Guterres: Bota të bashkohet përballë kërcënimit në Afganistan

Nju Jork, 16 gusht 2021 – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i bëri thirrje botës të punojë së bashku “për të shtypur kërcënimin global terrorist në Afganistan”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet për t’u siguruar që Afganistani të mos përdoret më kurrë si një strehë e sigurt për organizatat terroriste”, tha Guterres, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Guterres i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të përdorë “të gjitha mjetet” për të siguruar respektimin e të drejtave të njeriut në Afganistan.

“Ne po pranojmë raporte trishtuese për kufizime të rënda të të drejtave të njeriut në gjithë Afganistanin. Unë jam veçanërisht i shqetësuar për rritjen e shkeljes së të drejtave të njeriut kundër grave dhe vajzave në Afganistan”, tha Guterres.

Talibanët e shpallën fitoren më 15 gusht, pasi e morën nën kontroll edhe kryeqytetin, Kabul, pas përfundimit të pranisë 20 vjeçare të forcave ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Afganistanit ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga vendi.

Në periudhën 1996 – 2001, kur Afganistani sundohej nga talibanët, gratë nuk lejoheshin të punonin, kurse vajzat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollën. Gratë duhej të mbulonin fytyrën dhe të shoqëroheshin nga një mashkull i afërm kur të dilnin nga shtëpitë e tyre.

(REL)