Gjykata Supreme: Aborti nuk është më një e drejtë kushtetuese për amerikanët

Ligji në Mississippi që ndalon abortin pas 15 javësh hap rrugën për kufizime të ngjashme të procedurësh kirurgjike që mundëson ndërprerjen e shtatzanisë

Nga Ruben Avxhiu

Një nga betejat më të ashpra ligjore, ideologjike, kulturore, dhe sociale në Shtetet e Bashkuara ka përfunduar me fitoren e konservatorëve. E drejta e abortit nuk është më e garantuar në gjithë vendin, por do të jetë subjekt i ligjeve të çdo shteti.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme amerikane i jep fund 49 vjet mbretërimi të vizionit liberal në këtë çështje. Në vitin 1973, çështja Roe kundër Wade ishte mbyllur me një vendim sipas të cilit gratë amerikane kishin të drejtën të zgjidhnin nëse donin ta vazhdonin shtatzaninë deri në lindje ose jo.

Sot, në çështjen e Dobbs kundër Organizatit të Shëndetit të Grave në Jackson Gjykata Supreme e shpalli të vlefshëm dhe kushtetues një ligj në Mississippi që ndalon të gjitha abortet pas javës së 15 të shtatazanisë.

Një vendim i tillë nuk vjen fare papritur. Konservatorët kanë pasur shumë fat në vitet e fundit. Presidenti Donald Trump si rrallë ndonjë president në histori pati fatin që të emëronte tre anëtarë të rinj në Gjykatën Supreme. Nga nëntë karrige që ka trupi më i lartë juridik në SHBA, një vend ishte i zbrazët në 2016 se Republikanët e kishin bllokuar procesin në Senat, një u hap në 2018 kur Gjykatësi Anthony Kennedy doli në pension, dhe një i tretë ku Gjykatësja . Ruth Bader Ginsburg vdiq në 2020.

Që atëhere, peshorja ideologjike në Gjykatën Supreme, i vetmi institucion në SHBA ku anëtarët zgjidhen përjetë, është për  herë të parë në gjysëm shekulli, në favor të konservatorëve, madje me raportin e thellë 6-3.

Vendimi i sotëm nuk e ndalon abortin si shprehen një numër i madh komentuesish të kësaj ngjarjeje. Ai thjesht e heq këtë të drejtë nga plani federal dhe e vendos në dorën e çdo shteti. Asgjë nuk do të ndryshojë në shtetet me shumicë liberale, mirëpo, aty ku ka shumicë të thellë konservatore, sidomos me ndikim të madh fetar, është e pritshme që ligjet të ndryshojnë.

Edhe ligji aktual në Mississippi i shpallur si në përputhje me Kushtetutën nga Gjykata Supreme sot, përsëri e lejon ndërprerjen e shtatzanisë në këtë shtet konservator. Mirëpo, ligji vjen me kuptimin se 15 javë duhet t’i mjaftojë një gruaje për tyë vendosur nëse duhet ta mbajë fëmijën ose jo.

Precedenti nga ana tjetër mund të hapë rrugën për versione ligjesh shumë më kufizuese që në fund mund të përjashtojnë gruan nga vendimi.

Të paktën 26 shtete në SHBA kanë që tani të aprovuara ligje që e ndalojnë pjesërisht e disa gati plotësisht abortin, por që nuk mund të aktivizoheshin për shkak të vendimit nga Gjykata Supreme e viti 1973.

Një hartë e shteteve me legjislacione të gatshme jepet këtu më poshtë:

Në realitet, ashtu si për disa dukuri të tjera sociale, aborti nuk ndalohet dot plotësisht. Historia tregon se ajo që ndodh është se praktika kalon nga institucionet e ligjshme në ilegalitet, me pasoja të rreziqe të mëdha shëndetësore, me përfitime nga krimi, e me përkeqësim të jetës së qytetarëve.

Një tjetër këndvështrim është se ata që ndëshkohen gjithmonë janë të varfërit. Të pasurit kanë gjithmonë mundësi të kryejnë aborte, duke udhëtuar aty ku lejohen e duke përdorur mjetet ekonomike. Jeta e familjeve të pasura gjithashtu nuk kthehet përmbys nga shtimi i një fëmije të papritur si mund të ndodhë në miliona familje që jetojnë nën pragun e varfërisë.

Disa vëzhgues mendojnë se ndalimet e abortit pa një angazhim më social të shtetit në ndihmë të nënës dhe fëmijës, apo të familjes nuk kanë kuptim.

Për liberalët kjo temë është themelore për të drejtat e njeriut. Një grua duhet të gëzojë sovranitet mbi trupin e saj. Ajo është njeri dhe si njeri duhet të ketë të drejtën të vendosë nëse do që të bëhet nënë ose jo. Kjo nuk mund të vendoset nga bashkëshorti, familja, shoqëria, shteti etj.

Për konservatorët, sidomos ata fetarë, çdo jetë është dhuratë nga Zoti. Trupi është i gruas, por trupi i fëmijës në barkun e saj nuk është i saji. Sipas këtij vizioni çdo abort është vrasje e fëmijës. Sipas tyre liberalët kanë zgjedhur të mbrojnë njërin trup në dëm të një tjetri.

Por a është embrioni fëmijë, apo njeri? Debati këtu fillon bëhet pak më absurd por aty disa shohin edhe mundësitë e kompromisit. Në vendimin për ta lejuar abortin në javën e 15 nënkupton se në 15 javët e para, embrioni nuk është aq i formuar sa për t’u konsideruar ligjërisht e teknikisht qënie njerëzore. Nuk ka zhvillim të trurit dhe të autonomisë. Në numrin e javëve mund të gjendet një pikë e përbashkët.

Debati do të përfshijë edhe nevojën dhe kufizimet për përjashtime në rastet e përdhunimeve, lindjeve të vështira që mund të rrezikojnë jetën e nënës, e raste të ndryshme që jo gjithmonë gjëjnë mirëkuptimin e të dy palëve.    

Ky vendim nuk e mbyll debatin dhe betejën politike. Ai vetëm sa do ta fusë në një kapitull të ri. Nga pikëpamja strategjike elektorale demokratët mund të përfitojnë nga mobilizimi i liberalëve të inatosur nga ky vendim, ashtu si kanë përfituar republikanët për disa dekada.

Disa konstitucionalistë, kryesisht nga e djathta, kanë argumentuar prej vitesh se Kushtetuta kërkon që ligjet e vendit të dalin nga Kongresi dhe jo nga vendimet e gjykatave. Demokratët kanë pasur disa herë në këto 50 vjet shumicën në të dy dhomat e Kongresit si dhe presidentin në Shtëpinë e Bardhë, por nuk janë lodhur ta nxjerrin një ligj federal që lejon abortin në mbarë vendin. Kritikët nga krahu i majtë gjithashtu prej kohësh kanë paralajmëruar se ishte e papërgjegjshme që demokratët vepronin sikur Gjykata Supreme do të ishte gjithmonë liberale.

Sot, kur ajo që pritej ka ndodhur dhe është bërë realitet, ka një numër nismash ligjore për ta prodhuar një ligj të tillë. Në fund të fundit, pikërisht në këtë kohë demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe mund ta arrijnë një shumicë të vështirë në Senat. Të paktën një ose dy republikanë mund të fitohen nëse ndonjë demokrat i rrallë konservator nuk e pranon ligjin e abortit. Demokratët kanë kohë deri në nëntor, kur të paktën deri tani anketimet favorizojnë Republikanët.