Gruaja kineze ha dru për renegatin amerikan Snowden

Emri i Edward Snowden, ish-punonjësit teknik të CIA-s i cili akuzohet për nxjerrje të sekretit shtetëror, ka mbizotëruar në titujt kryesorë të lajmeve dhe artikujve të medias, por kohët e fundit ai për pak sa nuk është bërë shkak ndarjeje mes një çifti kinez në moshë të thyer, në Ningbo të provincës Zhejiang. Siç raportoi Ningbo Evening News, debati lidhur me çështjen nëse Snowden është hero apo tradhëtar arriti deri aty sa gruaja të kërkonte divorc.

Më 28 korrik, gruaja me mbiemrin Fang, po diskutonte me të shoqin ndërsa hanin darkë, lidhur me rastin e Snowden-it. Diskutimi mes çiftit, të dy mbi 60 vjeç, u përndez aq shumë sa bashkëshorti, që edhe kishte pirë gjatë darkës, iu vërsul të shoqes dhe e goditi.

Menjëherë pas kësaj, Fang, e shoqëruar nga fëmijët, kërkoi divorc në zyrën e gjendjes civile në distriktin Haishu. I shoqi, që mesa duket nuk donte të divorcohej, nuk ishte i pranishëm.

Bashkëshorti i Fang-ut u njoftua me telefon nga një punonjës i zyrës së gjendjes civile. Ai kërkoi ndjesë për sjelljen e tij, fajin për të cilën ia vuri motit të nxehtë. Më pas ai mbërriti në zyrën e gjendjes civile për të bindur të shoqen që të mos e ndante.

Luo Hongyuan, drejtuese e zyrës së gjendjes civile, tha se numri i çifteve që kanë kërkuar divorc në Ningbo gjatë muajit korrik është rritur me 20% krahasuar me muajt e mëparshëm. Shkak për këtë, sipas saj, mund të kenë qenë temperaturat e larta të cilat mund të kenë shkaktuar “ndezje të gjakrave” mes çifteve, duke i bërë që të humbasin vetëpërmbajtjen për çështje fare të parëndësishme. (Illyria/VP)