Halimi: Shqiptarët e Luginës së Preshevës te këne status të njëjtë me serbët në Kosovë

Prishtinë, 10 qershor 2013 – Riza Halimi, lider i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se ende nuk kanë një konfirmim zyrtar për një takim të mundshëm të liderëve shqiptarë të Luginës së Preshevës me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, por ka pohuar se ka informata se Qeveria e Serbisë ka pranuar të ulet dhe të bisedojë me liderët shqiptarë për t’i zgjidhur problemet jetësore me të cilat po përballen shqiptarët e Luginës.

Halimi e ka vlerësuar pozitivisht miratimin e rezolutës për Luginën e Preshevës në Kuvendin e Kosovës. “Rezoluta është një hap i parë dhe një kthesë për faktin se për herë të parë organi më i lartë legjislativ, Kuvendi i Kosovës, ka diskutuar për të drejtat e shqiptarëve të Luginës”, ka thënë ai.

Halimi ka thënë se tani Qeveria e Kosovës duhet ta tregojë gatishmërinë e saj për realizimin e zotimeve lidhur me çështjet e përcaktuara në pikat orientuese të rezolutës së votuar në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka treguar se është dashur të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me normalizimin e gjendjes në Luginë, respektivisht respektimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë pjesë.

“Sikurse për veriun e Kosovës, njësoj do duhej të nënshkruhej një marrëveshje mes dy qeverive. Shumë çështje të Luginës është dashur të jenë të koordinuara edhe me një marrëveshje të qeverive të Kosovës dhe të Serbisë”, është shprehur Halimi.

Sipas tij, për të drejtat e shqiptarëve të Luginës duhet të shfrytëzohet edhe marrëveshja e arritur në Bruksel për veriun e Kosovës.

“Këtu mendoj se duhet të shfrytëzohet marrëveshja për veriun e Kosovës, ashtu siç thuhet, se qëllimi kryesor është normalizimi i raporteve, fillimisht në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe me këtë ndikohet normalizimi i gjendjes në veri të Kosovës. Për t’u normalizuar situata në Luginën e Preshevës patjetër duhet të ketë veprime të përbashkëta”, ka thënë Halimi.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë se deri më tani Qeveria e Serbisë nuk ka treguar seriozitet për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

R.M.