Guljed Birçe, gjashtë vite në shërbim të Senatorit Kerry

Flet për gazetën “Illyria”, menaxheri shqiptar i zyrës së ish-Senatorit Kerry në Boston – Historia e emigrantit nga Shqipëria që këshilloi për politikën e jashtme njeriun që tani do të drejtojë diplomacinë amerikane si Sekretar i Shtetit

 

Nga Ruben Avxhiu

“Se sa i zoti është një senator varet nga sa i zoti është stafi i tij. Janë ata që sakrifikojnë mbrëmjet e vona dhe fundjavat, shtyjnë pushimet, nuk u del koha të kthehen në shtëpi për të mbuluar fëmijët në shtrat – dhe gjithë ato momente të tjera të humbura nga jeta e tyre sepse janë duke na ndihmuar neve që të shërbejmë… Unë jam bekuar me një staf spektakolar…”
Kështu foli John Kerry, një nga senatorët më të fuqishëm të Amerikës në fjalimin e tij të lamtumirës para pak ditësh në Washington, ndërsa largohej nga Senati pas gati 30 vitesh për të shërbyer tani si Sekretar i Shtetit, në vend të zonjës Hillary Clinton.
Një nga drejtuesit kryesorë të këtij stafi kaq të lavdëruar nga ish-senatori Kerry është Guljed Birçe, një emigrant nga Shqipëria, i cili është Menaxheri i Zyrës të Senatorit në Boston dhe Këshilltar i Politikave për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Detyra e tij ishte akoma edhe më e rëndësishme duke pasur parasysh se John Kerry kryesonte së fundi Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, një post në të cilin zëvendësoi Senatorin Joe Biden kur ky u zgjodh zëvendës-president i vendit.

 

Nga Mbretëresha te zonja Perez, fillimet në SHBA të djaloshit nga Shqipëria që donte të bëhej astronaut

Deri pak vite më parë, Guljed Birçe as që mund ta merrte me mend se do të punonte për njeriun që udhëheq politikën e jashtme amerikane nga Kapitol Hilli në Washington.
Në vitin 2000, ai sapo kishte mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme në Shqipëri, kur bashkë me familjen u zhvendos në Shtetet e Bashkuara.
Në atë kohë ëndrra e tij ishte krej tjetër. Ai donte të bëhej astronaut. Në fakt, shqiptar-amerikanët kishin fluturuar më parë në kozmos drejt yjevve. Mes yjeve të politikës është ajo pjesë e kozmosit që kemi eksploruar më pak.
Familja e Guljedit u vendos në Boston dhe në atë kohë detyra kryesore e djaloshit të ri ishte që të mësonte anglishten. Madje edhe ta “rimësonte”. “Gjuha e Mbretëreshës është disi më e ndryshme”, thotë ai për gazetën “Illyria”, duke iu referuar faktit që në Shqipëri mësohet anglishtja “angleze”. (Mbase nga që i përkas “i botës së medias” për mua ajo ka qenë “anglishtja e BBC-së”.)
Në ditën e parë të shkollës së mesme ku kishte shkuar për t’u regjistruar që të mësonte gjuhën në Kurset e Anglishtes si Gjuhë e Dytë për fëmijët e emigrantëve, ai shoqërohej nga babai. Po në fakt, kishte qenë ai që kishte shërbyer si përkthyes për babain gjatë regjistrimit. Këshilltarja e shkollës, me të cilën biseduan, e impresionuar me anglishten e tij e bindi që të regjistrohej për mësim të rregullt. Simestri i parë ishte i përvuajtshëm me jo më shumë se nota C. Por shpejt situate ndryshoi. Guljedi u shpall Salutarioni i klasës së tij. Valediktorian ishte një tjetër shqiptare, Fuada Kasollja, të cilën Guljedi e përmend me respekt. Ai është mirënjohës ndaj zonjës Perez që e nxiti të ecë me ritmin e moshatarëve duke e nisur jetën në Amerikë me këmbë të mbarë.
Po aq më pak e mundshme dukej një karrierë në politikë për Guljedin kur në vjeshtën e vitit 2003, ai u regjistrua në Kolegjin e Inxhinierisë në Boston University, ku nuk do të paguante asgjë, si fitues i Bursës së plotë Akademike si “Shkollar i Bostonit”. Në atë kohë ishte ende në gjurmim të ëndrrës së tij të fëminisë, të bëhej astronaut.
Mirëpo, vetëm pak muaj pasi ka filluar shkollën, Guljedi bëhet i ndërgjegjshëm për transformimin që ka ndodhur tek ai në vite. Ka kohë që vështrimin nuk e mban më nga qielli por nga ngjarjet në tokë, rreth tij, në shoqërinë ku jeton. Ai është mirënjohës këtij vendi dhe mjedisit ku jeton për mundësitë që i janë dhënë në jetë dhe kërkon t’ua shpërblejë duke punuar që ata të kenë një jetë më të mirë.

 

Dëshira për të shërbyer

Rrënjët e këtij transformimi i ka kërkuar pastaj më thellë në jetën e tij, që kur në moshë të vogël pa rrëzimin e Murit të Berlinit, kur fëminia iu trondit nga ngjarjet e ashpra të vitit 1997, në Shqipëri dhe akoma më shumë nga përvoja e jashtëzakonshme e derdhjes së gati një milion refugjatëve të dëbuar nga Kosova në 1999. Me kaq shumë histori në jetën e tij gjurmët e saj nuk mund të anashkaloheshin.
Në vitin e fundit të shkollës së mesme, një mësuese e historisë amerikane (e cila gjithashtu kishte studjuar në Boston University) pa e kuptuar edhe vetë Guljedi ia kishte ndezur në gji dëshirën për t’u për t’u bërë një shërbyes publik, siç quhen në SHBA ata që punojnë në administratat shtetërore, administrative e legjislative.
Ajo kishte planifikuar për nxënësit e saj një “program rigoroz”, siç tregon Guljedi në intervistën e tij të posaçme me gazetën “Illyria”, për t’u mësuar atyre sa më shumë për baballarët e kombit dhe pavarësisë amerikane dhe për angazhimin qytetar.
Në vitin e parë në Boston University mësoi edhe më shumë për angazhimin qytetar dhe e kuptoi se kjo ishte rruga që dëshironte të merrte ne jetë.
Guljed Birçe u regjistrua në Kolegjin e Arteve dhe Shkencave dhe përfundoi studimet duke u diplomuar në tri disiplina: Marrëdhënie Ndërkombëtare (në çështje të Sigurisë – një ndikim i drejtpërdrejtë i dramës kosovare), në Shkenca Politike dhe në Psikologji.
Gjatë kësaj kohe ai bëri një stash si ndihmës kërkues në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare (National Defense University) në kampin e njohur të ushtrisë amerikane në Fort Lesley J. McNair afër Washington-it.
Gjatë kohës që ka punuar për Senatorin Kerry ka vijuar studimet në Shkollën e Biznesit “Sawyer” në Universitetin e Suffolk-ut ku në verën e kaluar mori dy diploma Master, një në Administratën Publike dhe një në Studime të Krimit dhe Drejtësisë.

 

Në ekipin e Senatorit Kerry

Gjithshka filloi me një stazh (internship) gjatë stinës së verës në 2007, kur Guljedi sapo ishte diplomuar nga Boston University. Në kohën kur shumica e bashkëmoshatarëve të tij vraponin drejt bregdetit, ai e filloi të punonte me Drejtorin e Shtetit Drew O’Brien: i cili në fund të verës, plot mbresa nga përkushtimi, puna e palodhur dhe modestia e 23 vjeçarit nga Shqipëria, i kërkoi që të bëhej pjesë e përhershme ekipit.
Në këtë ekip, të cilin Guljedi e quan “familja Kerry”, ai ka qendruar prej gati 6 vitesh tashmë.
Sot, Guljed Birçe është Menaxheri i Zyrës të Senatorit në Boston dhe Këshilltar i Politikave për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Puna kryesore e tij në këto vite ka qenë garantimi që Zyra e Senatorit të ishte gjithmonë në gatishmëri dhe funksionale për t’u shërbyer qytetarëve të Massachusetts-it.
Ai është përgjigjës për gjithshka që nga teknollogjia dhe aparaturat, nga mjetet e punës te zgjedhja dhe përgatitja e stafit si dhe edukimi i tyre me rregullat dhe detyrat e Senatit. Ndonëse është menaxher i zyrës, kur ka qenë nevoja është ulur dhe u është përgjigjur telefonave. Guljedi i është mirënjohës familjes që ka ngjizur tek ai etikën e punës, ndjenjën e përgjegjësisë dhe virtytin e durimit.
Me ngjitjen e Senatorit Kerry në krye të Komitetit të fuqishëm të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit Amerikan, duke marrë vendin të lënë bosh nga Joe Biden (në 2008, ai u zgjodh zv-president dhe në 2009 u zhvendos në Shtëpinë e Bardhë), detyrat e stafit të tij u shumëfishuan.
Si Këshilltar Politik i Senatorit Kerry, Guljed Birçe ka punuar rregullisht me kolegët e tij në këtë komitet si dhe me diplomatë e punonjës të Shërbimit të Jashtëm në ambasadat amerikane në mbarë botën.
“Kam pasur fatin e madh që në emër të Senatorit Kerry, të takohem me diplomatë të huaj e përfaqësues të organizatave joqeveritare”, thotë Guljedi për gazetën “Illyria”.

 

Humbëm një Senator të madh, por fituam një Sekretar Shteti ideal

Lajmi kryesor i javës së kaluar në Washington ka qenë pa dyshim konfirmimi në postin e Sekretarit të Jashtëm të Senatorit John Kerry. Pasi zëvendësoi Joe Biden në krye të komitetit të Senatit, tani Kerry zëvendëson një tjetër figurë madhore amerikane zonjën Hillary Clinton në krye të Departamentit të Shtetit.
Për shqiptarët ky është një lajm shumë i mirë. John Kerry ka hyr në histori si kandidati i parë për president i zgjedhur nga një konventë kombëtare që ka deklaruar se do të përkrahte pavarësinë e Kosovës. Ai fitoi zemrat dhe votat e shumë shqiptarëve në 2004, ndonëse në fakt pastaj pavarësia e Kosovës ndodhi nën qeverisjen e Presidentit W Bush.
Është mëse e mundshme që vëmendja që mori çështja gjatë kësaj fushate të ketë ndikuar në një vëmendje më të madhe nga Departamenti i Shtetit, pas zgjedhjeve.
“Personalisht, ndjej se Massachusetts ka humbur një tjetër senator të madh, por ka prodhuar një Sekretar ideal të Shtetit”, e përmbledh shumë bukur për gazetën “Illyria”, Guljed Birçe sentimentin që mbizotëron në stafin e ish-senatorit dhe në një pjesë të madhe të Massachusetts-it.
Një senator “tjetër”, sepse pak kohë më parë, vdiq i ashtuquajturi “Luan i Senatit”, senatori prej gati gjysëm-shekulli nga Massachusetts, Ted Kennedy. John Kerry u zgjodh për herë të parë në 1985 dhe për gati 25 vjet të dy ata kanë përfaqësuar këtë shtet në dhomën e lartë të Kongresit amerikan.
Nga ana tjetër, konfimimi i tij në Senat me 94 vota pro dhe vetëm 3 kundër dëshmon për respektin dhe besimin e jashtëzakonshëm që gëzon John Kerry nga anëtarët e të dy partive si njeriu i duhur për në postin e Sekretarit të Shtetit.
Mjafton ta krahasosh këtë zgjedhje të bindshme me torturën nëpër të cilën po kalojnë disa kandidatë të tjerë për në kabinetin e Presidentit Barack Obama (sidomos i emëruari për postin e Sekretarit të Mbrojtjes, Chuck Hahel).
Duke folur edhe në emër të kolegëve të stafit të tij, Guljed Birçe tha për gazetën “Illyria” se “ndjehemi të gjithë jashtëzakonisht krenarë për Senatorin Kerry. Ai ka qenë një frymëzim, mentor dhe një udhëheqës shembullor. Jemi thellësisht të nderuar që patëm rastin që të punojmë për të, pavarësisht se për sa kohë dhe jemi të bindur që Senatori Kerry do të bëjë një punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Shteteve të Bashkuara në botë”.
Dihet që një pjesë e stafit në administratën amerikane nuk ndërron, pavarësisht nga kush vendoset e hiqet në krye të institucioneve, por është e natyrshme që shumë politikanë preferojnë të punojnë me njerëzit kryesorë të ekipit të tyre, me të cilët kanë pasur sukses. Është e natyrshme që Sekretari Kerry të mendojnë tërheqjen e disa këshilltarëve të tij në Departamentin e Shtetit.
Ata që shërbejnë në Washington shpesh e respektojnë ndarjen mes administratës presidenciale dhe asaj legjislative. Dy pushtetet e ndara që baballarët e pavarësisë dhe demokracisë amerikane i ka bërë imagjinuar qëllimisht të tilla që të dyshojnë dhe kontrollojnë njëra-tjetrën. Po kjo nuk do të thotë që nuk ka kapërcime, zhvendosjet janë të natyrshme.
Guljedi vetë preferon të qendrojë në botën legjislative. “Ndjej kënaqësi të jashtëzakonshme kur shoh se si vullneti i popullit shndërrohet në legjislacion në DC”, thotë ai duke shpjeguar se çfarë e tërheq më së shumti në punën që bën. “Kjo është edhe arsyeja se pse më pëlqën të punoj si Ndihmës Legjislativ (post kyç në stafin e çdo anëtari të Kongresit që bën punën kryesore të përgatitjes apo leximit të projektligjeve etj), në mënyrë që një ditë të kontribuoj edhe vetë në këtë process”.
Po ashtu si John Kerry ndonëse e dashuronte punën që bënte nuk mund t’i thoshte “jo” emërimit nga Presidenti, ashtu edhe në vijim të zinxhirit, disa këshilltarë të tij mund të jenë të detyruar ta ndjekin nga pas. Guljedi është i qetë në këtë drejtim. “Jeta ka mënyrën e saj plot humor që të bëjë atë që do dhe jo atë që planifikojmë. Për fat të mirë, më shijojnë suprizat”.
Ai ka më shumë se një arsye për ta marrë jetën me një farë parapërgatitje se çdo gjë është e mundshme. Në fund të fundit, kujt do ta kishte besuar në Shqipëri se ky djalë i ri, mëse normal në dukje, do të ishte një ditë jo në atë vend, po në anën tjetër të botës duke administruar zyrën e një prej njerëzve më të fuqishëm të botës.

 

Një komunitet që ka shumë çfarë t’i ofrojë Amerikës

Shqiptarët janë të rrallë në politikë. Ose ndoshta nuk i vëmë re. Në fund të fundit, kjo është ndoshta hera e parë që bëjmë një shkrim për Guljedin, një shqiptar në një pozitë të rëndësishme në stafin e një politikani të rëndësishëm.
“Illyria” e ka pasur misionin e saj që nga fillimi që të zbulojë e promovojë shqiptarët e talentuar dhe të suksesshëm në SHBA. Është domethënëse që shumica e tyre janë suksese individuale pavarësisht prej komunitetit, po që u sjellin bashkatdhetarëve të tyre krenari dhe kënaqësi.
Guljedi është përpjekur të qendrojë vazhdimisht në lidhje me komunitetin, ndonëse puna e tij është më e njohur mes shqiptarëve në Massachusetts. “Sa herë kam mundësi përpiqem të bëj diçka për komunitetin shqiptar”, thotë ai ndërsa tregon për punën me Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Massachusetts dhe Projektin Shqiptar të të Drejtave të Njeriut (Albanian Human Rights Project).
Kur mësoi se Mark Gjonaj u bë shqiptaro-amerikani i parë në histori, që ishte zgjedhur në Asamblenë e New York-ut, ai udhëtoi nga Bostoni për ta takuar dhe për ta uruar personalisht për këtë arritje.
“Shpresoj që shumë shqiptarë ta ndjekin këtë shembull, jo vetëm sepse shqiptaro-amerikanët do të përfitonin nga ky lloj angazhimi civil por edhe sepse Shtetet e Bashkuara do të përfitonin gjithashtu nga kontributi që ka mundësi të japë një komunitet si ky i yni”, thotë ai.
I ngacmuar pak nga unë se ndoshta shqiptarët në Massachusetts po tregohen pak më të turpshëm, duke ngurruar në provimin e fatit në politikë, siç po ndodh këto vite jo vetëm në New York por edhe në Michigan, Connecticut etj, Guljedi thotë se shteti i tij nuk ka pse të bëjë përjashtim.
“Shoh shumë anëtarë të komunitetit që janë të zotë e që mund të zgjidheshin në poste”, thotë ai. “Ndoshta siç thoni ju, thjesht ngurrojnë”.
I pyetur më tej se çfarë duhet të kesh për të kandiduar dhe nëse ai vetë do jepte shembullin në këtë drejtim, Guljedi përsëri nuk nxitohet. “E them me kënaqësi që nuk ka ndonjë formulë për këtë punë. Kam parë burra e gra të pasur që kanë fituar në zgjedhje, ashtu sikundër kam parë edhe njerëz që e kanë nisur nga asgjëja dhe përsëri janë zgjedhur në poste të larta”.
Ai vetë thotë se nuk e ka atë ambicie. Të paktën ende jo. i pëlqen më shumë të veprojë në proceset e tjera të angazhimit civil. Po asgjë nuk përjashtohet, një ditë. Jo më kot i rikthehet shprehjes së tij të dashur se jeta shpesh e gjen një mënyrë të këndshme për të na habitur. E surpriza si suksesi i Guljedit janë nga ato që na gëzojnë të gjithëve.

Comment

*