Haradinaj: Prokuroria nuk ka prova për akuzën e ngritur ndaj meje

Hagë, 8 nëntor 2021 – Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ai është trajtuar me përbuzje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Sipas tij, kjo prokurori nuk ka asnjë provë për mbështetjen e akuzave kundër tij, të cilat ai i ka cilësuar qesharake.

“Veprimet dhe sjelljet e kësaj prokurorie, jo vetëm që dëshmojnë sjelljen jo të mirë të kësaj prokurorie, por dëshmon edhe se unë jam këtu prej 14 muajsh, kur nuk ka asnjë provë që të mbështesë akuzat qesharake me të cilët përballem. Prokuroria nuk e meriton aspak që unë të jem i pranishëm këtu, në këtë sallë, dhe t’ua bëj dekorin figurativ, gjithsesi më shtyri parimi bazë që për të vërtetën nuk duhet hezituar kurrë edhe përballja me ata që kërkojnë të shpifin dhe të poshtërojnë gjithçka që ne mbrojmë, duhet bërë këtë pikërisht për hir të kësaj të vërtete”, është shprehur Haradinaj.

Ai u ka bërë thirrje gjykatësve të Dhomave të Specializuara të Kosovës që ta përfundojnë këtë çështje sa më parë.

Haradinaj, së bashku me ish-kryetarin e OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe, në mënyrë të përsëritur, kanë shprehur synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Betimi për Drejtësi)