Hekuran Duka i BDI-së i fiton zgjedhjet në komunën e Dibrës

Shkup, 15 nëntor 2021 – Hekuran Duka nga Bashkimit Demokratik për Integrim, është fitues i zgjedhjeve në komunën e Dibrës dhe do ta drejtojë komunën edhe për një mandat katër vjeçar. Në balotazhin e së dielës, ai u përball me kandidatin e Aleancës për Shqiptarët, Bekim Pocesta, i cili në raundin e parë kishte një epërsi prej mbi 200 votash ndaj zotit Duka.

Dibra është komuna e vetme ku raundi i dytë i zgjedhjeve u zhvillua me vonë për shkak të parregullsive të konstatuara në një qendër votimi në raundin e parë të zgjedhjeve, që u mbajtën më 17 tetor.

Raundi i parë në këtë komunë u përsërit më 31 tetor, në ditën kur u zhvillua balotazhi në 44 komuna nga 81 komunat e Maqedonisë së Veriut.

Procesi në Dibër kalo i qetë, megjithëse autoritetet zgjedhore njoftuan për një numër ankesash të pranuara gjatë ditës së votimit.

Aleanca për Shqiptarët u ankua për bllokimin e rrugës nga Mavrova për në Dibër ku po bëhej asfaltimi i rrugës, gjë që, sipas saj, kishte penguar për orë të tëra arritjen e qytetarëve dibranë nga qytete të tjera, për të realizuar të drejtën e votës në vendlindjen e tyre. Aleanca hodhi dyshime mbi fitoren e zotit Duka.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni i Zgjedhjeve, kandidati i BDI-së, Hekuran Duka mori 4 mijë e 291 vota, 138 më tepër se kandidati i ASH-së, Bekim Pocesta, i cili mori 4 mijë e 153 vota.

Gjithsej 8 mijë e 636 votues nga 19,211 sa ishin të regjistruar morën pjesë në zgjedhjet e së dielës.

(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)