Grabomi është pika e re kufitare e hapur ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi


Knid Ndrenika
Sipas kryeminstrit Edi Rama, qëllimi është gjithashtu që “njerëzit tanë të ndihen dhe të jenë të lirë si në Bashkimin Europian” dhe se “kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian”.

Shqipëria dhe Mali i Zi hapën pikën e re kufitare në Grabom që lidh Malësinë e Madhe më territorin etnik të Shqipërisë në shtetin fqinj.

Kryeministrat Edi Rama dhe Zdravko Krivokapiq si dhe zëvndëskryeministri shqiptar etnik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ishin bashkarisht në ceremoninë e zhvilluar në Grabom.

Zoti Rama tha se hapja e kufijve ishte qëllim që qytetarët e të gjithëve të ndihen si qytetarë të të gjithëve, pa dallime dhe pa pengesa”.

Sipas kryeminstrit Rama, qëllimi është gjithashtu që “njerëzit tanë të ndihen dhe të jenë të lirë si në Bashkimin Europian” dhe se “kjo është ajo që ndodh brenda Bashkimit Europian”.

“Ku ka dy pika bashkimi mes dy vendeve nuk ka barriera, nuk ka pika kontrolli dokumentesh”-tha ai, duke shtuar se “edhe në këtë synojmë këtu, që të realizojmë të katër liritë e Bashkimit Europian: lëvizje e lirë e mallrave, njerëzve, kapitaleve dhe shërbimeve”.

Për kryeministrin e shqiptarëve Rama, ky qëllim është në themel edhe të nismës së ndërmarrë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, pra “pikërisht që njerëzit të ndihen të lirë, të lëvizin të lirë”.

Kryeministri i malazezëve Krivokapiq tha se hapja e Grabomit është “konfirmim i forcimit të lidhjeve mes të dy vendeve” dhe shtoi se “pa njëri-tjetrin nuk mundemi, bashkë mund të bëjmë shumë”.

“Më kujtohet shumë mirë kur kemi pasur kufi të hekurt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Pikërisht këto kazerma dhe bunkerë që kemi pasur këtu, të bënin të ndiheshe sikur jetonim në dy planetë të ndarë. Tash kemi këto pika kufitare moderne që dëshmojnë besimin mes nesh dhe i lejojnë qytetarëve të kalojnë lirshëm, pa pritur dhe pa humbur kohë”-tha zoti Krivokapiq.

Ndërkaq, zoti Rama ftoi zëvendëskryeministrin Abazoviq që ta prisnin bashkarisht me të dhe kryeminstrin Krivokapiq shiritin e përurimit të hapjes së pikës së re kufitare në Grabom.