HESHTJA PARA DHUNËS E PADREJTËSISË ËSHTË BASHKËPUNIM

Nga Ruben Avxhiu

 

Unë besoj se numri i njerëzve që nuk i kontrollojnë dot impulset shtazarake, që janë sadistë nga natyra apo nga rrethanat, që ndjejnë kënaqësi apo ndjenja superioriteti kur abuzojnë më të dobëtit e më të pambrojturit janë të shumtë në numër.

Janë më shumë se sa mendojmë.

Dy arsye janë se pse nuk i shohim, apo pse i njohim si njerëz normalë në shoqëri: frika dhe turpi. Këta njerëz druhen se do ta pësojnë apo do të turpërohen nga ata që i rrethojnë nëse tregojnë barbarinë e tyre. Kjo i bën të përmbahen. Të mbajnë nën kontroll impulset e shtazërisë.

Dhuna e “infermieres” në videon e zbuluar nga Shtëpia e Pleqve në Pejë ndodhi në praninë e një grupi kolegesh që qeshën, toleruan, dhe heshtën për dhunën që panë. Pa këtë reagim aprovues e mosdënues, dhunuesja nuk do të zbulonte sadizmin e saj.

Koleget e saj janë bashkëfajtore. Në SHBA do të përndiqeshin nga ligji si aksesorë të krimit. I takon ligjit të vendosë nëse dënimi për to duhet të jetë gjithashtu burgu, si për dhunuesen kryesore, apo thjesht përjashtimi nga puna dhe ndoshta përgjithmonë nga profesioni.

Dinamika e dhunës dhe reagimi i tyre gjithashtu dëshmon se ky nuk ishte një rast i vetmuar. E gjithë qendra duhet të hetohet. Nuk e di se çfarë parashikon ligji në Kosovë. Në SHBA, sigurisht, jo vetëm abuzueset por edhe punëdhënësi i tyre, qoftë pronari privat apo komuna apo shteti, do të ndëshkoheshin rëndë financiarisht, me shumat që shkojnë te viktimat dhe familjarët e tyre.

I vetmi ngushëllim sot është se reagimi ndaj kësaj dhune do të trembë e përmbledhë shumë dhunues të ngjashëm që veprojnë në qendra shëndetësore e të shërbimit social, në Kosovë e tjetërkund në trojet shqiptare, përfshi sigurisht edhe Republikën e Shqipërisë.

Jo nga dhembshuria për të moshuarën e rrahur, por nga zemërata mbarëpopullore dhe urrejtja e gatishmëria për të ndëshkuar dhunuesen. Sonte, abuzues të ngjashëm do të jenë pak më të mëshirshëm me viktimat e tyre. Do të jenë më të kujdesshëm në ditët e ardhshme që të mos bien në sy për keqtrajtimin e tyre.

Shqiptarët duhet të zbulojnë e mësojnë nga e para guximin qytetar, të ngjallin nervin e reagimit, ndjenjën e drejtësisë, e mbi të gjitha empatinë, aftësinë për ta vendosur veten në vendin e tjetrit.

Pa këto, do të vijojnë jo vetëm të na rrahin, por edhe të na vjedhin e abuzojnë, të na qeverisin keq e të na shërbejnë keq. Sadistët e maskarenjtë do të fitojnë më shumë guxim e do të bëhen edhe më të egër. Mes frikacakëve dhe të pamoralshmëve që i duartrokasin dhe qeshin nga pamja e mizorisë.

Në fillim e pësojnë më të pambrojturit, por askush nuk del pa u dëmtuar në një shoqëri ku ata që shohin abuzimin e tolerojnë apo e duartrokasin. Fakti që nuk po të prek njeri ty, nuk është arsye për ta lejuar poshtërsinë. Një shoqëri e mirë ku ia vlen të jetosh është vetëm ajo ku të gjithë shohin veten te ai që rrihet e abuzohet.