Greqia dhe Shqipëria fillojnë punën për lidhjen hekurudhore

Tiranë, 2 shkurt 2022 – Autoritetet greke dhe shqiptare të transportit njoftuan të mërkurën fillimin e punës paraprake për ndërtimin e hekurudhës midis Greqisë dhe Shqipërisë duke shpallur tenderin për studimin e fizibilitetit për seksionin Krystallopigy – Pogradec.

Një konsorcium greko -shqiptar i përbërë nga enti grek që menaxhon hekurudhat (OSE), kompania greke që zbaton projekte të Bashkimit Europian (ERGOSE) dhe Ministria shqiptare e Transporteve kanë shpallur kriteret që duhet të përmbushë studimi për seksionin hekurudhor “Krystallopigy – Pogradec”, me një gjatësi totale prej rreth 130 km brenda territorit grek dhe shqiptar.

Studimi pritet të vlerësojë burimet aktuale në terren në të dy anët e kufirit për zbatimin e projektit, qëndrueshmërinë socio-ekonomike dhe financiare të kësaj hekurudhe dhe ndikimet e saj në transportin e pasagjerëve edhe mallrave.

Për kryerjen e studimit, financimi prej 85% është siguruar nga Bashkimi Evropian dhe 15% nga burimet kombëtare të vendeve pjesëmarrëse në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar.

Studimi deri në përgatitjen e kontratës pritet të zgjasë pesë muaj.

Të dy vendet presin mbështetjen financiare të Bashkimit Europian për zbatimin e projektit i cili vlerësohet paraprakisht në kapë shumën mbi 840 milionë dollarë, nga të cilat 720 milionë investim në anën greke dhe rreth 120 milionë investim në anën shqiptare.

Projekti i linjës hekurudhore Greqi -Shqipëri garanton në sejcilin shtet lidhjen me rrjetin e brendshëm hekurudhor. Por në anën shqiptare, vija hekurudhore Librazhd –Pogradec, aktualisht nuk është në funksionim.

Sipas një vlerësimi të Entit të Hekurudhave shqiptare, vija hekurudhore nga Durrësi deri në Pogradec do të kërkonte një investim prej rreth 200 milionë dollarë për rehabilitimin e saj.

Edhe rrjeti i brendshëm hekurudhor shqiptar, mbi 420 kilometëra i gjatë, është në gjendje të mjerueshme, mbi 80% i amortizuar, sipas vlerësimeve zyrtare dhe funksionojnë vetëm disa linja kryesisht për transportin e mallrave.

Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të Statistikave në vitin 2020 përmes linjave hekurudhore lëvizën rreth 18 mijë pasagjerë dhe 630 mijë tonë mallra, nga rreth 76 mijë pasagjerë dhe 199 mijë ton mallra që kishin lëvizur në në vitin 2018.

Shtatë vite më parë, qeveria dha me koncesion linjat hekurudhore Fier – Vlore dhe Fier – Ballsh, të cilat ende nuk janë vënë në funksion për pasagjerët, ndërsa vitin e shkuar nisën punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.

(Raimond Kola, Zëri i Amerikës)