Haradinaj: Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare

Prishtinë, 22 dhjetor 2022 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se situata në pjesën veriore të Kosovës është përkeqësuar në krahasim me pak kohë më parë dhe për këtë ai e kritikon edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Mendoj që është një situatë jo e mirë edhe kthim prapa. Ky kthim prapa fillon me kursin e marrë nga kryeministri i Kosovës për tabelat (e automjeteve), duke mos e përcjellë propozimin amerikan, por edhe me një agjendë mjaft djallëzore të Serbisë që nëpërmjet grupeve kriminale në veri po vazhdon ta destabilizojë veriun e vendit”, tha Haradinaj, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Haradinaj tha se qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë me kujdes situatën e krijuar në veri, sepse ajo mund të dalë nga kontrolli.

“Besoj që rrugëdalja nga kjo gjendje është kthimi pikërisht atje te pikënisja, te propozimi amerikan për tabelat në atë kohë, por që tani nënkupton kthimin te marrëveshja finale, pra bazike, dhe jo te ajo lufta kush kënd e mund me veprime në terren, për shkak se lufta guerile me veprime gjoja të fitohet epërsi në terren mund të dalë nga kontrolli dhe të krijojë pasiguri më të madhe”, tha ai.

“Besoj që tashmë po shihet se edhe Prishtina zyrtare e kupton që kjo është një lojë djallëzore për të nxitur kundërveprime, se reagimi mund të nxisë veprim dhe një pjesë të përgjegjësisë për eskalimin e mundshëm të situatës në veri ta mbajë Prishtina. Besoj që është mirë që Prishtina zyrtare është përmbajtur kohën e fundit dhe ka një koordinim me aleatët’, tha ai.

Haradinaj shprehu pikëpamjet e tij edhe lidhur me kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe lidhur me kërkesën e serbëve për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sa i përket çështjes së asociacionit, ai tha se duhet të zgjidhet me marrëveshjen finale midis Kosovës e Serbisë.

“Edhe kthimi edhe Asociacioni nuk janë çështje që zgjidhen njëherësh ose për një ditë. Sa i përket Asociacionit, mendoj se zgjidhja vjen me marrëveshjen finale, ndërsa kthimi në institucione është një proces i brendshëm që duhet të ndodhë dhe Prishtina duhet të intensifikojë një dialog të brendshëm me serbët local”, theksoi ai.

Haradinaj shprehu pikëpamjet e tij edhe lidhur me propozimin granko-gjerman për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë.

“Së pari besoj se ky propozim është edhe amerikan, për të mos thënë amerikan, por edhe amerikan. E mirëpresim avancimin deri në këtë nivel, deri në një propozim marrëveshje. Mendoj se është punë e madhe, e jashtëzakonshme, e arritur e madhe. Është një shkencë brenda këtij dokumenti. Shkencë sepse me të vërtetë ndodh njohja e Kosovës nga Serbia, edhe de fakto edhe de jure. Përpos marrëdhënieve bilaterale, Serbia me këtë marrëveshje, në planin ndërkombëtar, e njeh Kosovën, ia njeh të drejtat për ecje përpara edhe për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Po ashtu, merr obligim mos ta pengojë këtë ecje, që është diçka e mrekullueshme. Kuptohet, edhe Kosova merr obligimet e veta për të drejtat e serbëve të Kosovës. Marrëveshjet e mëhershme janë të gjitha obligim, përfshirë Asociacionin edhe statusin e Kishës Serbe që zgjidhet në bazë të ligjit për liritë fetare në Kosovë. Pra, është një bazë e mirë për t’u përballur, për t’u divorcuar ta quajmë ashtu, me Serbinë në planin ndërkombëtar”, theksoi kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

(r.m.)