Grevë deri në pakufi?!

Nxënësit në shkolla, mësimdhënësit të trajtohen me dinjitet

Sadik Elshani

Një shembull nga Amerika

Të premten më 16 shtator në ShBA ishte planifikuar që të fillonte greva e hekurudhave të mallrave (freight railroads), sepse disa kompani të këtyre hekurudhave dhe dhjetëra mijëra punëtorë që punojnë në këto kompani kishin disa mosmarrëveshje. Por, greva deri më sot nuk ka ndodhur. Ditë më parë Sekretai i Punës, Martin Walsh,dhe bashkëpunëtorët e tij, zhvilluan bisedime maratonike me pqrfaqësuesit e hekurudhave dhë sindikatave që i përfaqësonin punëtorët e këtyre kompanive. Të merkuren në mbrëmje në këto bisedime, negociata (pazare, siç do te thonte kryeministri Kurti) u përfshi edhe Presidenti Biden. Sipas të pranishmëve në këto negociata, kjo ndërhyrje e tij ishte vendimtare që marrëveshja të arrihej e kjo grevë të evitohej. Gjatë këtyre bisedimeve, as Sekretari i Punës dhe as prresidenti Biden nuk morën anën e ndonjë pale të caktuar dhe askend nuk e fyen, askend nuk e quajtën tradhtar, kriminel e fyerje të tjera të rënda.  Po të ndodhte kjo grevë, do të kishte rrjedhoja katastrofike për ekonominë amerikane, duke e vëshirësuar edhe me tej vargonin (zinxhirin) e furnizimit (supply chain), ashtu të vështirësuar, si rrjedhojë e pandemisë COVID – 19. Këtë e di fare mirë, sepse në kompaninë ku punoj shumë projekte nuk mund t’i fillojmë me kohë për shkak të mungesave të herëpashershme të lëndëve të para (raë materials).

Në Kosovë greva vazhdon

Ndërsa në Kosovë që nga 25 gushti është duke u zhvilluar greva e punëtorëve të arsimit të udhëhequr nga SBASHK-u, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës, e cila përfaqëson afër 25000 anëtarë. Kjo grevë nuk ishte një akt i befasueshëm, i papritur, sepse ishte paralajmëruar muaj më parë, por gjithmonë ishte shtyrë me shpresë se në ndërkohë mund të arrihej një marrëveshje e pranueshme për të gjitha palët e përfshira në këtë situatë. Gjersa jam duke i shkruar këto radhë, tri javë pas fillimit të grevës, në horizont nuk po duket se palët janë afër zgjidhjes. Për grevën është shkruar shumë këto ditë dhe nuk kam qëllimin që të thellohem shumë në përditshmërinë e saj. Thelbi i kësaj greve është kërkesa e sindikatave që rroga e punonjësve të arsimit të rritet për 100 euro në muaj. Mirë do të ishte që të mos kishim greva fare dhe çdo gjë të shkonte për peri, por ja që gjërat në jetë janë pak më të ndërlikuara dhe jo si në filmat e vizatuar. Sindikatat i mbrojnë të drejtat e anëtarëve të tyre, ndërsa Qeveria duhet të kujdeset për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe mbarëvajtjen e institucioneve të saj. Por, ajo që është tragjike në këtë rast, është se në mes të këtyre mosmarrëveshjeve qeveri – sindikata, janë fëmijët tanë që në vend se të jenë të ulur në bankat shkollore, ata po qëndrojnë në shtëpi, duke i humbur orët mësimore.

Një qasje më seroze për negociatat Sindikatë – Qeveri

Ajo që po mungon në këtë grevë, në këto negociata, është mungesa e qasjes së sinqeritë, përkushtimit për të dalë nga kjo krizë. Të dy palët janë barikadizuar, bunkerizuar në kërkesat e tyre. Zoti Kurti, Kryeministri Kosovës sa ishte në opozitë i inkurajonte grevistët që të mos lëshonin pe, ta vazhdonin greven, ndërsa tani që është në krye të Qeverisë e ka ndryshuar melodinë. Qasja e tij për zgjidhjen e këtij problemi nuk është fare serioze, ai nuk është për bisedime të sinqerta, po, si vëllau me vëllaun, por atij i pëlqejnë më tepër bisedat si sundimtari me të nënshtruarit. Sjellja e tij bizarre gjatë konferencës për shtyp ditë më parë është për çdo kritikë. Ai befas u largua nga konferenca, sepse kishte një takim “urgjent”. Dhe pastaj u mor vesh se ai kishte shkuar në Tiranë për t’u takuar me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Nuk ka asgjë të keqe që kryeministrat e dy shteteve shqiptare takohen herë pas here, por e keqja qëndron aty se si ai u largua pa paralajmërim në mes të konferencës për shtyp. Në këtë takim nuk kishte asgjë urgjente që duhej të bisedohej në atë moment. Urgjencën në këtë çast Kryeministri i Kosovës e ka në Prishtinë, Kosovë dhe jo në Tiranë. Edhe herën tjetër kur z. Kurti po ballafaqohej me gazetarët ai u largua menjëherë, sepse ky kryeministër mendon se i di të gjitha, është i aftë për t’i zgjidhur të gjitha problemet e Kosovës dhe nuk ka nevojë që t’i jepë llogari askujt. Kohëve të fundit kryeministri është duke folur edhe për luftë. Derisa NATO është e pranishme në Kosovë kurrë nuk do të ketë luftë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këtë e di fare mirë edhe z. Kurti, edhe z. Vuçiq, kryetari i Serbisë. Kjo është ajo taktika e njohur e tërheqjes së vëmendjes, termi politik, “wag the dog” (tunde, dridhe qenin), kur dikush krijon një situatë të parëndësishmë, të imagjinuar, një shmangie për ta mbuluar një problem të rëndësishëm, një çështje dëmtuese, zakonisht duke përdorur forcën ushtarake.

Greva të përfundojë sa më parë

Kjo grevë ka qenë dashtë të përfundojë para 1 shtatorit, ditës së hapjes së shkollave në Kosovë, por ja që është duke vazhduar edhe sot, duke hyrë kështu në javën e katërt të saj. Me këtë qasje të qeverisë dhe të sindikatave ky problem nuk mund të zgjidhet. Pra, si të dilet nga kjo gjendje? Duhet bërë negociata serioze e te sinqerta, duhet folur haptas, duhet bërë kompromis e të dyja palët duhet të lëshojnë pe. Wshtë një thënie e bukur amerikane: “Where there’s a ëill, there’s a ëay” (përkthim i lirë: Aty ky është vullneti, aty ështe një udhë) e që do të thotë se nëse dikush ka vendosur me këmbëngulje që të arrijë diçka, ai do ta gjejë edhe mënyrën, rrugan për ta përmbushur qëllimin e tij, pa marrë para syshë pengesat. Me inate, kokëfortësi e me ego të sëmura nuk arrihet asgjë. Siç po duket gjer më tani të dyja palët e përfshira nuk janë në gjendje të dalin nga kjo krizë, atëherë duhet një ndërmjetësim nga një palë tjetër, individ apo institucion i respektar nga të dy palët. Ne e njohim mirë sedrën e shqiptarit se, kush po tregohët më kryeneç, më i fortë e kush më i dobët, më i nënshtrueshëm. Të dyja palët janë të vetëdijshme se kanë shkuar pak larg dhe kështu nuk mund të vazhdohet, por ja që inati nuk i lë që të jenë më të përkulshëm (fleksibël), të lëshojnë pe. Prandaj, duhet gjetur nje rrugë ky të dyja palët japin diçka e fitojnë diçka, dhe ata që fitojnë më së shumti duhet të jenë nxënësit e Kosovës. Nëse sindikatat po kërkojnë 100 euro, atëherë Qeveria të ofrojë diçka më shumë se 50 eurot e ofruara më parë dhe diçka më pak se 100 eurot e kërkuara nga Sindikata. Ndërsa pjesën tjetër t’ua jepë më vonë. Sindikatat kanë dhënë disa shenja se ka vend për kompromis, tani duhet të gjendet një katalizator i përshtatshëm për ta përshpejtuar këtë proces. (Kur jam duke i shkruar këto radhë po lexoj nëpër portale se për këtë është angazhuar Avokati i Popullit, por gjer më tani pa ndonjë sukses), Vatra, komuniteti shqiptaro – amerikan mund të jenë ndërmjetësues të përshtatshëm për të dyja palët. Presidentja e vendit, zonja Osmani duhet të angazhohet më tepër për të dalur nga ky ngërç, është detyrim i saj kushtetues si përfaqesuese e unitetit të popullit të Republikës së Kosovës (neni 83 i Kushtetutës). Sipas nenit 84, pika 2 e Kushtetutës, Presidentja është garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë. E sot, njeri nga këto institucionet, shkolla, nuk është duke fnksionuar fare. Presidentja u takua me grevistët, dhe që nga atëherë zëri i saj nuk po dëgjohet fare për këtë çështje. Madje, vetëm pak ditë pas takimit me grevistët ajo e mori anën e Qeverisë dhe të zotit Kurti. Kështu nuk arrihet uniteti i popullit të Kosovës, kështu nuk zgjidhen problemet e Kosovës. Prandaj, Presidentja, besa edhe Kryeministri, nuk duhet të pushojnë, të tërhiqen nga përgjegjësia e tyre. Ata duhet të luajnë një rol më aktiv,  të mos marrin anë deri sa të përfundojë kjo grevë dhe të mos i lajnë duart, siç janë duke bërë tani.

Greva të mos vazhdojë gjer në pakufi, por të përfundojë sa më parë. Gjella me kripë, kripa me karar, thotë një fjalë e urtë e jona. Nxënësit tanë e kanë vendin e tyre nëpër shkolla, ndërsa mësimdhënësit duhet të trajtohen me dinjitet dhe t’u ofrohen paga që ua mundësojnë mbajtjen e familjeve të tyre. Askush që lufton për të drejtat e veta nuk duhet të njolloset me nofkat: tradhtar, kriminel, etj. Me akuza e kundërakuza të ndërsjella nuk mund të arrihet asgjë. Mirë është që të mos arrijmë në atë gjendje që të kemi greva, por ato janë pjesë e një shoqërie demokratike për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Philadelphia, më 18 shtator, 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.