Greqia çon në Shqipëri një avion për shuarjen e zjarreve në ishullin e Sazanit

Tiranë, 7 qershor 2022 – Greqia ka dërguar në Shqipëri një avion “Canadair CL 415” sot në mëngjes për të ndihmuar shuarjen e vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit.

Autoritetet greke iu përgjigjën pozitivisht kërkesës për mbështetjen e njësive të mbrojtjes civile dhe të ushtrisë shqiptare, të cilat po përpiqen të shuajnë shuajnë zjarret aktive në ishull prej tre ditësh

Shqipëria nuk ka avionë të specializuar për raste të emergjencave nga zjarret, ndërsa në raste të ngjashme janë përdorur disa prej helikopterëve të ushtrisë. Por, Ministria e Mbrojtjes shpjegoi se helikopterët që mund të përdoreshin për ndërhyrje na ajri ndodhen jashtë vendit, ku janë dërguar për kontroll e mirëmbajtje periodike.

Zjarret në ishullin e Sazanit, ishullin më të madh të Shqipërisë, shpërthyen të shtunën dhe u përhapën me shpejtësi në pjesën jugore. Përveç  dëmeve të mëdha në sipërfaqet pyjore, zjarret kanë ngitur rrezikun e shpërthimit të municioneve ushtarake të mbetura në ishull. Në vitet e  komunizmit Sazani ishte baza më e rëndësishme ushtarake detare e Shqipërisë.

Forca të ushtrisë krijuan breza shpyllëzimi rreth vatrave të zjarrit, për të parandaluar përhapjen e mëtejme, ndërsa era ndihmoi përhapjen e flakëve,  duke vështirësuar më shumë ndërhyrjen tokësore.

Të hënën në mbrëmje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ishte bërë neutralizimi i rreth 14 vatrave të zjarrit dhe se rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura po dërgoheshin në terren. Në dispozicion të tyre jzanë vënë edhe 3 anije të Forcës Detare.

Por, ekspertët vlerësojnë se ndërhyrja vetëm nga toka ishte e pamjaftueshme për të shuar të gjitha vatrat e zjarrit, për shkak të terrenit tejet të vështirë, prandaj kërkuan ndihmë për veprim nga ajri.

(r.m.)