Gjykata Kushtetuese rikthen në shqyrtim zgjedhjet e 30 qershorit

Tiranë, 19 tetor 2021 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rikthyer shqyrtimin e çështjes të zgjedhjeve të 30 qershorit, menjëherë pas opinionit të marrë nga Komisioni i Venecias.

“Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes”, thuhet në vendim.

Seanca do të zhvillohet me datë 2 nëntor, në orën 10:00.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet lokale duke mos marrë pjesë në garë në asnjë prej 61 bashkive të vendit.

Pasi përfundoi procesi zgjedhor, opozita, konkretisht kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.

Gjykata Kushtetuese do të kalojë në shqyrtim edhe një çështje tjetër, që lidhet konkretisht me “verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

VENDIMI

Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim çështja nr. 7 (S) 2019 e Regjistrit Themeltar me kërkuese Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, subjekte të interesuara, Presidentin e Republikës, Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Avokatin e Popullit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partinë Bindja Demokratike dhe me objekt:

  1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
  2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.”.

Si është njoftuar më parë, në seancën plenare publike të datës 23.06.2021, Gjykata, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577/2000, ka vendosur të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë amicus curia nga Komisioni i Venecies.

Në datën 18.10.2021, ora 15:54, në rrugë elektronike, Komisioni i Venecies i ka dërguar Gjykatës Opinionin amicus curiae “Mbi kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të zhvilluara në datën 30 qershor 2019” (në gjuhën angleze dhe franceze), i miratuar në Sesionin e 128-të të tij, datë 15-16 tetor 2021 (Dokumenti CDL-AD(2021)026).

Për sa më sipër, Gjykata e mbledhur menjëherë vlerësoi se duhet të rihapet seanca plenare publike, pasi me ardhjen e Opinionit amicus curiae ka rënë shkaku i masës së pezullimit të shqyrtimit të çështjes.

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese,

V E N D O S I:

– Konstatimin e rënies së shkakut të masës së pezullimit të çështjes nr. 7 (S) 2019 të Regjistrit Themeltar.

– Rihapjen e seancës plenare dhe caktimin e saj në datën 02.11.2021, ora 10:00.

– Njoftimin e pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues për datën e zhvillimit të seancës plenare.

– Dërgimin menjëherë të një kopjeje të opinionit zyrtar amicus curia pjesëmarrësve në gjykimin kushtetues.

(Top Channel)