Grusht shteti ushtarak në Sudan, kryeministri Hamdok në arrest shtëpiak

Kartum, 25 tetor 2021 – Në Sudan raportohet për një grusht shteti ushtarak, pasi disa anëtarë të qeverisë kalimtare dhe udhëheqës të tjerë civilë janë arrestuar.

Raportohet se në mesin e zyrtarëve që janë vënë në arrest shtëpiak është edhe kryeministri, Abdallah Hamdok.

“Ata janë çuar në një vend të paidentifikuar”, tha në një komunikatë Ministria e Informacionit. Ushtria ende nuk i ka komentuar këto zhvillime, por grupet pro-demokracisë kanë bërë thirrje për protesta në rrugë.

Ministria tha se kryeministri Hamdok ishte nën presion për të mbështetur një grusht shteti, por po refuzonte ta bënte këtë dhe u kërkoi njerëzve të vazhdonin me protesta paqësore në “mbrojtje të revolucionit”.

Dëshmitarët kanë thënë se në kryeqytetin Kartum është ndërprerë internet, ndërsa në rrjetet sociale janë shfaqur imazhe që tregojnë turma të zemëruara duke djegur goma në rrugë.

Ushtria dhe njësitë paraushtarake janë vendosur në të gjithë qytetin, duke kufizuar lëvizjen e civilëve, citohet të ketë thënë një dëshmitar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Aeroporti i Kartumit është i mbyllur dhe fluturimet ndërkombëtare janë pezulluar.

Grupi kryesor pro-demokratik i Sudanit u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të rezistojnë çdo grusht shteti ushtarak.

Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të alarmuara” me raportet nga Sudani tha i dërguari i posaçëm, Jeffrey Feltman.

Kombet e Bashkuara e quajtën të papranueshme ndalimin e udhëheqësve civilë nga forcat sudaneze të sigurisë, përfshirë kryeministrin Abdalla Hamdok.

“Jam thellësisht i shqetësuar për raportet e një grusht shteti në vazhdim dhe përpjekjet për të minuar tranzicionin politik të Sudanit”, tha Volker Perthes, përfaqësuesi i posaçem i OKB-së në Sudan.

Liga Arabe shprehu “shqetësim” për zhvillimet në Sudan.

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit u bëri thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen marrëveshjes për ndarjen e pushtetit të arritur në gusht të vitit 2019.

Gjermania dënoi përpjekjet për grusht-shtet dhe bëri thirrje për “përfundim të menjëhershëm” të veprimeve.

“Lajmet për një përpjekje të re grusht-shteti në Sudan janë shqetësuese dhe ato duhet të marrin fund menjëherë”, tha në një deklaratë ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

(r.m.)

Comment

*