Haradinaj në takim me kongresistin Torres: Aleanca me Amerikën është jetike për Kosovën

Uashington, 31 janar 2023 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili gjendet në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është takuar me mikun e madh të shqiptarëve, kongresistin Ritchie Torres.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka thënë se në takim me kongresistin Torres e ka vlerësuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën në të gjitha periudhat. Ai ka thënë se e ka shtruar nevojën për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjitha sferat.

“Nder i veçantë të takohem me mikun e madh të shqiptarëve, kongresmenin z. Ritchie Torres, të cilit i shpreha mirënjohjen për përkrahjen e tij dhe mbështetjen e pazëvendësueshme që ShBA-të i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

Në takim shtrova nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik në mes të dy vendeve në të gjitha sferat, atë të sigurisë, politikës së jashtme dhe shkëmbimit ekonomik. Po ashtu, ftova Kongresmenin Torres për vizitë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

“Aleanca e jonë me Amerikën është jetike dhe duhet të trajtohet si e tillë. Kosova është më e fortë kur ka miq në Amerikë të cilët asnjëherë nuk e lënë të vetme, në situatat me të cilat ballafaqohet”, ka theksuar lideri i AAK-së.

(r.m.)