Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të shfuqizojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta

Tiranë, 3 shkurt 2022 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vijoi sot seancën publike të shqyrtimit të vendimit të Kuvendit për shkakrkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Ndërsa dy ditë më parë, trupa e Gjykatës Kushtetuese dëgjoi argumentat e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, sot ishte radha e këshilltarëve të presidentit Ilir Meta. Të shtatë anëtarëve të Gjykatës, ata i kanë dorëzuar një material voluminoz, me 140 faqe, ndërsa gjatë seancës së sotme, faktet, provat dhe argumentat e tyre ligjorë, i paraqitën në mënyrë të përmbledhur për afro 90 minuta.

Vendimi për shkarkimin e presidentit u motivua me “shkelje të rënda të Kushtetutës” nga ana e tij, “para dhe gjatë procesit zgjedhor të 25 prillit, duke u bërë palë me opozitën apo duke nxitur gjuhën e urrejtjes dhe të dhunës”.

Por përfaqësuesit e presidentit, u ndalën vetëm shkurtimisht të aktiviteti i tij gjatë periudhës zgjedhore duke deklaruar se kreu i Shtetit ishte angazhuar që procesi të ruante integritetin dhe të mos ndikohej nga përdorimi aseteve publike, që veprimtaritë shtetërore të mos keqpërdoreshin në zgjedhje. Ata shtuan më tej se “të gjitha shqetësimet e presidentit mbi fenomenet negative të procesit zgjedhor dhe keqërdorimit të administratës publike, i konstatoi dhe raporti i OSBE-ODIHR-it”.

Këshilltarët ligjorë të zotit Meta u ndalën më së shumti, duke i kushtuar një vëmendje të posaçme, te procedurat e ndjekura nga parlamenti deri në marrjen e vendimit për shkarkim. Sipas tyre, hapat e ndjekur me shpejtësi, që nga hartimi i kërkesës së 49 deputetëve firmëtarë, te shqyrtimi dhe miratimi i saj në kohë rekord nga Komisioni i Ligjeve e po ashtu dhe nga seanca, ishin realizuar në shkelje të Kushtetutës, ligjeve dhe vetë rregullores së parlamentit. Ata kujtuan se në kundërshtim me parashikimin ligjor, që presidentit i lihet një kohë e arsyeshme për të dhënë argumentat e tij, Komisioni i ligjeve në të kundërt, i ofroi atij vetëm 24 orë kohë, duke shkelur kështu sipas tyre, parimin e një procesi të rregullt ligjor.

Po ashtu dhe thirrja brenda më pak se 24 orësh e seancës ku u miratua raporti i Komisionit të Ligjeve u konsiderua një shkelje përsa kohë që rregullorja sipas përfaqësuesve të presidentit parashikon një distancë kohore prej të paktën 48 orësh. Për me tepër, që në rendin e ditës, po në shkelje të rregullores, u përfshi, sipas këshilltarëve të Kreut të Shtetit, edhe ngritja e vetë Komisionit hetimor.

Fokusimi i përfaqësuesve të zotit Meta në shkeljet proceduriale, ra në sy dhe të anëtarëve të Gjykatës të cilët kërkuan shpjegime për këtë qëndrim. Në përfundim të seancës së sotme këshilltari ligjor Bledar Dervishaj, tha se “Kushtetuta jonë, që në preambul dhe në nenet fillestare të saj, përmend parimin e një procesi të rregullt ligjor, e kur një proces i rregullt ligjor, sipas ligjit, e në konformitet me kushtetutën dhe ligjin, nuk u realizua nga parlamenti, nuk kemi ç’të merremi me asgjë tjetër sepse do të prodhonte vetëm pavlefshmëri të të gjithë produktit të tij”.

Për me tepër që sipas tij “të gjitha shkaqet për të cilat në mënyrë fiktive parlamenti i legjislaturës së kaluar, inicioi një proces hetimor politik, fiktiv, të diktuar me urdhër, nuk ishin nga ato që të legjitimonin ngritjen e një komisioni të asaj natyre, sepse nuk ka patur dhe nuk ka lëndë për të iniciuar procesin e shkarkimit të parlamentit, sipas asaj që thotë kushtetuta”.

Një tjetër pikë që e deligjitimon procesin, sipas përfaqësuesve të zotit Meta, ka të bëjë dhe me faktin se gjthshka u zhvillua në fazën përmbyllëse të mandatit të parlamentit. Fakti që ngritja e komisioneve hetimore parashikohet jo më vonë se 4 muaj nga përfundimi i mandatit, nënkupton sipas tyre, edhe pengimin e çdo aktiviteti hetimor.

Në mbyllje të parashtrimit të tyre, përfaqësuesit e parlamentit I kërkuan Gjykatës, deklarimin të papajtueshëm me kushtetutën dhe shfuqizimin e të gjitha akteve të ndërmarra nga parlamenti të cilat çuan në vendimin për shkarkimin e zotit Meta nga detyra

Anëtarët e gjykatës patën 72 pyetje për përfaqësuesit e presidentit, të cilët kërkuan 48 orë kohë për t’u përgatitur. Seanca tjetër do të zhvillohet të hënën. Por ndërkohë presidenti Meta tha se ai do t’i përgjigjej vetë personalisht pyetjeve të ngritura, jo përpara trupës së gjykatës, por nga zyra e tij.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)

Comment

*