Gjykatat: Pas 21 Janarit, “falet” edhe Gërdeci

Mundësi rishkimi edhe të rolit të Prokurorisë së Përgjithshme – Gjykata e Apelit uli 1/3 e dënimit për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit, që shkaktoi vdekjen e 26 personave

 

Denion Ndrenika

Dy ndër ngjarjet më të rënda në Shqipërinë e pasvitit 1997, tragjedia e Gërdecit të 15 marsit 2008 dhe 21 Janari 2011, u përfshinë në qerthullin e vendimeve të gjykatave, moszbardhjeve si çështje, ndikimin ose jo të politikës dhe punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Debatet u nxitën sëtepërmi dhjetë ditët e fundit pas të akuzuarit për të dy ngjarjet u shpallën të pafajshëm ose morën dënime më të ulëta nga gjykata në procese të zhvilluar ndarazi prej shumë e shumë muajsh.

Gërdeci

Gjykata e Apelit në Tiranë uli dënimin për të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit, që shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e mbi 300 të tjerëve, dëmtimin e mbi 4 mijë objekteve dhe miliona dollarë humbje financiare nga shpërthimi në punishten e sajuar të çmontimit të municionit. Vendimi i mesjavës u shoqërua me kritika të thella nga familjarët e viktima, ekspertë dhe politikanë opozitarë, pasi të pandehurit sipas tyre, nuk u dënuan siç pritej apo siç duhej. “Zamira Durda, nëna e vogëlushit Edison Durda që humbi jetën në tragjedi, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar këtë vendim si skandal, pasi ka lehtësuar masën për disa prej të pandehurve”-raportoi media.
Ish-drejtori i shoqërisë shtetërore të tregtimit të armatimit dhe municionit në varësi të ministrisë së Mbrojtjes, “MEICO”, Ylli Pinari, pronari i kompanisë së çmontimit “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji dhe drejtori i Fabrikës së Demontimit, Dritan Minxolli përfituan 1/3 ulje të viteve të dënimit. Pinari, Delijorgji dhe Minxolli ishin mes 29 të pandehurve sikurse edhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, i cili qëndron në SHBA, por pa ndonjë adresë të saktë, sikurse raportohet shpesh në Tiranë. Trupi Gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Alaudin Malaj dhe i përbërë nga gjykatësit Gent Shala dhe Shkëlqim Miri, nuk e ndryshoi vendimin e e Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë për të pandehurit, ndonëse bëri disa ndryshime. Vendimi që ka formën e prerë dënoi me 15 vjet burg Pinarin (u dënua me 18 vjet nga Gjykata e Shkallës së Parë), i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 10 vjet. Po për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi gjithashtu 1/3 ulje të dënimit Delijorgji dhe Minxolli që ishin dënuar me nga 10 vjet burg.
“Gjykata e Apelit sakaq, shpalli fajtor gjeneralin Zija Bahja, i cili është ndër të paktët ushtarakë që është dënuar për ngjarjen tragjike të Gërdecit. Bahja, nga i pafajshëm që ishte shpallur në Gjykatën e Shkallës së Parë, është dënuar me 8 vite burg, por nuk do të qëndrojë në qeli, pasi vendimi për të është pezulluar. Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë ka mbetur në fuqi vendimi i Shkallës së Parë. Konkretisht, Apeli la në fuqi vendimin për pafajësinë e gjeneralit Agim Lala, Ardian Mullai i pafajshëm, Sokol Ngjeci 10 vite burg, Shkëlzen Madani 3 vite burg, Dashnor Caushi 3 vite burg, Armand Tartari 1 vit burg, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha me 6 vite burg. Në fakt Luan Hoxha prej kohësh është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe flitet se do të kërkojë azil politik atje”-u raportua për vendimin e Gjykatës së Apelit. Vendimi sekuestroi gjithashtu pasuritë e Delijorgjit.

21 Janari

Gjyqësori u vu nën shenjestër edhe për vendimin e 21 Janarit, kur nga protesta e dhunshme e opozitës ndaj selisë së qeverisë humbën jetën 4 persona. Gjykata e Tiranës po të mërkurën, 13 shkurt, zbardhi vendimin e javës së kaluar, që i dha pafajësinë ish-Komandanti të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe ish-gardistit Agim Llupo që akuzoheshin për vrasjen e protestuesve Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks NIka. Vendimi komentohet disi ironik, pasi gjykatësit pranojnë se ka pasur vrasje, pa dashje, por se për të dhënë pafajësinë ka ndihmuar pikërisht ekspertiza e laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit në SHBA, FBI-së.
Trupi Gjykues me gjykatësit Besnik Hoxha (kryetar), Ardiana Bera dhe Arjano Caco (antare) argumentuan ligjërisht rrëzimin e akuzës së prokurorisë për vrasje në rrethana cilësuese të Prendit dhe Llupos.
“Prokuroria nuk ka zhvilluar hetime në drejtim të intensitetit dhe sulmit të protestuesve në 21 janar, në raport me veprimet e të pandehurve që kanë qenë në detyrë. Në argumentet e gjykatës, e cila i referohet nenit 14 te Kodit Penal, askush nuk mund të dënohet për një veprim ose mosveprim të parashikuar nga ligji si vepër penale në qoftë se vepra nuk është kryer me faj. Me faj, sipas gjykatës, quhet personi që kryen veprën me dashje ose pakujdesi”-citohet vendimi i gjykatës. Po ashtu vendimi saktëson se “Prendi ndodhej në vendngjarje për shkak të detyrës dhe jo si person civil apo i motivuar nga motive personale”, siç theksonte prokuroria. “Gjykata çmon të pabazuar gjithashtu akuzën ndaj Prendit, se ai ka patur objektiv për të vrarë të ndjerin Faik Myrtaj. Pra nuk është arritur të provohet, sipas gjykatës, akuza e vrasjes në rrethana cilësuese”. Për rastin e ish-gardistit Llupo, Gjykata e Tiranës iu referua dëshmive gjatë procesit, që po sipas Gjykatës, vërtetojnë se “Hekuran Deda gjeti vdekjen kur kanë qenë shumë efektivë të Gardës që po qëllonin me armë zjarri dhe është e pamundur të identifikohet dhe të provohet se ka qenë Agim Llupo që ka qëlluar të ndjerin”. Gjithashtu sipas vendimit, “krijohet bindja se Ziver Veizi u vra me plumb rikoshet duke marrë me rezerva akt-ekspertimin e Dritan Zotos ekspert i caktuar nga prokuroria”.
Trupi Gjykues tha se për vendimin ishte mbështetur në një rast të ngjashëm të vitit 2001, kur një polic italain kishte vrarë një protestues kundër samitit të G-8 që po mbahej në Xhenova.
Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar 23 vjet burg për Prendin dhe 25 për Llupon. Prokuroria e Përgjithshme ka thënë sakaq se sapo të merrte vendimin e zbardhur do ta apelonte çështjen. SHBA dhe BE shprehën trishtin dhe zhgënjim të thellë për vendimin e gjykatës. Ambasada amerikane në Tiranë u përfshi në replika me Gjykatën e Tiranës, sipas së cilës selia diplomatike po ndërhynte në vendime të pavarura.

Prokuroria

Në një kohë kur Prokuroria e Përgjithshme përballet me mbrojtjen e akuzës për ngjarjet e Gërdecit dhe 21 Janarit, kryeministri Sali Berisha tha se mundet të ketë diskutime më vonë për statusin e organit të akuzës. Ai theksoi se institucioni i akuzës është një institucion themelor i shtetit dhe se duke qenë akuzë, e vërteta është që është edhe institucioni që has vështirësitë më të mëdha në punën e tij. Në një takim me studentët të mërkurën në mbrëmje në Tiranë, zoti Berisha u pyet se përse prokuroria është i vetmi institucion që heton, por nuk hetohet, që dëmton dhe nuk dëmtohet dhe se a ka ardhur koha që prokuroria të preket nga reformat ligjore?
“Para 5 vitesh, ne ndërhymë në ligjin e prokurorisë. Ndërhyrja në ligj pati dy përmirësime thelbësore. Përmirësimi i parë kishte të bënte me faktin se u caktuar afati i mandateve, pasi ishte i vetmi institucion me mandate për gjithë jetën. Kjo në demokraci nuk qëndron. Përmirësimi i dytë madh ishte heqja e imunitetit, ku prokurorët u bënë zyrtarët e parë imunitarë pa imunitet në Shqipëri. Pastaj u hoq për kategoritë e tjera”-tha ai. Zoti Berisha u përgjigj gjithashtu pyetjes nëse është koha që prokuroria të kalojë në varësi të qeverisë ose sëpaku sipas sistemit amerikan, të përfshihet me zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli. Sipas Berishës, në kohën ku u bënë ndryshimet e mësipërme, pati diskutime nëse mund të shndërrohej ose jo në degë të ekzekutivit, ashtu si e kanë shumica e vendeve të BE-së, por “në tërësi, dominoi mendimi i kundërt”. “Ky është një sistem që në tërësi e trajton prokurorin si gjykatësin. Nuk mund të them se është një sukses, të paktën në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë që të ndërpriten përpjekjet për ta shndërruar në një institucion të konsoliduar. Tashmë sistemi gjyqësor është shumë më pak politik dhe këtë e them unë që kam marrë nga prokuroria akuzën për krime kundër njerëzimit, 8 muaj para se Millosheviçi të akuzohej në Hagë, duke paraqitur një shishe aranxhate si provë”-tha ai. Kryeministri shtoi sakaq se drejtësia ka meritën e madhe që, në një shkallë shumë të gjerë, është shkëputur nga politika. “Nuk them se nuk ka difektet e veta, pasi ka vend për t’u përmirësuar shumë. Sistemi gjyqësor ka ndikime të tjera ekstra-politike të fuqishme, por gjë pozitive për vendin është që nuk është politikisht i motivuar në tërësinë e saj. Po flas këtu për sistemin gjyqësor. Prokuroria përsëri ka probleme për t’u zgjidhur”-përfundoi ai.
Prokurori i Tiranës, Petrit Fusho firmosi të enjten pasdreke 15 urdhër ekzekutime për të dënuarit e tragjedisë së 15 marsit 2008 në Gërdec. Firmosja u bë më pak se një ditë nga vendimi i Gjykatës së Apelit për 29 të akuzuarit për tragjedinë që i mori jetën 26 personave nga shpërthimi në punishten e çmontimit të municionit luftarak. Me këtë urdhër i hapet rruga arrestimit të të akuzuarve. Urdhëri u dorëzua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.

 

VENDIMI BURG GJOBË
EMRI VJET LEK
1-Mihal Delijorgji 10 vjet
2-Ylli Pinari 18 vjet
3-Dritan Minxolli 18 vjet
4-Sokol Ngjeci 10 vjet
5-Shkëlzen Madani 3 vjet 3 mln
6-Luan Hoxha 6 vjet
7-Ardian Mullahi I pafajshëm
8- Agim Lala I pafajshëm
9-Dashnor Çaushi 3 vjet
10-Hilmi Laçaj 3 vjet
11-Gëzim Oshafi 3 vjet
12-Jorgo Mino 3 vjet
13-Fahri Toska 3 vjet
14-Zenun Ferro 3 vjet
15-Ndue Marku 1 vit 300 mijë
16-Fatbardh Kuçi 1 vit 300 mijë
17-Shpëtim Spahiu 4 vjet, pezullohet dënimi për një afat 3 vjeçar
18-Hysni Çoçka 3 vjet
19-Zija Baja I pafajshëm
20-Fiqiret Mato I pafajshëm
21-Agim Babameto I pafajshëm
22-Besnik Dauti I pafajshëm
23-Adriatik Mema I pafajshëm
24-Armand Tartari 1 vit
25-Lavdi Shatros Të rishqyrtohet çështja
26-Denis Hajdari 1 vit 300 mijë
27-Juliana Margariti E pafajshme
28-Rezart Tërshana I pafajshëm
29-Shoqëria “AlbaDemil” 25 milion lekë dhe ndalohet për 10 vite pjesëmarrja në tendera dhe prokurime publike. Lihet në fuqi sekustroja mbi pasuritë e Mihal Delijorgjit deri në shqyrtimin e padive civile nga Gjykata e Tiranës.

 

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë

“Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të informojë edhe njëherë opinionin publik se vendimet e gjykatave, kur përfundon shqyrtimi i tyre në të gjitha shkallët e gjykimit, mund të jenë objekt analize objektive, profesionale dhe të paanshme, veçanërisht nga njohës të së drejtës. Por nëse ky proces zëvendësohet, fatalisht dhe në mënyrë populiste, në një fushatë denigrimi dhe përbaltje, kjo rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme shancet për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, pa të cilin aspirata për ndërtimin e konsolidimin e shtetit të së drejtës do të ishte iluzion. Gjithashtu kjo do të delegjitimonte punën e vështirë të gjyqtarëve, të cilët çdo ditë e më tepër po përballen me dhunën fizike e verbale të frymëzuar nga kjo klimë. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe rritja e besimit të publikut tek ai është një proces që kërkon vizion dhe gjithë përfshirje. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi e gjyqësorit, por para së gjithash e politikës që duhet të gjejë vullnet në këtë drejtim. Duke Ju falenderuar paraprakisht dhe duke Ju uruar punë të mbarë”!
(Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë është organizatë përfaqësimi e gjyqtarëve, që u themelua në shkurt 2008, me financimin e projektit JUST të USAID)

 

Ambasadori i OSBE-së, Ojgen Volfart për “21 Janarin”

“Gjykatat vendosin në bazë të ligjit, por ndjenjat e mia janë, në radhë të parë, për familjet e viktimave. Dhe, bazuar mbi shtetin e së drejtës, do të theksoja, gjithashtu, se pandëshkueshmëria, kur ka njerëz të vdekur në rrugë, është, padyshim, për t’u vënë në pikëpyetje. Duhet të shohim arsyetimin e vendimit të gjykatës dhe di se ekziston mundësia ligjore e apelimit të atij vendimi. Prandaj, ne do të vijojmë t’i ndjekim zhvillimet nga afër”.