Grupet punuese të Kosovës e  Serbia takohen për herë të gjashtë, por nuk gjejnë zgjidhje për target

Bruksel, 11 mars 2022 – Të premten në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë në nivel ekspertësh mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave të automjeteve, por as këtë here nuk është arritur një zgjidhje përfundimtare.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në një postim në Twitter, ka thënë se ekspertët e BE-së u kanë ndihmuar delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë të identifikojnë opsionet ekzistuese dhe ndikimet teknike. Ai ka thënë se dy delegacionet pritet të zgjedhin një nga opsionet e ofruara.

“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel, në takimin e gjashtë të Grupit Punues për Targat. Ekspertët e BE-së u ndihmuan dy delegacioneve të identifikojnë të gjitha opsionet ekzistuese dhe implikimet e tyre teknike. Tani është koha për t’u angazhuar në gjetjen e interesave të përbashkëta”, ka shkruar Lajçak.

Takimet e grupeve punuese parashihen në marrëveshjen që dy shtetet e patën arritur në Bruksel më 30 shtator, e cila kishte rezultuar me zhbllokimin e pikave kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Jarinjë e në Bërnjakë, tërheqjen e policisë së Kosovës nga këto dy vendkalime dhe qarkullimin e përkohshëm të automjeteve me mbulimin e simboleve shtetërore në target e dy shteteve.

(r.m.)

Comment

*