Nga ditari i një gruaje fisnike dhe vitale, Flora Selfo

Nga Kimete Haxhaj

Sot, në shënimet e mija do të ndalem tek figura e një gruaje fisnike, një zonje stoike e vitale që ka kaluar hallet e dertet e jetës së saj në Shqipëri e më pas si emigrante në Greqi. Ndërsa sot jeton e lumtur dhe e qetë sëbashku me djalin Akilin dhe bashkëshorten e tij, Doloren në New York.

Quhet Flora Selfo, e bija e patriotëve dhe atdhetarëve të njohur Fejzi dhe Nevrez Selfo nga Dunavati i Gjirokastrës. I jati ishte tregtar, e ëma shtëpiake. Gjatë viteve të rinisë së tij kur punonte si tregtar, Feiziut i troket në zyrë një grua e largët e fisit të tij dhe i kërkon punë për vajzat: “Pas vdekjes së tim shoqi jemi shumë keq nga ana ekonomike, nuk kam me çfarë t’i rris e ushqej vajzat e mija, prandaj po ju kërkoj t’i punësoni në biznesin tuaj”.
Feiziu pasi e dëgjoi me vemëndje i tha: “Unë nuk t’i marr vajzat e tua të bukura në punë, këtu kam të punësuar disa djem e mund të na hapin telashe, por do të gjej mënyrë tjetër për t’ju ndihmuar”. Dhe vërtetë, çdo muaj filloi të dërgonte tek kjo familje një çek për të përballuar shpenzimet e muajit. Feiziu njihej jo vetëm si tregtar i suksesshëm e patriot, por edhe si humanist. Për raste festash, gëzimesh apo edhe hidhërimesh do t’i dërgonte ushqime, veshmbathje dhe çek njerëzve të varfër.

Viti ‘44 e gjeti Feizi Selfon, Drejtor në Fabrikën e Miellit në Fier, ku ishte edhe aksioner. Në bisedë e sipër mes dy shokëve të tjerë njëri foli e tha: “Kur do të na shporren këta horra komunistë, se po vrasin, pushkatojnë e burgosin njerëz të pafajshëm, intelektualë dhe tregtarëve po u marrin pasuritë. Por, vijoi ai, nuk besoj se do ta kenë të gjatë. Dhe përsëri ju drejtua Feiziut. Në këtë situatë që ndodhet vendi bën mirë të largohesh Feizi, të marrësh gruan e vajzat e të largohesh”.

Nuk kaluan shumë orë dhe në mbrëmje Feizun e arrestojnë. Për mos denoncim të asaj bisede e dënojnë dy vjet në burgun e Fierit. Pra me ardhjen në fuqi të regjimit komunist të atin e Florës e arrestojnë dhe i konfiskojnë pasurinë. Vitet bëjnë të tyren. Babai i dy vajzave, Fejzi Selfo dergjej burgjeve të diktaturës, ndërsa vajzat e vogla Shpresa dhe Flora rriteshin çdo ditë vetëm me nënën, pa praninë e të atit, të cilave ju mungonte shumë. Ai kishte qenë një prind shumë i kujdesshëm e i dashur për to, ëndrra e tij ishte shkollimi vajzave, por përveç arsimimit sa ishin të vogla nuk harronte t’i blente edhe lodra e kukulla që të luanin si fëmijë që ishin. 

Pas dy vitesh kthehet pranë familjes në Tiranë, ku qëndruan dy vite e më pas, në vitin 1953 i japin mandatin e dëbimit për të jetuar në Elbasan, në një kasolle të rënuar në qendër të qytetit.

Jeta e vajzave të tij do të ndryshonte tërësisht, ato lanë pas kukullat e dëshirat e bukura që kishin për jetën, shtëpinë e shoqet ku jetonin e luanin në Tiranë, për t’u adaptuar në jetën e re plot vuajtje në kasollen e rënuar, ku bashkë me to jetonin edhe minjtë, sa herë edhe gjarpërinjtë që nuk i ndaheshin, gjenin strehë aty.

Sigurimi i shtetit i degdisi për të jetuar në kasollen me baltë, çfarë frynte e binte jashtë hynte brenda. Në “shtëpinë e re” kasollen gjithë lagështirë, familjes Selfo i erdhi në jetë edhe vazja e vogël që e qujtën Childa.

Flora fillimisht punoi në punishten e duhanit në Elbasan, mësoi të qepte çorape, e më pas për të mbajtur familjen gjallë ushtroi në fshehtesi të lagjes e sigurimit të shtetit profesionin e rrobaqepëses.

Fustanet e bulura që qepte Flora, vazjat e qytetit i pëlqenin shumë, sa kur i vishnin konkuronin mes njëra tjetrës si flutura në një sfilatë mode (por të munguar ato vite) ….

Florën e martojnë me mblesëri në familjen Bushati në Shkodër. Sapo çifti i ri u bë me djalë, të shoqin e Florës e arrestojnë dhe e dënojnë nën nenin agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor me 6 vjet heqje lirie. Për Florën filloi një jetë akoma më e vështirë. Një nënë e re me një fëmijë të vogël e pa të ardhura, u gjend mes një udhëkryqi pa shpresë dhe pa ekonomi të siguruar. Flora ishte një grua inteligjente dhe e bukur, çfarë tregoi se bukuria që ajo kishte do ta dëmtonte shumë. Feçor Shehu tregon Flora, ish kuadër i lartë i partisë shtet në Shkodër, i kërkon Florës që ta takonte një ditë në zyrën e tij, me këtë rast do t’i lironte edhe të shoqin nga burgu, veprim i ulët i karakterit të tij, që si imoral kështu kish vepruar edhe me disa gra të tjera të bukura në Shqipëri, që pas një puthje e përqafimi i kishte liruar bashkëshortët nga burgu.

Flora jo vetëm që nuk denjoi ta dëgjonte e t’i shkonte në zyrë, por pranoi vuajtjet e hallet mbi kurriz se sa të ndynte emrin me njeriun e lig, edhe pse ai gëzonte pushtet e kishte në dorë çdo gjë….

Nga intrigat e sigurimit që ndikuan për keq në jetën e saj të re, detyrohet të divorcohet nga i shoqi dhe kthehet në Elbasan përsëri në kasolle pranë prindërve. Flora na flet edhe për motrën e saj më të vogël, Childën që punonte atë kohë si normiste në Metalurgjikun e Elbasanit. Të gjithë punëtorët e donin dhe e respektonin thotë ajo, por drejtoria e pushoi nga puna, për t’i  bërë vend gruas së një ish sigurimsi Ylli Majlindi, transferuar nga Durrësi në Metalurgjik. Kështu që Childën e larguan nga puna, me pretekstin e biografisë. Kur i ati i tyre rastësisht dëgjoi mbi këtë ngjarje, ishte tronditur shumë, u sëmur rëndë dhe ndërron jetë. Në kasollen e vogël nuk mund të përcillej i vdekuri, u detyruan që xhenazen t’a çonin tek banesa e djalit të xhaxhait të Florës, po në Elbasan, Pëllumb Selfo. 

Ndërkohë djali i Florës rritej nën edukatën e saj dhe gjyshes së tij të dashur Nevrezit, për të cilën Flora i është shumë mirënjohëse. I biri Akili duke parë gjendjen e vështirë ekonomike ku ndodheshin filloi të punojë qysh në moshën 13 vjeçare si hekurthyes, shkollën e mesme e vazhdoi natën. Duke patur pasion studimet arriti të mësojë shumë mirë edhe gjuhën angleze.

Dy vitet e para të dëbimit nga Tirana, për mos të qëndruar në kasolle i strehoi dhe i ndihmoi shumë një familje elbasanase me mbiemrin Garonja, të cilët ata edhe sot i kujtojnë me respekt, por më pas detyrimisht sigurimi i detyroi të jetonin në kasolle, ku tek ajo “adresë” banuan deri në 1990.

Vit kur Flora sëbashku me të birin Akilin morën rrugën e kurbetit e shkojnë në Greqi, qëllimi i Florës ishte shkollimi i të birit, pasi regjimi komunist nuk ja krijoi këtë mundësi si fëmijë i persekutuar politik. Thonë se shpresa nuk vdes kurrë. Dhe ashtu ndodhi vërtetë në Athine i doli në krah një mik i hershëm i familjes, që i ndihmoi për të marrë vizën amerikane e të niseshin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosta Gjika quhej, një zotëri që kishte punuar vite më parë në biznesin e familjes së tyre në Sarandë, i cili e mbante mend edhe Florën kur kishte qenë fëmijë.

Fati ju eci për të udhëtuar me avion e biletë të paguar drejt Amerikës së bekuar e të largët, me vete Flora mori edhe dhimbjen për nënën e motrat që i la në atdhe. Fillimisht qëndruan në Seattle – Washington State, ku u pritën e u trajtuan shumë mirë nga Administrata e Shtetit dhe familjet vendase, që ata nuk e harrojnë kurrë. Më pas lëvizën për në New York, ku Flora kishte edhe një mbesën e saj.

Vitet kaluan. Flora Selfo u bë një zë një i njohur i lëvizjes për të drejtat e ish të persekutuarve politikë të Shqipërisë në SHBA dhe aktiviste e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Edhe pse larg atdheut ajo nuk është ndalur kurrë për t’ju bashkuar kauzës për të drejtat e asaj shtrese ku vuajti edhe vetë. Flora ështe mjaft aktive në shoqëri e rrjetet sociale, është dashamirëse e librit dhe jetës sociale në vend. I pëlqen të dëgjojë muzikë e ndjehet e gëzuar kur ja u përcjell edhe mikeve të saj, të cilat edhe ato e çmojnë dhe e respektojnë shumë. Pas viteve të demokracisë në Shqipëri Flora me motrat e saj arritën të marrin disa nga pronat e tyre, si në Tiranë ku banesa e tyre në kohën e komunizmit u shfrytëzua si vilë banimi nga Gramoz Pashko me familje si dhe në Sarandë ku kishin disa prona të tjera.

Dera e banesës së Florës në New York ku jeton me djalin e gruan e tij Doloren është kurdoherë e hapur për miket e saj të mira, që i presin me dashamirësi. Flora është një grua me virtyte të larta e shumë mikëpritëse, veti këto që i gëzon edhe bashkëshortja e djalit të saj Dolora, e cila edhe ajo rrjedh nga një familje e njohur atdhetarësh e patriotësh shqiptarë. Dolora ka lindur e kaluar rininë në internim mes baltës, skamjes e mjerimit, pas viteve ’90 ju krijua mundësia për të studjuar në SHBA.

Fati e lidhi me Akilin e kalojnë një jetë të bukur e të lumtur sëbashku me Florën dhe nënën e Dolores, Suzana Matja. Akili përfundoi studmiet e larta në Hunter Kolegj në New York me rezultate të shkëlqyera, Dolora po ashtu ishte një studente ekselente dhe sot është Doktore Shkencash dhe Pedagoge në Universitetet më të njohura në New York.

Si Organizatë e Gruas “Shpresë & Paqe” i vizitojmë në raste festash e gëzimesh, por edhe kur Florës ju nda nga jeta motra e saj Shpresa, që jetonte në Tiranë i shkuam për vizitë, të cilën ajo Akili dhe Dolora e vlerësuan shumë.

Ndjej kënaqësi që hedh këto rreshta në letrën e bardhë për zonjën fisnike e vitale Flora Selfo dhe familjen e saj, që edhe pse hallet e vuajtet që kaloi në moshën më të mirë, në portretin e saj dallohet bukuria, zgjuarsia dhe shpirti i saj fisnik. Të rralla janë si Flora, ndihem edhe unë krenare që jam mike e saj.