotrafikut ndërkombëtar me kushërinjtë e tij Habilaj.

Në njoftim thuhet se Gjykata e Lartë vendosi “Mospranimin e kërkesës së kërkuesit Saimir Tahiri, për pezullimin e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim, dhënë me vendimin nr. 3 datë 04.02.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Ish-ministri i Brendshëm, Tahiri është duke vuajtur dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, pra në burgun e Fierit.

Ish-ministri i Brendshëm u përmend nga hetimet e antimafias italiane në 2017 kundër narkotrafikantëve Habilaj për marihuanë dhe armë.