Hakerë nga mbarë bota njoftojnë miliona rusë për luftën në Ukrainë

Varshavë, 3 prill 2022 – Që nga fillimi i sulmit në Ukrainë, Qeveria e Rusisë e ka rritur kontrollin mbi mediat ruse dhe i ka censuruar mediat e pavarura, përmes një ligji të ri që i kriminalizon raportimet mbi luftën. Po ashu, e ka bllokuar shumicën e mediave sociale, për të parandaluar përhapjen e informacioneve lidhur me zhvillimet në Ukrainë. Këto masa të Kremlinit janë cilësuar si “Perde e Hekurt Dixhitale”.

Por, hakerë dhe vullnetarë nga mbarë bota po e anashkalojnë këtë “perde”. Ata po u dërgojnë qytetarëve rusë mesazhe direkte në telefonat e tyre, për t’i informuar me zhvillimet në Ukrainë.

“Nuk kemi nevojë të blejmë armë. Armët tona janë telefonat inteligjentë”, ka thënë njeri prej vullnetarwve.

Duke përdorur një bazë të vjedhur të të dhënave me miliona numra të telefonit të rusëve, një grup i aktivistëve kibernetikë me bazë në Poloni e ka krijuar një mënyrë të thjeshtë për t’u dërguar qytetarëve rusë në telefon lajme mbi luftën.

“Falë gjithë këtyre njerëzve, ne ishim në gjendje të dërgonim më shumë se 40 milionë mesazhe me tekst, email, dhe aplikacionin WhatsApp për rusët”, thotë themeluesi i grupit “Squad303”, Jan Zumbach.

Grupi e ka përdorur një pseudonim që e nderon heroin polak të luftës, Jan Zumbach”. Themeluesi i këtij grupi thotë se ai u frymëzua nga përpjekje të ngjashme gjatë Luftës së Ftohtë.

“Më kujtohet kur unë dhe prindërit e mi i dëgjonim emisionet e Radios Evropa e Lirë, sepse ishte burimi i vetëm i informacionit të vërtetë për botën”, thotë ai.

Faqja e internetit 1920.in ofron një numër telefoni dhe mesazh në rusisht. Dërgimi i një mesazhi zgjat vetëm disa sekonda.

Kathy, një mësuese në San Francisko, e cila kërkoi të mos i përmendej mbiemri për arsye privatësie, e përdor faqen për t’u dërguar mesazhe direkte rusëve.

“U thashë atyre se spitalet e fëmijëve, maternitetet dhe një teatër ku flinin qytetarët u bombardua. Është një tragjedi për Rusinë, si edhe për Ukrainën”, thotë ajo.

Kathy përfshinë në mesazhet e saj tituj dhe foto nga një sërë mediash.

“Dërgova 95 ose 96 mesazhe dhe mora përgjigje nga rreth 12 njerëz”, thotë ajo.

Disa rusë vënë në dyshim vërtetësinë e lajmeve që marrin nga grupi.

“Ajo m’u përgjigj duke thënë: ‘Më vjen keq që e beson këtë informacion. Është larg realitetit”, tregon Kathy.

Shpresoj që përmes këtyre mesazheve të ofroj lajme që do t’i bënte ata të mendojnë dy herë mbi atë që po ndodh.

19-vjeçari Anis Jerbi nga Tunizia, i cili publikon veprat e tij artistike në mediat sociale, i ka dërguar mbi njëqind mesazhe.

“Deri mw tani e kam marrë vetëm një përgjigje nga një person që më tha se jam një gënjeshtar dhe se ajo që po ndodh në Ukrainë është një akt i ligjshëm, heroik”, thotw ai.

Megjithatë, Anis Jerbi i ka përmirësuar mesazhet e tij, duke i bërë ato më personale.

“Unë mendoj se ka shpresë për t’i bindur ata ta kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Pra, unë sinqerisht kam besim tek populli rus”, thotë ai.

Frika nga përgjimet e qeverisë mund t’i shkurajojë disa rusë të përgjigjen.  Megjithatë, Jan Zumbach thotë se mesazhet kanë ndikim dhe se qeveria ruse është përpjekur të godasë faqen e internetit 1920.in.

“Është e tmerrshme të mos kesh qasje në informacion nga Perëndimi dhe nga pjesa tjetër e globit. Në thelb, kjo është një barrë. Pra, besoj se një ditë më shumë njerëz do të angazhohen në këtë dialog”, thotë ai.

(Sipas Zërit të Amerikës)