Harris mbështet thirrjet për hetim për krime lufte ndaj Rusisë

Varshavë, 10 mars 2022 – Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, deklaroi të enjten në Poloni se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht faktin se një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve”, tha Harris.

Këto komente Harris i bëri pas takimit në Varshavë me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda.

Edhe pse Harris nuk i quajti drejtpërdrejt krime lufte të Rusisë ngjarjet që po ndodhin në Ukrainë, ajo tha se “çdo sulm ndaj civilëve përbën shkelje” dhe se për këtë mbështeti idenë e një hetimi ndërkombëtar.

Imazhet nga Ukraina treguan qartë mizoritë që po ndodhin, tha Harris, edhe para se një hetim të përcaktojë se si t’i quajmë ato.

“Absolutisht, duhet të ketë një hetim dhe ne të gjithë duhet ta vëzhgojmë”, deklaroi Harris, duke vënë në dukje se Kombet e Bashkuara kanë filluar tashmë një proces për të shqyrtuar akuzat.

“Nuk kam dyshim se sytë e botës janë te kjo luftë dhe çfarë ka bërë Rusia në lidhje me këtë agresion dhe këto mizori”, theksoi Harris.

Ajo tha se nuk do të mungojë mbështetja financiare, humanitare, si dhe mbështetja në fushën e sigurisë për Ukrainën.

Ndërkohë, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, tha se “është e qartë që në Ukrainë rusët po kryejnë krime lufte”.

Ai tha se pushtimi rus i Ukrainës bart më vete “elemente të gjenocidit dhe synon eliminimin dhe shkatërrimin e një kombi”.

Ndërkaq, Harris lavdëroi popullin polak, i cili, sipas saj, ka hapur dyert për refugjatët ukrainas.

Tashmë, më shumë se 2 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina dhe më shumë se gjysma prej tyre kanë arritur në Poloni, ndërsa pritet që edhe më shumë të ikur pritet të mbërrijnë në ditët në vijim.

Duda paralajmëroi për një “katastrofë refugjatësh” nëse Polonia nuk merr më shumë ndihmë për të ndihmuar në strehimin dhe ushqyerjen e ukrainasve që ikin nga luftimet.

(REL)