Gjykata Supreme rikthen masën e pezullimit të punës së hidrocentralit në Brezovicë

Prishtinë, 29 nëntor 2021 – Gjykata Supreme e ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentralit në Brezovicë, ka njoftuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Sipas GLPS, Gjykata ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës.

“Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare”, thuhet në njoftim.

GLPS thotw se Gjykata Supreme ka gjetur se paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm dhe se se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik.

“Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Shtërpcës!  Sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça”, thuhet në njoftim.

Sipas GLSP-së, lejet dhe aktet e tjera të ministrisë janë dhënë në shkelje flagrante të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të marrë pjesë në vendimet për mjedisin ku jetojnë, sepse, siç deklarojnë qytetarët e Shtërpcës, ata nuk janë njoftuar sipas ligjit se do të zhvillohet debat publik për kaskadën e hidrocentraleve në Shtërpcë.

“Po ashtu, e drejta për shfrytëzim të ujit është dhënë pa koncesion, apo pa partneritet publiko– privat, edhe pse kjo gjë obligohet me ligj në mënyrë që edhe shteti i Kosovës të përfitojë të hyra nga shfrytëzimi i ujit! Kundër ligjit, Ministria ka lëshuar leje ujore ku vetëm kompania private do të përfitonte – gjë e konfirmuar tashmë edhe nga Raporti i vetë Ministrisë. Pastaj, lejet janë lëshuar pa u bërë kurrfar studimi i prurjes së pranueshme ekologjike, pa instalim të pajisjeve matëse, pastaj raporti i VNM-së (vlerësimit të ndikimit në mjedis) ka qenë tejet i dobët dhe joreal, si dhe shumica e ndërtimeve janë bërë buzë lumit, në kundërshtim me ligjin”, thekson GLPS.

(r.m.)

Comment

*