Gramozi Ruçi i jep fund karrierës politike

Tiranë, 12 qershor 2021 – Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se me përfundimin e mandatit të legjislaturës aktuale të  Kuvendit do t’i japë fund karrierës politike.

Në Kongresin e Partisë Socialiste, Ruçi kathënë se nga 9 shtatori ai nuk do të ketë më asnjë post politik, duke hequr dorë edhe nga mandati i deputetit të legjislaturës së ardhshme, të cilin e fitoi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Unë do deklaroj fundin e karrierës time politike. Nuk ka një moment më të mirë se sa 30-vjetori i Partisë Socialiste, sot që kemi filluar mandatin e tretë qeverisës, që të deklaroj përpara jush, se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do e ushtroj mandatin që më ka dhënë Partia Socialiste dhe se nuk do kem ambicie për qenë në asnjë organ të zgjedhur nga familja ime politike. Më lejoni të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorit”, ka thënë Ruçi.

“Dua të bëj një komunikim me ju. Kur unë e nisa rrugëtimin tim, kësaj maratone politike të gjatë prej 3 dekadash, 30-vjeçarët që janë në këtë Kongres s’kishin lindur akoma. Kur unë e nisa këtë rrugëtim, 5-vjeçarët e 91-shit sot janë 35 vjeç. Kur unë e nisa këtë rrugëtim, 10-vjeçarët janë 40 vjeç dhe janë me shumicë këtu. Kur unë e nisa udhëtimin tim, adoleshentët 15-vjeçarë janë 45 vjeç dhe janë bërthama e Partisë Socialiste”, ka thënë ai.

Ruçi u ka shprehur mirënjohje themeluesve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste që prej themelimit të saj e deri më sot, ndërsa i ka veçuar Fatos Nanon dhe Edi Ramën. Por, me emër i ka veçuar edhe Namik Doklen, Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, i cili ka qenë ndër figurat më të rëndësishme të Partisë Socialiste para se të shkëputej prej saj.  

“Kanë qenë vite të vështira, prandaj, unë, me që jam ende këtu, aktiv në jetën politike, do të përshëndes Kryesinë e parë të Partisë Socialiste, 15 anëtarët e saj, do të përshëndesja 3 nënkryetarët e parë, do të përshëndesja shumë figura të spikatura që janë marrë me programin e Partisë Socialiste.

Përshëndes 4 të parët që mbërritën në Partinë Socialiste, mes tyre Pandeli Majkon dhe Ilir Metën, përshëndes 28 deputetët e grupit të parë të Partisë Socialiste me në krye Namik Doklen. Kanë qenë 36, por 8 prej tyre nuk jetojnë më. Ky ka qenë grupi më i mirë parlamentar që ne e kemi pasur, në 8 mandate parlamentare. Dhe, së fundmi, do të përshëndesja Fatos Nanon”, është shprehur Ruçi.

Por, me dedikime të veçanta u është drejtuar Fatos Nanos dhe Edi Ramës.

“I dashur Fatos, ne jemi krenarë për ty për shumë gjëra, pasi askush nga ne apo nga kundërshtarët nuk thonë dot që nuk je politikan. Ne jemi krenarë që të kemi pasur kryetar, se je intelektual.

I dashur Fatos, shumë socialistë nga 91-shi deri te 97-ta u persekutuan, por 4 vite burg i bëre ti, sepse ishte kryetar ynë.

I dashur Edi,

të kujtohet 2003-shi kur e shprehe dëshirën për të qenë kryetar? Shumë delegatë nuk të mbështetën e megjithatë ti qëndrove stoik, pasi ti e dije mirë që të bëhesh lider nuk mjafton ambicia dhe dëshira, por duhet edhe dëshira dhe dashuria e atyre për të cilat ti pate ambicien për t’u bërë kryetar i tyre. Dhe ajo erdhi natyrshëm, në vitin 2005. Dhe ja ku jemi sot, kaq krenarë si asnjë parti e majtë në Europën Lindore, me tri mandate rresht fitimtare. Jemi me fat që kemi, një lider këmbëngulës, me ambicie, të vendosur e përkushtuar dhe të maturuar”, është shprehur Ruçi,ndër të tjera.

(r.m.)