Hapja e vitit akademik shtyhet për në 18 tetor, shkak vaksinimi kundër COVID-19

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi kërkoi më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim nga universitetet me strukturat e shëndetësisë, për të lejuar hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit

Knid Ndrenika

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi njoftoi se Shqipëria e ka shtyrë fillimin e vititi akademik për në datën 18 tetor me kërkesën e Konferencës së Rektorëve të universiteteve.

Shtyrja bëhet sipas ministres, me kërkesë të rektorëve të universiteteve me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë të fokusohen vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.

“Meqënëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditore pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”-tha ajo.

Zonja Kushi falenderoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për gatishmërinë që në të gjithë fakultetet dhe universitetet të vendosë në ekipet e vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e procesit, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Ministrja kërkoi më shumë bashkëpunim dhe bashkërendim nga universitetet me strukturat e shëndetësisë, për të lejuar hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit.

“Studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm”-shtoi zonja Kushi.