Gjykata Speciale: Procesi gjyqësor ndaj Sali Mustafës nis më 15 shtator

Hagë, 18 qershor 2021 – Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, e ka caktuar 15 shtatorin si datë për nisjen e procesit gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Në një njoftim të kësaj gjykate, të publikuar të premten në mbrëmje, bëhet e ditur se Prokurori i Specializuar do të ketë në dispozicion tri orë për deklaratën e tij hyrëse kurse përfaqësuesja e viktimave një orë e gjysmë.

Trupi gjykues vendosi që dy dëshmitarët e parë të thirrur nga Prokurori i Specializuar të dëgjohen midis 20 e 28 shtator 2021.

Kjo është çështja e parë që do të gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, është personi i parë që është akuzuar e që do të gjykohet për akuzat për krime lufte para Gjykatës në Hagë.

Ai akuzohet për krime lufte dhe për krimekundë njerëzimit, të kryera në prill të vitit 1999, në një qendër ndalimi të UÇK-së në Zllash, afër Prishtinës.

Prokurori i Specializuar ka ngritur aktakuzë për krime lufte dge për krime kundër njerëzimit edhe ndaj pesë ish-drejtuesve dh eish-ojesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimi dhe Pjetër Shala.

Aktakuza janë ngritur edhe kundër kryetarit dhe nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati Nasim Haradinaj. Ata akuzohen për publikimin e dokumenteve konfidenciale që kanë rrjedhë nga Gjykata Speciale.

Të gjithë të akuzuarit ndodhen në paraburgim në njësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykata i ka refuzuar të gjitha kërkesat e avokatëve të tyre për lirim nga paraburgimi.

(r.m.)