Gjykata shpall të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjen e katër protestuesve opozitarë

Përfundon procesi gjyqësor në shkallën e parë për ngjarjet e 21 janarit 2011 – Sipas Gjykatës së Tiranës, prokuroria nuk provoi dot që vrasjet e katër protestuesve opozitarë u kryen me dashje – Familjarët dhe opozita reagojnë me ashpërsi

 

Denion Ndrenika

Gjykata e Tiranës shpalli “të pafajshëm” tre persona të akuzuar për vrasjen në ngjarjen e 21 Janarit 2011 të katër protestuesve opozitarë Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Vendimi i gjykatës u prit me tension në rritje, përveç me këndvështrimeve të ndryshme. Familjarët të viktimës Myrtaj paralajmëruan hakmarrje.
Kryetari i Trupit Gjykues, Besnik Hoxha në vendimin e shpallur tha se provat e Prokurorisë së Përgjithshme nuk u vërtetuan.
Sipas Gjykatës së Tiranës, nuk pati prova që vrasjet e katër protestuesve opozitarë të ishin kryer me dashje. Por, Gjykata e Tiranës nuk tha as nëse ishin shkelur apo jo ligjet “pa dashje”, për të shqyrtuar nëse do të kishte hapësirë, edhe në këtë dyshim të parathënë. Prokuroria e Përgjithshme i akuzoi të tre personat për “vrasje me dashje në rrethana cilësuese”. Të akuzuar ishin ish-Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, ish-efektivi i Gardës së Republikës, Agim Llupo dhe ish-shoferi i Komandantit Prendi, Margarit Kume, gjithashtu efektiv gardist. Sipas gjykatësit Hoxha “gjatë hetimeve nuk është provuar që dy të pandehurit kanë realizuar këtë vepër penale me dashje, por kanë qenë në zbatim të ligjit për mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë”. Mbështetur mbi këtë gjykim, Trupi Gjykues vendosi lirimin e menjëhershëm të të akuzuarve Prendi, Llupo dhe Kume. Vendimi i gjykatës i hoqi gjithashtu të akuzuarit Prendi edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Sipas gjykatës, Prendi dhe Llupo kryen detyrën duke mbrojtur institucionet, referuar sulmit të protestuesve të Partisë Socialiste kundër selisë së qeverisë. Gjykatësi Hoxha arsyetoi se kishte marrë për ngjashmëri në dhënien e vendimit një rast të ndodhur disa kohë më parë në Itali, por me vendim të Gjykatës së Strasburgut. Në vitin 2001 në Xhenova të Italisë një polic vrau një protestues kundër takimit të Grupit të të 8-e, njohur si “G-8” dhe që më pas fitoi pafajësinë.

Avokatët: Vendimi tregoi se institucionet nuk preken

Gjykata e Tiranës e shqyrtoi çështjen në 41 seanca. Pas rrëzimit të padisë për fajësi të të pandehurve nga gjykata, avokatët e mirëpritën vendimin. Avokati Genc Gjokutaj tha se ishte “i kënaqur” që siç u shpreh “vendimi tregoi se në Shqipëri nuk preken institucionet: “Kjo është kënaqësi profesionale që gjykata shqiptare po ecën në sinkron në gjurmën e të drejtave të njeriut me Gjykatën e Strasburgut.
Sipas avokatit Gjokutaj, vendimi nuk lë vend për asnjë koment: “Drejtësia foli. Eshtë një ditë vërtet e madhe, jo personalisht për gjeneral Ndrea Prendin, por është një ditë e madhe, e cila shënoi që përfundimisht në Shqipëri nuk preken institucionet”.
Por, avokati theksoi se me fitimin e pafajsisë, i hapet rruga kërkesës për dëmshpërblim nga klienti i tij Ndrea Prendi. Logjikën e gjykatës, vendimin e së cilës e quajti “të drejtë”, e përdori gjithashtu avokati Gjokutaj kur tha se “komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo ishin në mbrojtje të institucioneve”.
Kurse avokati i ish-gardisit Llupo, Besnik Çerekja tha se “vendimi nuk ka nevojë për koment: “Ajo që unë shpresoj dhe besoj që ky të jetë një gur themeli i atij muri të lartë që drejtësia me reformat e saj duhet të ndërtojë”.

Prokuroria nuk tregon nëse do të apelojë

Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar 23 vjet burg për Prendin dhe 25 për Llupon. Por, prokurorët nuk bënë komente të gjera pas vendimit. Mirëpo, zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, Albi Serani i tha mediave se “Prokuroria do të presë vendimin e zbardhur të Gjykatës”, që duhet të bëhet sipas ligjit brenda 10 ditësh dhe mandej “do të vendoste për hapat që do të ndiqeshin”.
Palët kanë të drejtë ligjore, në këtë rast Prokuoria e Përgjithshme, që të ankohet për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, në Gjykatën e Apelit.
Në seancë ishte edhe një përfaqësues i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili nuk bëri asnjë koment. Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar dhe marrë ndihmën e Agjencisë Federale të Hetimit në SHBA, përkatësisht FBI-së për të ekzaminuar elementët e ngjarjes, përfshi predhat (plumbat) e lëshuar, disa prej të cilëve nga arma e të pandehurit që fitoi pafajësinë, Ndrea Prendi.
Prokurorët mbanin si prova të shtënat drejtëpërdrejt ndaj protestuesve, shkelje të ligjeve, rregulloreve ushtarake dhe ndërrimin e tytës së armës pistoletë të Prendit nga shoferi i tij Kume. Ish-i pandehuri Kume ishte lehtësuar më parë nga akuzat prej prokurorisë.

Familjarët: Na i vranë për herë të dytë

Vendimi gjykatës për pafajësinë e Prendit, Llupos dhe Kumes u prit me tensione nga familjarët e viktimave. Ata thanë se drejtësia kishte marrë fund dhe se i vrau për herë të dytë viktimat. Dy prej familjarëve, i biri i Faik Myrtajt, Renato Myrtaj, deklaroi për televizionin “News 24” në Fier se e priste vendimin, ndërsa theksoi se tani i hapej rruga hakmarrjes, pasi kujtoi se “tradita e vjetër thotë që gjaku lahet me gjak” dhe jo sikurse shtoi “me lek siç është mësuar zoti kryeministër”. Ai shtoi gjithashtu se “me këtë vendim ndihemi të varrosur për së gjalli”.
“Vendimi ishte diçka që e prisja, se përderisa kryeministri dha urdhër të vriteshin katër vetë, normalisht që më vonë do t’i mbulonte. Por zoti kryeministër nuk ka marrë një gjë parasysh, ndoshta çdo gjë i mbulon mirë me gjykatën dhe me njerëzit e tij por nuk ka mbuluar një diçka akoma. Me fiset e këtyre personave cdo bëjë? Do t’i zhduki të tërë? Mirë mua mund të më zhdukë se unë një jam, po fisit tim çdo t’i bëjë? Se tradita e vjetër thotë që gjaku lahet me gjak dhe jo me lek sic është mësuar zoti kryeministër. Ç’lidhje kemi ne më drejtësinë, Me kërtë kryeministër që kemi ne s’mund të ketë drejtësi”, – tha i biri i viktimës Faik Myrtaj, Renato.
Ngjashëm foli për hakmarrje dhe familja e Ziver Veizit nga Gjirokastra. I vëllai Çaush Veizi tha se “do të shkojmë drejt vetëgjyqësisë”, ndonëse theksoi se “do ta kërkojë drejtësinë, por kjo nuk mund të ndodhë gjatë kësaj qeverisjeje”.
“Ne nuk është se prisnim ndonjë çudi nga kjo qeveri, por jo dhe një dënim të tillë. Të më vrasin vëllain me duar në xhepa në trotuar, nuk e fal. Kjo gjë na shpie që të kërkojmë vetëgjykim. Do ankohemi në çdo vend, kudo që të gjejmë prova, por jo sot se nuk shohim drejtësi. Do vijë një ditë që gjërat do marrin rrugën e tyre”, – u citua ai nga agjensia e lajmeve “balkanweb”.

Berisha: Nuk komentoj vendimet e gjykatave

Kryeministri Sali Berisha tha shkurtimisht se “nuk komentonte vendimin e gjykatës”, kur u pyet mbi çështjen.
“Sot jam këtu për një tjetër çështje. Sot dhe asnjëherë tjetër nuk do të më gjeni mua, të komentoj vendime gjykatash. Ky është qëndrimi im i prerë. Ky është një vend që ka sistemin e drejtësisë, sistemin e akuzës. As edhe një koment, zotërinj nëse keni pyetje për çështjen, që jam sot para jush”-tha kryeministri. Zoti Berisha foli në një konferencë të posaçme për gazetarë mbi “nismën më të re të qeverisë, e cila do të jetë heqja e TVSH-së për çdo vegël, pajisje, makineri, traktor, kombajnë, çfarëdo që të jenë ato, të cilat kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, pemëtarinë, bletarinë, agrobiznesin, përpunimin ushqimor”.

Rama: Vendimi, një turp për shoqërinë tonë

Kurse, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e priti me keqardhje të madhe vendimin e gjykatës.
“Kryeministri i ka kthyer gjykatësit në gardistë togëzinj që e pushkatojnë drejtësinë në publik njësoj si garda 4 dëshmorët e 21 janarit. Pafajësia e vrasësve i duhet më shumë atij që pas 23 qershorit do jetë thjesht kryetari i Partisë Demokratike. Sot nuk pati gjykim por vetëm një përfaqësim mes vrasësve të drejtësisë dhe vrasësve të 4 protestuesve. Edhe pse ishte krimi më barbar në Shqipëri pas komunizmit, vendimi i sotëm është më barbari”-tha zoti Rama.
Kryetari socialist theksoi se “për këtë ngjarje nuk u mor vendim, pasi drejtësia nuk vihet në vend me vendime të padrejta”. Zoti Rama doli posaçërisht përpara gazetarëve për të shprehur qëndrimin mbi vendimin e gjykatës, ndërsa premtoi se pas zgjedhjeve të 23 qershorit, procesi do të bëhet me drejtësi, pasi PS të marrë qeverisjen e vendit: “Familjet e 4 dëshmorëve të 21 janarit nuk duhet ta vuajnë sot përfundimin e një gjyqi që në të vërtetë ende nuk ka filluar. Siguroj se 21 janari është nga ato ngjarje që nuk harrohen pa u gjykuar drejtësisht dhe nuk mbyllen me gjykim të padrejtë. Pas 23 qershorit, do të nisë një proces publik për kreun e PD-së”.
Zoti Rama vërejti se vendimi “nuk është turp nga vrasësit e drejtësisë”, por siç tha “ky është një turp për shoqërinë tonë, është përgjegjësia jonë historike si shoqëri”: “Kjo është përgjegjësi që duhet ta ndjejë çdo prind, çdo i ri dhe e re në këtë vend, çdo socialist apo demokrat që ka respekt për veten. Çdo mik ndërkombëtar që u angazhua për 21 Janarin, besoj se ndjehet më afër një shteti ku ligjet nuk vlejnë asnjë grosh dhe kultura e pandëshkueshmërisë bën ligjin”-tha zoti Rama.

Comment

*