Glauk Konjufca do t’i vizitojë ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë

Prishtinë, 13 qershor 2022 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të realizojë të premten, më 17 qershor, një vizitë në Gjykatën Speciale në Hagë, ku do të takohet me ish-drejtuesit e UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Lajmi është publokuar nga shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 qershor, udhëtojmë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të gjithë ish-anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen  për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,  gjenden në paraburgim në Hagë, pre nëntorit të vitit 2020.

Në paraburgim gjenden edhe Salih Mustafa dhe Pjetër Shala, ish-pjesëtarë të UÇK-së të akuzuar  për të njëjtat vepra penale, si edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, ish drejtues të Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, tashmë të dënuar nga shkalla e parë  e gjykatës për përpjekjet për pengimin e punës së Gjykatës Speciale, përmes publikimit të materialeve konfidenciale e sensitive të Gjykatës Speciale.

(r.m.)