Gjykata Speciale sot shpall vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

Hagë, 18 maj 2022 – Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin vendimin më 18 maj për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në seancë po marrin pjesë Gucati dhe Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gjykatësi Charles Smith III, tha se ky rast tregon më së miri arsyen se pse është krijuar Gjykata Speciale.

Ai tha se mbrojtja e dëshmitarëve është e rëndësishme, pasi pa ta, “nuk mund të ketë drejtësi për viktimat, apo për shoqërinë në përgjithshmi. Veprimet e të akuzuarve rrezikuan në themel këto”.

Ai tha se trupi gjykues është bindur se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur synim të drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara.

“Megjithatë, trupi gjykues nuk është bindur se pamundësuan apo penguan shumë hetimet e ZPS-së”, tha gjykatësi.

Me zbulimin e emrave të dëshmitarëve, por edhe me deklaratat e tyre, tha gjykatësi, Gucati dhe Haradinaj, kanë shkaktuar kërcënim të rëndë me synim që të frikësonin dëshmitarëve.

Ndërkaq, sa i përket akuzës se me veprimet e tyre, të akuzuarit kanë dashur të hakmerren, gjykatësi tha se ZPS-ja ka dështuar që të vërtetojë se është kryer kjo vepër penale.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

(REL)