Gjykimi i rastit Ivanoviq: Dëshmitari konfirmon praninë e grupeve kriminale në veri

Prishtinë, 16 dhjetor 2021 – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më 16 dhjetor, ka vazhduar gjykimi lidhur me vrasjen e politikanit opozitar serb, njëherësh lider i Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” (GI, SDP), Oliver Ivanoviq.

Në seancën e së enjtes u dëgjua dëshmitari Ç.I.

Ç.I., pjesëtar i Policisë së Kosovës, deklaroi se Oliver Ivanoviqi, të cilin e kishte mik, ndihej i rrezikuar pak para vrasjes. Ivanoviqi, madje, sipas dëshmitarit, para se të vritej, u ishte drejtuar edhe organeve përgjegjëse në Kosovë e Serbi.

Sipas pohimeve të avokatit mbrojtës, dëshmitari Ç.I. konfirmoi që në veri të Kosovës ekzistojnë grupe kriminale, por nuk ia doli të saktësonte se kush është udhëheqësi i tyre. Për këtë temë dëshmitari nuk deshi të fliste për shkaqe sigurie.

Prokuroria Speciale e Kosovës, deri më tani ka ngritur tri aktakuza, në të cilat nuk kishte ndryshime të mëdha esenciale.

Aktakuzë u ngrit kundër Nedelko Spasojeviq (zyrtar policor), Marko Roshiq (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Sillvana Arsiq (ish-sekretare e të vrarit Ivanoviq), Dragisha Markoviq (zyrtar policor), Zharko Jovanoviq (zyrtar policor) dhe Rade Basara (zyrtar policor).

Me këtë vrasje ndërlidhen edhe Zhelko Bojiq (shef i operativës i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i subjektit politik Lista Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen). Kundër tyre megjithatë nuk u ngrit aktakuzë, sepse ishin në arrati kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzën e parë.

Radoiçiq dhe Vesellinoviq në aktakuzë përmenden si “udhëheqës të grupit kriminal”, i cili planifikoi vrasjen e politikanit serb, Ivanoviq.

Megjithatë, për Millan Radoiçiqin në mars të këtij viti u tërhoq urdhri për arrestim pa kurrfarë shpjegimi dhe që nga ajo kohë ai disa herë qëndroi në veri të Kosovës.

“Dëshmitari tentoi ta bindë Gjykatën se i ndjeri Ivanoviq e luste t’ia dërgonte fotografitë dhe informatat për persona të caktuar. Unë mund të them që ai në njëfarë forme e tradhtoi shërbimin e vet, sepse këto veprimtari nuk lejohen”, tha para gazetarëve Mahmut Halimi, avokat i të akuzuarit Marko Roshiq.

Të gjithë të akuzuarit në rastin e vrasjes së Ivanoviqit më herët ishin deklaruar të pafajshëm për aktakuzat, me të cilat ngarkohen.

Oliver Ivanoviq, lider i SDP-së u vra më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Të dyshuarit për vrasjen e Ivanoviqit, në listën e sanksioneve të SHBA-së

Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq ndodhen tashmë në listën e sanksioneve nga Departamenti i Thesarit të SHBA-së për shkak “të përfshirjes në rrjete korruptive me krimin e organizuar ndërkombëtar”.

Sanksionet vlejnë edhe për 10 persona të tjerë, serbë nga veriu i Kosovës, që janë të ndërlidhur me Veselinoviqin, të cilin SHBA-ja e përmend si udhëheqës i grupit kriminal.

Në mesin e tyre janë edhe Zhelko Bojiq, emri i të cilit ndërlidhet me vrasjen e Ivanoviqit dhe Marko Roshiq, i cili është njëri prej të akuzuarve në këtë rast.

Sanksionet e SHBA-së nënkuptojnë që pronat e individëve, të cilët ndodhën në listën e zezë, do të bllokohen derisa shtetasve amerikanë u ndalohet bashkëpunimi me ta.

(REL)

Comment

*