Harku i Triumfit i familjes Qerimi 

Është e vështirë të gjesh një të ngjashëm me mjeshtrin Et’hem B. Qerimaj, nuk ka një të dytë si ai. Nga një violinist i pashkolluar, mori violinën dhe u bë një nga violinistët më me emër.  

  

Et’hem Qerimaj është kurora e artistëve të familjes Qerimi, fama e të cilëve ka kohë që i ka kaluar kufijtë e trevave shqiptare, ka shkuar në Evropë dhe deri në skajet më të largëta të Azisë. Ai është një artist që magjeps me violinën. Nëse do të kishte gojë, e para që do ta përgëzonte do të ishte ajo, mbretëresha e veglave muzikore, violina. Rrallëkush si ai ka mundur të përcjellë magjishëm tingujt e saj.  

Nga bota e tij e brendshme buron një energji e pashterueshme gjatë interpretimit, ai mbyll sytë dhe bëhet një me violinën. Et’hemi është mjeshtër i shquar i kabasë shqiptare, të asaj kabaje që nuk e dallon dot nëse qan violina apo i zoti. Sa herë sallat janë ngritur peshë në këmbë, sa njerëz janë përlotur ose janë ngjitur në skenë për t’i puthur duart pas atij përjetimi dhe interpretimi të magjishëm të këtij përmetari. 

Et’hemi u lind në një familje përmetare, ku gjyshi dhe i ati, Brahimi, kishin profesion ndërtimin e mullinjve të ujit. Por ata bënin pjesë në ata njerëz të trevës me shpirt artisti, muzikantësh. Babai i tij luante me violinë e kitarë, falte emocione e gëzim, ishte nga më të preferuarit në gosti, dasma e festa lokale të asaj kohe dhe dardha bie nën dardhë, atë rrugë do të ndiqte edhe Et’hemi.  

Familja e tij banonte në Këlcyrë, ku ai u lind. Ishin vitet e pushtimit fashist dhe në atë qytezë u vendos një garnizon ushtarak. Italianët në kohën e lirë luanin me instrumente muzikore dhe çamarroku gjashtëvjeçar shkonte bashkë me mandolinën e tij atje e bashkohej me ta. Më pas, ai filloi të shoqëronte babanë nëpër dasma. I ati luante me violinë, Et’hemi me mandolinë dhe një kushëri me def. Në ato fillime të kësaj orkestrine ai nuk ishte me shume se shtatë vjeç. I binte mandolinës italiane që ishte e varur në mur që pesë vjeç, më pas kitarës e violinës. I ati, Brahimi, i përgatiste vetë violinat e kitarat me drurin që gjendej lehtë në Këlcyrë dhe me telat që i blinte andej nga Gjirokastra, kujton Et’hemi.  

Arriti një pikë kulmore që mjeshtri pëlqehej më shumë nga i ati, Brahimi.  

Isha në shkollën 7-vjeçare kur na erdhi në fshat një mësues nga Fieri që i binte shumë mirë violinës, – kujton Et’hemi. –Ai u mahnit me mua… me mori një ditë në një klasë të shkollës dhe hapi partiturat e tij e duke parë mbi to nisi t’i binte violinës. Unë mbeta i habitur”. Por, ama, mjaftonte që të dëgjonte një muzikë e pastaj e riprodhonte. 

Në rrapet e Poçemit të Mallakastrës (1949) u mblodh e gjithë krahina në festën e përvitshme kushtuar ngjarjeve të Luftës Nacionalçlirimtare. Aty, Et’hemi 14-vjeçar me të atin bënë një interpretim të rrallë. I ati asokohe i binte violinës dhe i biri e shoqëronte me kitarë, duke kënduar bukur. Kënga për Asim Zenelin apo për Heronjtë e Hekalit, por edhe të tjera u pëlqyen edhe nga Kryeministri i vendit i asaj kohe, Mehmet Shehu, i cili dha porosi që ky djalë të shkollohej. Por, nuk donte as ai e as i ati, se mbeteshin pa shkuar nëpër dasmat e fshatrave të Përmetit, të Fierit, të Gjirokastrës. 

Pas tri ditësh shkoi te shtëpia e tij një kamionçinë, e mori dhe e solli në Tiranë. E testuan dy artistë që kishin mbaruar konservatorët jashtë shtetit. Djaloshi i ndrojtur që kishte shoqëruar të atin nëpër dasma e gosti me mandolinë e kitarë, nuk i njihte mirë notat në tekste. “Nuk je për këtë punë”, – i thanë. Ai për çudinë e tyre u gëzua.  

“Dakord, kështu them edhe unë, – u tha, – duhet të shkoj se kam lënë edhe babanë pa punë. Ai pa mua nuk ikën dot nëpër dasma, – ua ktheu me sinqeritet e kënaqësi”.  

Mirëpo, kjo punë nuk varej nga dëshira e këtij djaloshi, as e tyre. Ishte tjetërkush që kishte lënë porosi. Përfundimisht e futën në Lice dhe përveç orëve të mësimit kishte dhe plot 12 orë të tjera studim me mësuesit Petrela dhe Paparisto, që e kishin marrë në duar këtë gjeni “injorant”. 

Tetë veta ishin në komisionin e provimit, në krye të vitit. “Hap një nga metodat ku të duash dhe na luaj një pjesë që ke mësuar”, – i tha kryetari i komisionit, “Artisti i Popullit”, Mustafa Krantja. Pasi e dëgjoi gjeniun e vogël “pa talent”, që shkëlqeu, i tha: “Ngjitu lart, në katin e dytë! Do të jesh spala për violinat e dyta në orkestrën e Filarmonisë!”.  

Në moshën 14-vjeçare “u arrestua”, ndërsa në moshën 15-vjeçare u bë pjesë e Filarmonisë Shqiptare. Studionte në Lice, punonte ndërkohë në Filarmoninë e Shtetit, ndërsa e angazhonin dhe në Ansamblin e Shtetit…  

Aty punoi tre vjet duke luajtur pjesë operistike dhe duke interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Më pas shkoi për të kryer shërbimin ushtarak në Ansamblin e Ushtrisë. Me këtë ansambël ai interpretoi në shumë vende të Europës e Azisë dhe sa mbaroi shërbimin ushtarak, u kthye në Teatrin e Operës e Baletit, ku e bënë violinë të parë dhe interpretoi pjesë shqiptare edhe kryeveprat e operistikes botërore për 18 vjet, të cilat e rritën shumë profesionalisht. Më pas u kthye në Ansamblin e Ushtrisë, ku u krijua orkestra simfonike dhe mjeshtrin e madh e caktuan spala të orkestrës. Deri sa doli në pension, gjithë harqet e asaj orkestre ishin nën kontrollin e tij.  

Prof. Fatos Qerimi, i biri, shprehet: “E kam të vështirë të gjej një të ngjashëm me mjeshtrin Et’hem B. Qerimaj, nuk ka një të dytë si aiMuzika i rrjedh në deje. Karriera e tij në këto maja ka ardhur fare në mënyrë të natyrshme, por ai ka bërë një punë të madhe, e cila nuk ka qenë e lehtë. Nga një violinist i pashkolluar mori violinën dhe u bë një nga violinistët më me emër. Rrugëtime të tilla artistike kanë bazë talentin dhe punën e jashtëzakonshme. Talentin që mundi ta shpërfaqte edhe në botën aziatike, Bashkimin Sovjetik etj., aty e konsideronin si ‘gjeneral’, ndërsa në Teatrin e Operës do të luante veprat më të famshme operistike si violinë e parë. Është një violinist me njohuri shumë të mirë artistike. Mjeshtri, në moshën 22-vjeçare, i rrëmbeu publikut duartrokitjet për kabanë e tij të parë, ai është edhe krijues i muzikës që luan”. 

Kumja është shoqja e jetës së tij. E dashuroi me shikimin e parë. U magjeps sa e pa, “humbi” drejtimin dhe e ndoqi deri në shtëpi. Më pas ishte Kumja që gjeti derën e Operës. Nga ky çift lindën tre fëmijë: Fatosi, Brunoja dhe Ardiani. Që kur lindi djali i parë, mendoi që fëmijët t’i bënte artistë dhe kur të rriteshin të luanin bashkë me të. Kështu ndodhi, ata janë gjithkund me të. Fatosit i dedikoi klarinetën, Adriani kitarën ia mësoi vetë, edhe ai kompozon muzikë, ndërsa Brunos organon. Planifikonte e krijonte grupin muzikor brenda familjes kur ndryshuan sistemet. Nipërit dhe mbesat e tij do të ndiqnin vijimësinë. Si lodra së pari do të njihnin violinën e gjyshit. Shkëlqejnë që në vitet 1980 dhe deri në ditët e sotme. 

Fatosi për të atin: “Babai im ka një jetë të tërë që ka investuar në atë instrument. Iu përkushtua, është i veçantë, ka formuar një individualitet, ka një bagazh të madh në këtë instrument, pra, janë shumë gjëra që kanë të bëjnë me një eksperiencë të madhe. Punon edhe ka pasionin e një artisti të pavdekshëm. Thotë se puna mbi instrumentin është gjithmonë ajo që të jep suksesin. Po të shkosh në mëngjes, e shikon me violinë në dorë. Kemi pasur mbështetjen e tij. Shkojmë bashkë për të arritur sukses”. 

Et’hem Qerimi është një “Mjeshtër i Madh”, violinist virtuoz i artit mbarëkombëtar shqiptar. Ndjen emocione të paharruara kur e dëgjon atë njeri të qetë, me një shikim të ëmbël e të dashur, që të imponon dashuri e ngrohtësi, emancipim e ndjeshmëri përmetare. Nëpërmjet tij shijon ëmbëlsinë dhe origjinalitetin e muzikës shqiptare, kabanë dhe cicërimën e zogjve mbi telat e violinës së mjeshtrit. Janë ata tinguj të pashtershëm që po dhuron për gati një shekull, në të gjitha skenat e qyteteve të Shqipërisë, nën duartrokitjet e një publiku, i cili u mahnit nga veçoria e artit të tij. 

Paganini përmetar është i pranishëm në shumë studio televizive prestigjioze, intervista, në faqet e revistave, gazetave të ndryshme, dokumentarë e të tjera, ku ai shfaqet si një artist i madh. Eleganca, virtuoziteti, janë sharmi i mrekullisë së një artisti skenik, mbështetur fort me këmbë në tabanin kombëtar. Violina e Et’hemit është tetë vjet më e madhe në moshë se i zoti. Është prodhim italian, e bleu kur ishte 23 vjeç, sa kishte filluar i sigurt rrugën e artit dhe që atëherë nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Sa kujtime të bukura ka me atë violinë, që e ka shoqëruar tërë jetën artistike! 

Pas 32 vjetësh, duhej t’i linte të gjitha, duke marrë me vete dekoratën “Naim Frashëri” dhe titullin “Artist i merituar”. Po në fillim të viteve ’90, ai krijoi një grup muzikor me dy bijtë, Fatosin dhe Brunon. Ëmbëlsia dhe fama e tyre kalon çdo imagjinatë, fluturon përtej kufijve e ndalet në oazin e kulturës botërore të artit në ditët e sotme në Vjenë, Paris… duke dhuruar spektakle të bukura. Ftesa pa numër kanë marrë grupi Qerimaj nga diaspora shqiptare. Ata çmallen e mallëngjehen për këngët dhe muzikën e vendit tyre, që interpretohen aq mjeshtërisht nga kjo trio dinjitoze. Kështu, në një sallë të madhe në Kopenhagën u festua Dita e Flamurit (2011), një sallë e madhe në mes të kryeqytetit danez, ku morën pjese afro 2000 bashkëkombës. Salla shpërtheu disa herë, ndërsa pas orës 2 të mëngjesit ajo u kthye në një disko, ku të gjithë kërcenin e këndonin.[1]  

Et’hem Qerimaj, ky “Paganin shqiptar i violinës”, “Perandor” në dinastinë e artisteve të familjes “Qerimaj”, është njeriu që me filozofinë e tij artistike, ka krijuar një “Bandë të tërë artistësh muzikologë”, interpretues në shumë gjini të artit. “Muzika shprehet bukur, kur kalon nëpërmjet mendjes, zemrës dhe gishtërinjve”, – thotë mjeshtri i violinës. 

“Et’hem Qerimaj, Paganini shqiptar i violinës[2], është një nga violinistët më karizmatikë të Shqipërisë me një histori të mrekullueshme muzikore.    

             

                     Fatos Qerimi  

  Klarinetist, kompozitor, dirigjent dhe pedagog  

Fatos Qerimiu lind në Tiranë. Që fëmijë filloi violinën dhe vazhdoi studimet për 8 vjet, ndërsa në vitin e parë të shkollës së mesme, Liceun Artistik, ku zgjodhi të vazhdonte për klarinetë. “Ndoshta atëherë bëra këtë zgjedhje, – kujton mjeshtri,-  sepse klarineta është vegël më e lehtë, nuk kërkon studimin dhe lodhjen që do violina. Isha shumë i ri. Por përveç kësaj, ishte daja im, Ramazan Kaponi, i cili ishte i shkolluar në Pragë, pedagogu i parë shqiptar i klarinetës”.  

Qerimi III e ka pasion muzikën, por është dashuruar marrëzisht me klarinetën, duket se kanë gjetur njëri-tjetrin, pavarësisht se luan mirë edhe me violinë. “Klarineta ka një dimension gjithëpërfshirës në muzikë, qoftë klasiken, modernen, në muzikën e dhomës, në muzikën xhaz apo muzikën popullore”, – thotë në një intervistë Fatosi. “Pra, mund të them është lider i muzikës. Klarineta është në fakt një instrument që në Shqipëri mendohet si pjesë e traditës, por në konceptin europian, klarineta është një instrument shumë i avancuar. Ajo nisi si një instrument naiv dhe në muzikën kontemporane është në nivelin e saj më të lartë”.  

Ai, ndryshe nga brezi i gjyshit dhe i të atit, ka mbaruar studimet e larta në Institutin e Arteve dhe, veç talentit, ka dije të plota profesionale. Është pjesë e familjes së madhe Qerimi, ku çdo anëtar i saj është përdorues i një vegle muzikore. Fatosi është pjesëtar virtuoz i kësaj familjeje, ku janë plot 12 muzikantë profesionistë. Është mahnitës, ka arritur që klarinetën ta çojë në një nivel të lartë si instrument i muzikës klasike dhe kontemporane, e këtë ta përçojë te publiku. 

Ka një klarinetë, me të cilën krenohet, edhe pse ajo është e vjetër. “Që është e vjetër (75-vjeçare), unë s’e këmbej me asnjë tjetër. E ruaj si sytë e ballit, e mbaj si fëmijë, aq shumë kujdesem për të. Kjo klarinetë ka një timbrikë, frekuencë shumë të bukur, shumë të ëmbël, ka një dru krejtësisht ndryshe nga druri i teknologjisë moderne. Kam pasur shans që e kam blerë këtë klarinetë te një koleksionist veglash muzikore, një holandez. E kisha ëndërr një klarinetë të tillë dhe së fundi rastësia ma solli. Kur e mora në duar, nuk e besoja. Tashmë ka shumë vite dhe unë ndihem i sigurt me të, por duke i bërë një kujdesje krejt të veçantë, nga lagështira, përplasjet, goditjet, nxehtësia e tepërt etj… S’e ndërroj as me klarinetën ‘Bakun’ kanadeze, më modernia e kohës”,- thotë mjeshtri. 

Ai është pedagog klarinete në Universitetin e Arteve të Bukura prej 27 vitesh (2019), ku ka një klasë me klarinetistë, madje një klasë me pjesëmarrje të gjerë dhe nëse para viteve ‘90 kishte një numër të kufizuar studentësh, deri në gjashtë, në dekadën e dytë të shekullit 21, çdo vit kanë qenë rrethi 26. I pëlqen të punojë si pedagog. U jep studentëve me pasion përvojën e tij si klarinetist. Pedagogu Qerimaj ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të mirë me studentët që klarinetën ta konceptojnë si një instrument ku të shprehin vlerat, të mos deformohet shija mbi artin, se çdo gjë e huazuar keq nga muzika është antivlerë.  

Mjeshtri është mjaft aktiv, organizon edhe konkurse kombëtare të klarinetistëve të rinj, madje edhe jashtë kryeqytetit. Për nostalgji, nata finale e një konkursi klarinetistësh të shkolluar (2014) u zhvillua në Përmet në datën historike, 24 maj, një ditë para “Festivalit iso-polifonik të sazeve Usta Laver Bariu”. Kështu, Përmeti i sazeve dhe i Usta Laverit bekuan edhe këtë aktivitet dhe njëkohësisht tradita e gjeneratave me saze u përcollën te më të rinjtë interpretues në klarinetën klasike. 

Qerimaj III është një kompozitor i dëgjuar, i njohur për spektatorin dhe telespektatorin shqiptar e më gjerë, ka krijuar disa muzika filmash për autorë shqiptarë dhe të huaj. Muzika e filmit “Mao Ce Duni”; “Përtej detit” me regji zvicerane; “Letra e re” (një prodhim italo-shqiptar, 2003); në teatër si “Pjata e drunjtë”, disa muzika me Teatrin e Fierit me Pëllumb Kullën, muzikën e një filmi të animuar të Shaqir Veselit.  

Ndërkohë janë rreth 45 vepra të kompozuara nga unë, – thotë kompozitori-, në muzikën kontemporane dhe klasike për Orkestrën e Operës, muzikë dhome dhe për formacion xhaz”.  

Kompozitori Qerimi është drejtori i Festivalit vjetor të Xhazit në Tiranë, i pari i të cilit u mbajt në vitin 1999. Fatosi themeloi Festivalin e Xhazit sepse besonte se xhazi ishte një element i humbur në kulturën shqiptare. Që nga fillimi i tij, bandat kanë marrë pjesë edhe në festivalet ndërkombëtare, çka ka ndikuar pozitivisht në skenën e xhazit shqiptar. Festivali frymëzoi jo vetëm individë, por edhe institucione të tjera, për rrjedhojë, u hap Festivali i Xhazit në Durrës dhe në Shkodër. Në bashkëpunim me Helidon Gjergjin paraqesin INFO-JAZZ, një performancë akustiko-vizive që ka si pikënisje tingujt digjitalë të celularëve. Është një lloj kolone zanore bashkëkohore e përdorur si material bazik për të krijuar një hapësire urbane akustike.  

Fatos Qerimi është gjithashtu dirigjent dhe ka themeluar dy orkestra, njëra prej të cilave quhet Inceptionence dhe tjetra Big Band, që është grupi muzikor i Akademisë së Arteve të Bukura. “Kam realizuar shumë koncerte me Ndikimin gjatë Javës Evropiane të Kulturës, që është mbajtur shumë herë në Shqipëri, – thotë klarinetisti. – Të përbërë nga profesorë të Akademisë së Arteve të Bukura dhe muzikantë të rinj”. 

Duke qenë drejtuesi i Departamentit të Interpretimit në Akademinë e Arteve të Bukura, ai krijoi Big Band-in me synimin për të luajtur muzikë xhaz dhe stile të ndryshme të muzikës bashkëkohore. Kjo do t’i afronte studentët e rinj me botën e muzikës dhe do t’i prezantonte ata me shije të reja duke krahasuar zhanre të ndryshme muzikore. 

Festivali “Flauti magjik” është pjesë e veprimtarisë së tij. Ky festival udhëton nga klasikja te xhazi. Prej disa vitesh po gjallëron jetën artistike dhe kulturore në Tiranë, një event që edhe emrin e ka të menduar me shumë vëmendje, që del nga kornizat e një eventi të zakonshëm, ambientohet bukur, ka artistë të moshave dhe vendeve të ndryshme. Më e rëndësishmja, ka cilësi dhe kujdes në përzgjedhje. 

Emrin e festivalit ‘Flauti Magjik’ e kam vënë nga ndjesia që të japin instrumentet e frymës, si klarineta apo flauti dhe e kam marrë nga titulli i veprës së Mozartit dhe lloji i muzikës së interpretuar në këtë festival”,- thotë mjeshtri. “Në fund dua të përmend se ky festival vjen si një produkt i ‘A.C.S & music improvisation’, një shoqatë e krijuar në vitin 2006 me mbi 140 anëtarë, emra të njohur të artit e të kulturës, që ka si detyrë strategjike parësore ndërtimin e një mjedisi artistik të suksesshëm që t’u shërbejë kërkesave të komunitetit artdashës si dhe pasioneve, dëshirave dhe vullnetit të talenteve të reja për muzikën. 

Për të, muzika shqiptare është një thesar i madh dhe thelbi i muzikës sonë aq të bukur popullore nuk duhet të transferohet me tallava.  

I dedikohet shumë familjes së tij të madhe.  

Si Fatos Qerimaj kam pasur një karrierë shumë të mirë, por si pjesëtar i familjes Qerimaj, kam prekur sallat më prestigjioze të botës, ku vetëm kurrë nuk mund të ngjitesha”

I ati, vëllai dhe Fatosi krijuan një treshe të gjallë që performonte në Shqipëri dhe jashtë. Më vonë, tradita u përqafua nga xhaxhai i tij. Fëmijët e tij e vajzat e vëllait, dhe kështu me radhë e me radhë, deri sa arritën në gjendjen aktuale, ku familja e madhe ka mjaft muzikantë për të prodhuar një repertor të ri, të plotë.  

Unë e dua publikun shqiptar – thotë Qerimaj III. – Unë e kam ngjitur karrierën edhe duke qenë këtu. Ftesat janë kortezi dhe vlerësim i mirëpritur, por kam reflektuar dhe kam vendosur të mos largohem”.  

Artisti i madh bashkëpunon edhe me botën muzikore evropiane dhe performon për shqiptarët emigrantë, por edhe të huaj në disa shtete. Ka më shumë se 16 vite (2019) që bashkëpunon me dy formacione franceze dhe oferta ka shumë, madje edhe për t’u punësuar, në vendlindje ndihet si askund tjetër dhe kjo nuk e ka penguar të bashkëpunojë me shumë artistë ndërkombëtarë. Këtu përfshihen, ndër të tjerë, regjisorja bullgare Adela Peeva, pianistja kroate Ivana Vidović, Teatri Toursky i Marsejës në Francë e të tjera. 

 ***

                                                   Saga e Qerimajve 

Familja Qerimaj, ndryshe familja e artistëve të mëdhenj, apo familja më e dashur e skenës shqiptare, duket se ka rreth 12 artistë e përfshin tre breza. Ata janë mjeshtrit e muzikës tradicionale shqiptare.  

E filluan të gjithë si familje që në fillim të viteve ’90. U pagëzuan te restorant “Piazza” si trioja Qerimaj (Et’hemi në violinë, Fatosi në klarinetë dhe Bruno në organo). Për gjashtë vjet me radhë, plaku i urtë do të mahniste me tingujt e tij të magjishëm gjithë njerëzinë që hynin e dilnin nga ai restorant, deri në orët e para të mëngjesit. Ishte koha që sapo kishte dalë në pension. Djemtë, në çdo sekonde mundoheshin “t’i vidhnin” të atit emocionin, vullnetin, ritmin… Shumë shpejt do të ftoheshin edhe në vende të ndryshme të botës. Franca do ishte e para që ata do shkelnin të tre së bashku, pas një ftese që morën në një orë të vonë te “Piazza”. Pastaj ftesat e të huajve nuk kishin të sosur. 

Dora-dorës, kësaj trio iu bashkua edhe brezi i tretë, djali i Fatosit, që mbaroi në Konservatorin e Vjenës, dhe vajza e tij; por edhe dy vajzat e Brunos, të cilat studiuan njëra në Itali e tjetra në Francë. Klodi, më e vogla, i është bashkuar familjes si violiniste e si këngëtare. Zëri i ëmbël në interpretimin e “Poshtë nga çairet” e bëri të njohur artisten që në daljen e saj të parë në skenë. Orkestra e tyre ka klarinetën, që luan Fatosi; organo, që luan rolin e pianos, me të cilën interpreton Bruno; tri violina (gjyshi dhe mbesa (vajza e Brunos) dhe nipi (djali i Fatosit) etj. – Është një orkestër pa timbrika ekstreme, – thotë Fatosi, – por ka një melodi shumë të bukur

Në fillim të viteve ’90, familja Qerimaj luante pasditeve deri orët e para të mëngjesit në një nga piano-baret e para të Tiranës, ku vinin shumë të huaj shoqëruar me shqiptarë. Et’hem Qerimaj, muzikanti që ka prekur tri epoka historike, dhe familja e tij kanë mundur të krijojnë një traditë. 

Muzika e familjes Qerimaj ka prekur gjithashtu edhe skena ndërkombëtare, duke u mirëpritur edhe nga publiku i huaj, ka dhënë koncerte në shumë vende të Europës: në Gjermani, Francë, Itali, Greqi, Spanjë, në festivale të rëndësishme, ku kanë marrë çmime të ndryshme, duke luajtur pjesë shumë të vështira që bota muzikore evropiane i ka vlerësuar. 

Një mbrëmje magjike unike u organizua në Amfiteatrin e Tiranës, nën tingujt e ëmbël të muzikës së familjes Qerimaj, me rastin e 85-vjetorit të babait të dinastisë muzikore, Hetem Qerimaj (2019), ku 9 artistë përfaqësues të tre brezave të asaj familjeje, sollën në skenë repertorin më të mirë të tyre nga tradicionalja me muzikë qytetare shqiptare për të kaluar më pas një oaz të jashtëzakonshëm, siç është muzika ballkanike, e më tej ajo evropiane. Klodi e Valini luajnë me violina të dy kabatë e gjyshit. Pjesëmarrja speciale e artistëve hollivudianë, Levon Minassian dhe Sarge Arribas, si dhe e komedianit Richard Martin i shtuan magjinë mbrëmjes së dinastisë Qerimaj. 

U prehte ne paqe! Ngushellime familjes!

Shefqet A. SALIU


[1] – Rudina Hoxha, 27 gusht 2011. 

[2] – Naim Jonuzi, 23 maj 2019.