Greqia dhe Shqipëria merren vesh që lumi Vjosa të kthehet në park ndërkufitar

Athinë, 6 shkurt 2023 – Ministritë e Mjedisit të Greqisë dhe Shqipërisë kanë rënë dakord të punojnë së bashku që lumi Vjosa, i cili i përshkon dy vendet, të bëhet park ndërkufitar.

Pas një takimi të ministrit grek të Mjedisit, Kostas Skrekas, me ministren shqiptare, Mirela Kumbaro, në Athinë, është njoftuar për krijimin e një komiteti ndërkfufitar që do të punojë në këtë drejtim.

Zyra Rajonale e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) njoftoi tetorin e vitit të shkuar përgatitjen në anën greke të 4 studimeve mbi mbrojtjen më të mirë të pellgut ujëmbledhës të lumit “Vjosa” dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkufitar për një park ndërkufitar Greqi- Shqipëri.

Qeveria shqiptare nga ana e saj është angazhuar së fundmi për të shpallur brenda këtij viti rrjedhën e lumit Vjosa me degët e saj në territorin shqiptar, një Park Kombëtar .

Si në anën greke dhe atë shqiptare shqetësimet e organizatave mjedisore janë lidhur vecanërisht me projekte të devijimit të rrjedhës së lumit “Vjosa” dhe projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve.

Lumi Vjosa ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80km në territorin grek dhe rreth 192 km brenda territorit shqiptar dhe konsiderohet “lumi i fundit i egër i Evropës” për shkak të mosndërtimit të veprave hidrike në rrjedhën e lumit.

(Raimod Kola, Zëri i Amerikës)