Gjyqtarja bën “sfilatë” në zyrë, nisin hetimet për ”shkelje të kodit etik”

Tiranë, 31 maj 2021 – Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri, Artur Metani, njoftoi sot se ka urdhëruar fillimin e një hetimi disiplinor ndaj drejtueses së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, pas publikimit të disa video-regmjistrimeve të saj në platformën Tik-Tok.

Në këto video-regjistrime, gjyqtarja Kapedani shfaqet duke ecur si në sfilatë mode nëpër korridoret e gjykatës dhe në zyrën e saj. Në sfond të njërës prej video-regjistrimeve dëgjohet melodia e një kënge shqiptare me titull “Mafia”.

Video-regjistrimet, të cilat u shpërndanë në rrjetet sociale, e nxitën Inspektorin e Lartë të nisë menjëherë hetimin për “shkelje të kodit të etikës së magjistratit”.

Për këtë ngjarje ka reaguar dhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo i ka cilësuar si “të pakomentueshme” shfaqjet e gjyqtares Kapedani dhe ka theksuar se prej dhjetorit të vitit 2019kishte kërkuar që ndaj kësaj gjyqtarje të merren masa, pas lirimit tënjë “subjekti kriminal.

“Është për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrjen e masave për të, pas lirimit të një subjekti kriminal. Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por dhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje”, ka thënë ministrja Gjonaj në reagimin e saj.

Kryetarja e Gjyaktës së Elbasanit shfaqet në video-regjistrimet e postuara në Tik-tok edhe duke reklamuar veshjet e saj të shtrenjta,të shtëpive të njohura të modës dhe duke drejtuar një automjet luksoz të shtrenjtë.

Vetë gjyqtarja Kapedani ka thënë se ajo ndjehet keq për publikimin e video-regjistrimeve, të cilat, sipas saj, janë bërë me qëllim të prishjes së  imazhit të saj. Ajo ka theksuar se ”asnjë insinuatë apo përballje” do dotë influencojë në punën e saj.

“As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje, sepse jam grua dhe nënë. Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjerë keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht, si deri më sot”, ka thënë Kapedani.

(r.m.)

Comment

*