Haradinaj, rizgjidhet në krye të AAK-së

Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Gjashtë Zgjedhor të kësaj partie. I pranishëm në këtë kuvend nuk ishte askush prej tri partive më të mëdha në Kosovë, PDK-së, LDK-së dhe Vetëvendosjes. Haradinaj kritikoi pushtetarët aktualë, për mashtrim të qytetarëve, ndërsa theksoi se me AAK-në, Kosova do ta ketë një qeverisje çfarë nuk është parë deri më tani.
Në një garë pa kundërkandidat, por me votim të fshehtë, Haradinaj ka marrë 403 vota nga 404 delegatë të pranishëm, ndërsa pa publikimit të rezultatit, kreu i AAK-së tha se kjo i jep besim për fitore të reja.
“Ju siguroj që po ndjej besim se do të më çoni në fitore”, tha Haradinaj, transmeton RTK.
Blerim Shala, i cili e bëri nominimin e tij, tha se është Haradinaj ai që mund t’i bëjë qytetarët të krenohen me atdheun e tyre.
“Jam i bindur që Ramush Haradinaj si kryetar i AAK-së do t’i prijë rrugëtimit të AAK-së, sot dhe së shpejti atij të Kosovës, si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ta bërë Kosovën shtet të suksesshëm të qytetarëve që krenohen me atdheun e tyre”, tha Shala.
Kreu i AAK-së kritikoi pushtetin aktual për mashtrim të qytetarëve.
“Fshihen pas ndërkombëtarëve kur marrin vendime që s’janë as popullore dhe s’janë të mira për votë, ndërsa i fajësojnë ndërkombëtarët për t’i shpëtuar dënimit prej votuesit”, tha Haradinaj, duke folur për qeverinë e tashme.
Kuvendin zgjedhor të AAK-së, e kanë përshëndetur kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, dhe ai i LDD-së, Nexhat Daci.