Gladiatorët e studiove televizive, ekranit televiziv

Sadik Elshani

Mungesë e respektit, mirëdjelljes në disa programe televizive

 

Nga Sadik Elshani

Shqiptarët e kanë traditë mikpritjen, trajtimin me respekt e dinjitet të mikut në shtëpi. Në bisedat nëpër odat shqiptare kishte rregull, kur fliste njëri, të tjerët dëgjonin me vëmendje. Kur kishte mospajtime, flitej me argumente apo shpesh edhe me ndonjë mesele, pa e rënduar ose fyer bashkëbiseduesin. Kishte një respekt gati fanatik për më të vjetrit. Të mos harrojmë se shumica e këtyre njerëzve nuk ishin fare të shkolluar, apo disa i kishin vetëm disa vite shkollë. Por, krejt e kundërta ndodh në paraqitjet tona publike, mungesë totale e mirësjelljes,respektit për bashkëbiseduesin, më të vjetrin, publikun. Në takimet tona publike nuk dimë si ta kërkojmë, si ta mbajmë e si ta lëshojmë mikrofonin, duke kaluar në monotoni e bezdisje. Për këtë dukuri të shëmtuar vitë më parë kryeredaktori i gazetës Illyria, z. Ruben Avxhiu e ka bërë një shkrim të bukur. Edhe vetë e kam bërë një shkrim për mungesën e respektit e mirësjelljes gjatë koncertit në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Në këtë shkrim të shkurtër nuk e kam ndërmend të filozofoj, të shes moral, por do të dal menjëherë në një temë që më shqetëson mua, e besoj edhe shumë të tjerë. Ajo që më shtyri për  t’i shkruar këto radhë janë situatat e pakëndshme që po ndodhin në disa programe të tipit “talk shoë”, emisioneve debatuese politike televizive në të cilat marrin pjesë dy – tre apo më shumë panelistë. Gjatë diskutimeve për tema të caktuara në këto emisione mungon mirësjellja, qytetaria. Gati tërë kohën panelistët merren duke e ndërprerë, kundërshtuar njëri – tjetrin, ndërhyjnë vend e pa vend, personit që është duke diskutuar kurrë nuk i lejohet që ta mbarojë fjalën, diskutimin e nisur. Nuk ka asnjë interval pesëminutësh ku biseda, diskutimi rrjedh në një atmosferë të qetë, normale. Nganjëherë, besa edhe bukur shpesh, të gjithë ndërhyjnë me zë të lartë dhe nuk dëgjohet asgje, siç thotë populli, nuk dihet sa po shkon tërshëra. Nuk mungojnë as fyerjet personale, sharjet e nganjëherë as grushtet. Këta njerëz, gazetarë e fytyra publike, ma merr mendja se e kanë kryer një shkollë, kanë vite të tëra me përvojë në gazetari dhe ligjërimin publik, prandaj duhet ta dinë mirë se komunikimi më i mirë është kur njëri flet e tjetri dëgjon. Ata janë ftuar për të diskutuar, analizuar e debatuar ngjarjet e ditës, tema të rëndësishme nga skena politike e shoqërore e vendit dhe jo për t’u kacafytyr me njëri – tjetrin. Nuk janë ftuar në një garë për të garuar se kush po bërtet me zërin më të fortë, më të lartë. Në qendër të vëmendjes duhet ta kenë shikuesin dhe jo egot e tyre. Moderatorët e këtyre programeve duhet ta kenë gjandjen nën kontroll e jo të lejojnë që programet e tyre të shndërrohen në një arenë gladiatorësh. Dikur në kohëra të lashta gladiatorët kanë luftuar me shpata e shtiza me kafshë të egra e me njëri – tjetrin, ndërsa sot këta panelistë luftojnë me njëri – tjetrin në studiot televizive me fjalë të rënda, fyerje e sharje. Për rata që i thejnë rregullat e mirësjelljes, ligjërimit të qytetëruar, moderatorët duhet të marrin masa, t’i përjashtojnë për disa ditë, e nëse i përsërisin të njejta sjellje, atëherë të përjashtohen përgjthmonë. Ndoshta kështu mbushën mend. Edhe sponsorizuesit e këtyre programeve nuk duhet të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre situatave të pakëndshme. Fytyrat publike, qofshin ata gazetarë, politikanë apo diçka tjetër, duhet të jenë shembull për të mirë për të gjithë, sidomos për të rinjtë. Komunikimi i qytetëruar, edhe kur nuk pajtohesh me dike, respekti i ndërsjellë për njëri – tjetrin janë tiparet më bazike të një shoqërie të kulturuar, qytetëruar. Duhet të tregojnë respekt për shikuesin, stacionet televizive, profesionin dhe veten e tyre. Dikush mund të më pyes se, pse i shikoj këto emisione debatuese?  Dëshiroj t’i shikoj për të mësuar diçka më tepër, për t’u informuar më shumë për rrjedhat e ngjarjeve në Kosovë, Shqipër dhe trojet tjera shqiptare. Por, si e ndiej që do të fillojë shamata, menjëherë largohem nga ato kanale (nuk i kam këto kanale televizive, por i përcjell në youtube). Siç duket jam bërë si ata qentë e eksperimenteve të fiziologut të njohur rus, Ivan Pavlov (1849 – 1936), më reagon trupi, ndiej bezdisje, tension në kokë se, diçka e pakëndshme, e pahijshme do të nodhë. Gjendja nuk është aspak më e mirë as në Kuvendin e Shqipërisë dhe as në atë të Kosovës, por kjo është një temë tjetër, apo variacion në të njejtën temë.

Prandaj, të nderuar gazetarë, opinionistë, politikanë, etj., tregoni pak mirësjellje, kulturë e respekt. Po ju shikojme, dhe ajo që po shikojmë në ekranet tona nuk është për t’u adhuruar, nuk po na pëlqen fare.

Philadelphia, më 7 nëntor, 2021.

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

 

 

Comment

*