Hamiti: Koha e fundit që Serbia ta pranojë realitetin – Kosovën e pavarur

Prishtinë, 5 qershor 2021 – Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka thënë se tani është koha e fundit që Serbia ta njohë realitetin – pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Në një postim në “Twitter”, Hamiti ka theksuar se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë do të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do ta stabilizonte rajonin.

“Është koha e fundit që Serbia të pranojë dhe jo ta mohojë realitetin – pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë do të normalizonte marrëdhëniet midis dy vendeve dhe do ta stabilizonte rajonin”, ka shkruar ai.

Z. Hamiti, i cili ka qenë këshilltar i dy presidentëve të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës dhe Fatmir Sejdiut, e pastaj ambasador i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuara, ka kundërshtuar sistematikisht idetë për “kompromis” midis Kosovës e Serbisë.

Pothuajse në të gjitha paraqitjet e tij publike, ai ka thënë se për Kosovën është e papranueshme cilado marrëveshje që do të cenonte tërësinë territoriale, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Ai ka theksuar se Kosova ka bërë “kompromise” shumë të mëdha kur e ka pranuar “Pakon” e Ahtisarit, e cila e vë në zgrip funksionalitetin e shtetit të Kosovës në mbarë territorin e saj. 

I dërguari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, gjatë qëndrimit në Kosovë dhe në Serbi, këtë javë, përsëriti qëndrimin tashmë të njohur të Uashingtonit se qëllim përfundimtar i dialogut Kosovë-Serbi është marrëveshja me njohje të ndërsjellë.

“Ne besojmë se vetëm njohja e ndërsjellë i vë pikë gjithë çështjes”, ka theksuar z.Palmer, në intervistë për Televizionin N1 në Beograd.

(r.m.)

Comment

*