Google mbizotërues dhe presioni europian

Pas ankesavë pranë Komisionerit të Konkurencës së Bashkimit Europian, Google deklaron se do të shfaqë më shumë linke nga faqet e konkurentëve të saj. Në rast se nuk ndodh një gjë e tillë pritet një gjobë e majme.

Për më shumë se një dekadë njerëzit e kanë përdorur Google si një sinonim për të kërkuar diçka në internet. Shumë rrallë mund të dëgjosh njerëz që thonë “bing diçka” apo “kërkoje në Yahoo!”, por nga ana tjetër do të dëgjoni shumë vetë të thonë “kërkojë në Google”.

Ky është vetëm një tregues se sa dominues është Google. Robotë të tjera kërkimi si ai i Microsoft, Bing, janë mjaft mbrapa. Në Europë shifrat flasin qartë: rreth 90% e kërkimeve bëhen në Google. Nga ana tjetër Bing në Europë nuk arrin as shifrën 10% që e ka në tregun amerikan.

Por në biznes kjo duket se nuk është e ndershme dhe konkurentët e Google e akuzojnë për dominimin e tregut, duke favorizuar produktet apo shërbimet e saj, si Google Maps apo YouTube. Një numër i madh prej tyre, duke përfshirë Microsoft, shërbime nga industria e udhëtimit dhe tregu i aplikacioneve, bënë një ankesë zyrtare pranë autoriteteve antitrust të BE në vitin 2010. Për të shmangur ndëshkimet anti-trust, Google duket se do të bëjë disa lëshime.

Konkurrenca e ka të vështirë suksesin përballë Google-s.

Konkurrenca e ka të vështirë suksesin përballë Google-s.

 

Gjithçka është një sekret i madh

“Google na paraqiti një sërë propozimesh, por ato nuk duhen të bëhen publike”, thotë Antoine Colombani, zëdhënës i Komisionerit të Konkurencës së Bashkimit Europian.

Ajo që dihet prej kohësh është se Google do të shfaqë më shumë linke për shërbimet që ofrohen nga konkurentët. Nëse propozimi i Google miratohet, atëherë përdoruesit e Internetit në mbarë botën do të kenë mundësi të shohin më shumë materiale. Por Google ka refuzuar të thotë se çfarë do të ndryshojë konkretisht.

Edhe ekspertë si Jo Bager nga revista Gjermane për kompjutera “c’t” thotë se edhe ky propozim nuk bind.”Faktori më i rëndësishëm është nëse faqja online do të ketë mundësi të shfaqë shumë faqe të tjera. Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë është mirë”, shpjegon Bager.

Google analizon faqet online se sa shpesh ato shfaqen në kërkime dhe sa vizitorë kanë. “Sigurisht ka shumë spekulime se cilat janë parametrat e tyre, por në fund të fundit ky është sekret i kompanisë”, shton Bager.

Por ka diçka. Kur kërkoni në Google, praktikisht ju nuk jeni duke kërkuar në Internet, por atë që gjendet në serverat e Google, shpjegon më tej ai.

Gjobë e majme

Edhe Komisioni Europian nuk është në gjendje të shohë atë që ndodh pas dyerve të Google-s. Por Komisioni mund të tregohet më i ashpër nëse kompania bën premtime false.

Një masë antitrust do të kishte pasoja të menjëhershme. Konkurenti i Google-s, Microsoft, u gjobit pak kohë më parë me një shumë rekord prej 561 milion eurosh.

Komisioni Europian zbuloi se Microsoft nuk u dha mundësinë përdoruesve të Windows 7 të përdornin një tjetër motor kërkimi në Internet, ashtu siç ishte premtuar në marrëveshjen e dy palëve në vitin 2009. Colombani thotë se tani Google duhet ta provojë që i ka bërë me të vërtetë ndryshimet.
(Regina Menning/ Amarildo Topi)